TIRANË – Mimoza Hafizi, kandidate për deputete e PS-së, ka denoncuar sot përdorimin e institucioneve arsimore për fushatë elektorale.

"Sali Berisha rrënoi e dëmtoi arsimimin e fëmijëve duke dështuar me infrastrukturën, cilësinë e edukimit, si dhe çdo komponente tjetër të shkollës", - tha Hafizi.  Në këto 8 vjet ai shfrytëzoi paturpësisht institucionet arsimore të të gjitha niveleve për propagandë politike, për premtimet e mashtrimet e radhës, për të shpalosur pa etikë e pa asnjë pikë kujdesi ndaj moshës, gjuhën e shëmtuar të urrejtjes mbi opozitën.

Mësues e pedagogë anembanë Shqipërisë, nxënës e studentë pa dallim moshe –pra edhe të mitur-, shkulen nga bankat e mësimit që të përdoren për dekor elektoral, në shi qoftë e të ftohtë, a në pikë të diellit të nxehtë. E kjo, në mënyrë të përsëritur, para, gjatë e pas fushatave elektorale, madje edhe për të disatën herë për të njëjtin inaugurim.

Nxënësit dhe mësuesit vihen në rresht dhe detyrohen të marrin pjesë në aktivitete politike apo të shkojnë në mitingjet e partisë familjare të Sali Berishës. Kjo sjellje diktatoriale shkon edhe më tej, duke i anëtarësuar mësuesit kolektivisht në PD, me detyrim e përcaktim për të ruajtur vendin e punës. Ky është një fakt tashmë i vërtetuar e pasqyruar botërisht në media. Mësues e punonjës të drejtorive arsimore nëpër rrethe kanë plotësuar listat e anëtarësimeve të reja në radhët e Partisë Demokratike. Kjo ka ndodhur në Durrës, Fier, Elbasan, Shkodër apo Korçë.

Sot, në Shqipërinë e qeverisë së rrënimit, brenda shkollës politika po hap një humnerë të errët. Një humnerë për të thithur dita ditës gjeneratën e fëmijëve dhe të rinjve në errësirën e frikshme të injorancës dhe analfabetizmit, të konfirmuar qartazi edhe nga organizma prestigjiozë ndërkombëtarë. Një humnerë që hapet dhe përmes politizimit dhunues për mësuesin shqiptar që përballë nxënësit nuk është më një qenie e lirë që rrezaton personalitet, por e dhunuar shpirtërisht e sistematikisht.

Kjo sjellje antiligjore, në kundërshtim të hapur me parimet mbi të cilat mbështeten themelet e arsimit publik, është bërë aq e zakonshme dhe normale për partinë-pushtet, sa me arrogancë të plotë, në datën 23 prill, Sali Berisha organizoi një takim me pedagogët e rinj të Universitetit të Tiranës, në selinë e Partisë Demokratike. Mesazhi që u dha atë ditë në sy të mediave e gjithë shqiptarëve ishte skandaloz e i papranueshëm për çdo shoqëri demokratike e ende më shumë për demokracitë perëndimore drejt të cilave aspirojmë. “T’ua dimë adresat studentëve, të dimë se ku do të jenë ata në datën 23 qershor.” – i tha kryetari i një partie pedagogëve të paguar nga taksat dhe me lekët e familjeve shqiptare. S’pati kurrfarë hezitimi të shpalosë përpara telekamerave format që duhej të ndiqnin pedagogët për të ndikuar tek vota e studentëve të tyre.

Sali Berisha e ka shndërruar shkollën, universitetin shqiptar në një instrument elektoral nëpërmjet politizimit të dhunshëm të hapësirave të dijes. Sistemi arsimor shqiptar, rrënuar në këto 8 vite, prodhon jo pa qëllim errësirë dhe injorancë. Sistemi ynë arsimor nuk ka më ambicie të formojë individë të lirë dhe të aftë për t'u përballur me sfidat e së nesërmes, por vetëm të prodhojë vota për pushtetin e Sali Berishës e partisë së tij familjare.

Partia Socialiste është e vendosur që shkollës t’i kthehet dinjiteti; është e vendosur që ky institucion i shenjtë t’i kthehet atyre që u takon ekskluzivisht: mësuesve, nxënësve, pedagogëve, studentëve, dijes dhe kërkimit, zhvillimit të një individi të lirë, ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë".

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)