Kryeministri Rama ka reaguar për procesin gjyqësor në Hagë, ku ish-krerët e UÇK-së u dënuan me burg. Kreu i qeverisë ka zgjedhur ta komentojë vetëm me një fjalë vendimin e dhënë
"Marre", thotë Rama në një foto të shpërndarë në Facebook.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Sipas Gjykatës, Thaçi u mbajt penalisht përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm, të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Jakup Krasniqi u shpall fajtor për krime lufte dhe u dënua me 25 vjet burg, përfshirë ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Kadri Veseli është dënuar me 18 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Trupi gjykues e shpalli Veselin fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
Ndërkohë, Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Sipas trupit gjykues, Selimi u gjet fajtor për krime lufte, përfshirë trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
lajm ne perditesim...

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë, duke shprehur indinjatën dhe kundërshtimin e saj ndaj vendimit.
Në një deklaratë për mediat, PDK e cilëson aktgjykimin një padrejtësi të madhe, duke pretenduar se ai mbështetet në materiale të fabrikuara nga Serbia për të kriminalizuar luftën e UÇK-së.
“Ky aktgjykim mund të jetë shkruar në Hagë, por historia e Kosovës është shkruar në Kosovë, me sakrificë, gjak dhe luftë për liri. Agresori ishte Serbia. Viktima ishte Kosova. Dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përgjigjja e popullit tonë që kërkonte të jetonte i lirë. Këtë të vërtetë nuk mund ta ndryshojë asnjë aktgjykim”, thuhet në reagim.
PDK thekson se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi iu përgjigjën vullnetarisht drejtësisë, me besimin se e vërteta do të triumfonte.
“PDK do ta kundërshtojë këtë aktgjykim me argumente, me të gjitha mjetet demokratike dhe në çdo forum ku duhet mbrojtur e vërteta për luftën e Kosovës”, përfundon reagimi.
Një ditë të rëndë për kombin shqiptar e quajti kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi pas vendimit të Hagës për ish-krerët e UÇK-së.
“E pabesueshme! E papranueshme!
Ditë e rëndë për kombin shqiptar, por akoma më e rëndë për njerëzimin dhe botën demokratike. Shqiptarët janë edhe më të fortë pas kësaj padrejtësie dhe turpi të njerëzimit!
Askush nuk mund ta bëjë pis luftën e drejtë për lirinë e Kosovës.
Përjetësisht me UÇK-në”, shkroi Bardhi.
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se vendimi dënues i Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është i papranueshëm dhe i padrejtë.
“Vendimi është i papranueshëm dhe i padrejtë. UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe çlirimtare. Beteja për drejtësi duhet të vazhdojë, beteja duhet të fitohet”, tha ai.
Ai ka apeluar që qytetarët duhet ta ruajnë Kosovën.
“I ndihmojmë armiqtë nëse i dëmtojmë pronat e Kosovës, jetët e njerëzve tonë, nëse e shkatërrojmë Kosovën në çfarëdo mënyre iu ndihmojmë armiqve”, tha ai.
Foto: Glauk Konjufca
Ministri i jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca e ka quajtur të tmerrshëm vendimin e Gjykatës Speciale për të dënuar katërshen e UÇK-së.
“E vlerësojmë si një gjykim të tmerrshëm për Kosovën, për popullin tonë, për luftën tonë çlirimtare. Populli i Kosovës vet e ka përjetuar luftën dhe e di se çfarë është lufta çlirimtare e Kosovës dhe ne e dimë që nuk ka pasur kurrfarë mekanizmi kriminal për ta cënuar asnjë popullatë brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk mund të gjesh kurrfarë programi, kurrfarë qëllimi brenda UÇK-së me këto të cilat po pretendon gjykata. Është një vendim vërtetë i trishtueshëm, i pa drejtë, i pamerituar për katërshen udhëheqëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është vërtetë diçka për të cilën do të jetë një dëm shumë i madh edhe për narracionin tonë edhe për shtetin e Kosovës”, tha ai.
Konjufca sa se edhe dënimi që iu dha Hashim Thaçit, Jakupr Krasniqit, Rexhep Selimit e Kadri Veselit janë shumë të larta.
“Kur po më kujtohet që aktakuzën e kanë pasur në Serbi 15 vite, 15 vite kanë qenë të këta në Serbi, po t’i arrestonte Serbia dhe po të vinte deri te dënimi i tyre, 15 vite po t’i dënon Serbia në mungesë, e këta kinse në emër të popullit me këto dënime drakonike. Duhet t’i ndërmarrin të gjitha masat në kuadër të ligjit edhe të përpjekjeve tona ndërkombëtare për t’u hequr këto dënime”, tha Konjufca.

Komente
Komento