Gjykata në Hagë tha se Jakup Krasniqi ishte një nga personat që ndihmoi në hartimin dhe zbatimin e asaj që e cilëson qëllim të përbashkët kriminal.

Sipas gjykatësit Charles Smith, Krasniqi përdori rolin e tij si zëdhënës i UÇK-së për të promovuar politikën e shënjestrimit të kundërshtarëve, emëroi persona besnikë në pozita kyçe për zbatimin e saj dhe, megjithëse kishte dijeni për krimet që po kryheshin, nuk ndërmori hapa për t'i parandaluar ose ndëshkuar.

Gjykata tha gjithashtu se ai inkurajoi kryerjen e krimeve përmes komunikatave dhe deklaratave publike dhe se, së bashku me tre të akuzuarit e tjerë, ishte pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale.

"Krasniqi ishte anëtar kyç në formulimin e politikës së shënjestrimit të kundërshtarëve. Ai përdori rolin e tij si zëdhënës i UÇK-së për formulimin e kësaj politike. Përmes publikimit të komunikatave dhe fjalimeve publike, ai inkurajoi kryerjen e krimeve kundër kundërshtarëve, përfshirë përmes luftës speciale të UÇK-së. Ai përhapi dhe promovoi qëllimin e përbashkët kriminal. Emëroi persona besnikë në pozita kyçe dhe krijoi organe speciale me detyrën e zbatimit të politikës kundër kundërshtarëve. Në atë kohë kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh të kryera kundër kundërshtarëve, por nuk ndërmori asnjë hap për parandalimin apo ndëshkimin e tyre. Ai i mohoi këto krime dhe e portretizoi UÇK-në si një organizatë që promovonte të drejtën ndërkombëtare. Trupi gjykues konstaton se të katër të akuzuarit kishin një qëllim të përbashkët kriminal dhe synuan kryerjen e krimeve për realizimin e këtij qëllimi. Për këtë arsye, të katërt mbajnë përgjegjësi penale në kuadër të ndërmarrjes së përbashkët kriminale", thotë gjyqtari. 


Lajmi kryesor:

Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së për krime lufte! Nga 25 vite për Thaçin e Krasniqin, rrëzohen akuzat për krime kundër njerëzimit (VIDEO)