Në këtë takim Sejko ka vlerësuar se Bankat Qendrore të vendeve kanë një rol të rëndësishëm për promovimin dhe garantimin e stabilitetit financiar.
“Bankat qendrore sot hartojnë, zbatojnë, monitorojnë dhe vlerësojnë politikat e tyre monetare, mikro e makroprudenciale, në kontekstin e një ekonomie botërore tejet të integruar e të ndërvarur.
Nga njëra anë parashikon se integrimi nxit rritjen ekonomike, duke mundësuar një shpërndarje më eficiente të punës dhe të kapitalit, duke lehtësuar transferimin e njohurive dhe të teknologjisë, si dhe duke promovuar adoptimin e praktikave më të mira të administrimit ekonomik dhe financiar”, tha Sejko.
“Ndërkohë që nga ana tjetër, eksperienca ka treguar se globalizimi mund të transmetojë e të amplifikojë edhe goditje negative ndërmjet vendeve, duke krijuar rreziqe të stabilitetit financiar, të cilat bien ndesh me mandatet e bankave qendrore. Kemi qenë edhe nën presionin e pasojave të krizës financiare që kaluan një pjesë e partnerëve tanë tregtarë“, u shpreh Sejko.
“Rrjedhimisht, funksionet tona të reagimit janë bërë gjithmonë e më komplekse, të lidhura jo vetëm me përshtatjen e tregjeve të brendshme të produkteve, punës dhe kapitalit ndaj goditjeve të jashtme, por edhe me ecurinë e tregjeve ndërkombëtare.
Ky realitet na detyron të jemi të vëmendshëm ndaj zhvillimeve ndërkombëtare, si dhe të kërkojmë zgjidhje të përbashkëta mbi sfidat me të cilat përballemi.
Në këto kushte, bashkëpunimi, bashkërendimi i politikave dhe forcimi i dialogut efektiv midis bankave qendrore është një parakusht i domosdoshëm për të shfrytëzuar mundësitë që ofron integrimi ekonomik, financiar e teknologjik, si dhe për të rritur imunitetin ndaj sfidave, të cilat e bashkëshoqërojnë atë“, tregoj Sejko.
“Vendet tona kanë shumë të përbashkëta - elemente më se të mjaftueshme për të ndërtuar e konsoliduar urat e bashkëpunimit. Turqia është treg i rëndësishëm për Shqipërinë dhe ekonominë e saj.
Turqia është partneri i katërt i tregtisë së Shqipërisë dhe partneri i gjashtë nga pikëpamja e investimeve.
Në sektorin e shërbimeve, Turqia përfaqëson një destinacion të rëndësishëm për turistët shqiptarë; mesatarisht rreth 80 mijë shqiptarë udhëtojnë drejt Turqisë, ndërkohë që Shqipëria ka mirëpritur rreth 69 mijë udhëtarë turq në vitin 2016 dhe 38 mijë udhëtarë në harkun e gjashtë muajve të parë të vitit 2017.
Aktualisht në Shqipëri veprojnë rreth 429 kompani të përbashkëta dhe interesi i investitorëve turq për Shqipërinë është i madh. Stoku i investimeve të huaja direkte nga Turqia llogaritet në rreth 481 milionë euro, duke përfaqësuar rreth 4.3% të prodhimit të brendshëm bruto në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti.
Këto investime janë përqendruar kryesisht në fusha si: energjetika, përpunimi i metaleve, telekomunikimi dhe ajo financiare”, tha Sejko.
Redaksia Online
Xh.F /Shqiptarja.com










