Kryetari i Partisë Demokratike përmes një videomesazhi duke kërkuar votën e shqiptarëve shprehet se nëse PD nuk përmbush premtimet e saj nuk do të kërkojë një mandat tjetër. Kjo deklaratë duket jonormale për një person që pretendon të drejtojë vendin, duke lënë të kuptohet se ai është i kënaqur të fitojë njëherë dhe nëse nuk arrin të realizojë asnjë nga premtimet e bëra justifikohet se nuk do të kandidojë për mandat të dytë.

Në videon e tij Basha vijon të theksojë se Rama ka dështuar me premtimet këto 8 vite duke mos mbajtur asnjërën dhe se ai duhet të largohet.

"Të dashur miq, 8 vjet premtime të pambajtura, 8 vjet dështime. Shqipëria ka mbetur në vend numëro. Familjet tuaja kanë ngecur në baltë, për shkak të dështimeve të Ramës. Asnjë premtim nuk ka mbajtur! Dhe tani, vjen me premtime të tjera, boshe. Një kryeministër që nuk mban premtimet e tij duhet të largohet. Ne kemi plane serioze dhe të zbatueshme për vendin. Angazhime të cilat do të nisim t’i zbatojmë prej ditës së parë. Dhe angazhimi ynë i parë është: Nëse nuk i përmbushim angazhimet tona ndaj jush, nuk do të kërkojmë një mandat tjetër. Ka ardhur koha të bashkohemi të gjithë, për të ndryshuar Shqipërinë. Ka ardhur koha ta largojmë Edi Ramën! Ta marrim Shqipërinë në duart tona dhe të bëjmë realitet shpresat dhe pritshmëritë e çdo shqiptari", shprehet Basha