Ylli norvegjez i Manchester City, Erling Haaland, ka folur me modesti për krahasimet që shpesh bëhen mes tij dhe dy legjendave të futbollit, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.

Gjatë konferencës për shtyp në prag të ndeshjes së Champions League kundër Borussia Dortmund, Haaland tha qartë se nuk e sheh veten në të njëjtin nivel me ikonat e futbollit modern.

“A jam si Messi dhe Ronaldo? Jo, aspak. Jam shumë larg. Askush nuk mund t’u afrohet atyre”, deklaroi sulmuesi 24-vjeçar.

Haaland ka qenë në një formë spektakolare që prej mbërritjes në Premier League, ku tashmë mban rekordin për më shumë gola në një sezon të vetëm. Në këtë edicion, ai ka 13 gola në 10 ndeshje, më shumë se dyfishi i çdo lojtari tjetër në kampionat.

Norvegjezi ishte gjithashtu më i shpejti në histori që arriti shifrën e 50 golave në Premier League dhe tashmë e ka 'vendosur syrin' te rekordi legjendar i Alan Shearer me 260 gola në karrierë.

“E njoh këtë rekord. Nuk di asnjë tjetër, por këtë, po. Është rekordi i tij në Premier League. Por është gjëja e fundit që kam në mendje. Unë thjesht përpiqem të ndihmoj ekipin të fitojë ndeshje futbolli. Kjo është puna ime dhe qëllimi im kryesor”, tha Haaland.

Edhe pse flet me përulësi, shifrat e Haaland tregojnë të kundërtën, ai është në rrugën e duhur për të thyer çdo rekord. Me 98 gola në 107 ndeshje për Manchester Cityn, sulmuesi norvegjez mund të arrijë shpejt majat ku kanë qenë vetëm emra si Shearer, Henry dhe Aguero.