Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi sot një konferencë për shtyp mbi vendimmarrjen e politikës monetare.

Në fillim të fjalës së tij Sejko tha se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet, ndërsa parametrat kryesor të stabilitetit ekonomik, monetar dhe financiar të vendit mbeten të konsoliduar.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë deklaroi se inflacioni bazë u rrit në 2.9% në tremujorin e tretë të vitit, rritje kjo e ndikuar thuajse tërësisht nga rritja e çmimit të qirave.

“Në veçanti inflacioni ka shënuar një rritje të lehtë gjatë tremujorit të tretë, por ai vijon të qëndrojë në nivele të ulta dhe jashtë objektivit tonë. Po ashtu, tregjet financiare kanë qenë përgjithësisht të qeta dhe kreditimi ka ardhur në rritje. Politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka patur një kontribut pozitiv në gjithë këtë ecuri. Reagimi në kohë i politikës monetare ka mundësuar kontrollin e presioneve dhe pritjeve inflacioniste. Po ashtu, fleksibiliteti që kemi shfaqur në koordinimin me politikën e vazhdueshme fiskale dhe politikën e kursit të këmbimit ka mundësuar një ambient monetar akomodues për rritjen e kreditimit, të konsumit dhe të investimeve. Përditësimi i parashikimi tona sugjeron se ekonomia do të vijojë të shfaqë trende të ngjashme zhvillimi edhe në të ardhmen. Në veçanti rritja ekonomike pritet të luhatet pranë niveleve aktuale në horizontin afatmesëm, ndërkohë që inflacioni pritet të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm. Në këto rrethana Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjykoi se gjykimi aktual i politikë monetare mbetet i përshtatshëm. Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një vlerë mesatare prej 2.4% gjatë tremujorit të tretë, duke vijuar në trendin e lehtë rritës të shfaqur në tremujorin parardhës. Rritja e inflacionit këtë tremujor u diktua nga rritja relativishte e shpejtë e çmimeve të qirave, rritja e lehtë e inflacionit të shërbimeve, si dhe nga stabilizimi i çmimeve të naftës. Nga ana tjetër, inflacioni i çmimeve të ushqimeve shënoi rënie, ndërsa inflacioni i artikujve të tjerë të shportës, u shfaq relativisht i qëndrueshëm. Në këndvështrim makro-ekonomik, trendi rritës i inflacionit gjatë tremujrit të tretë, pasqyroi rritjen e inflacionit bazë e të qëndrueshëm, kundrëjt rënies së inflacionit jo bazë dhe të importuar. Kështu inflacioni bazë u rrit në 2.9% në tremujorin e tretë, rritje kjo e ndikuar thuajse tërësisht nga rritja e çmimit të qirave”,- tha Sejko.

Ai deklaroi se norma bazë e interesit nuk do të lëvizë, duke mbetur në 2.5%.

“Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin e 2.5%, të mbajë të pandryshuar numrin e interesit të depozitës një-ditore në nivelin e 1.5%, dhe gjithashtu të mbajë të pandryshuar nivelin e kredisë një-ditore në nivelin 3.5%”,- tha Sejko.