Ai theksoi se gjithçka është në dorë të politikës nëse do të ketë vullnetin e duhur, nëse do të jenë të shpejtë e të angazhuar në përmbushjen e reformave. Por, ai theksoi se BE nuk do të përsërisë gabimin e bërë para disa vitesh, kur anëtarësoi disa vende të cilat nuk kishin shënuar progresin e duhur.
Sipas tij, Shqipëria kur të anëtarësohet do të jetë një anëtar i plotë dhe jo me kufizime, siç po trajtohen aktualisht disa vende të anëtarësuara në BE pak vite më parë.
"Mos nënvlerësoni faktin që të plotësoni kërkesat gjatë procesit. Për të filluar është mënyra më e mirë, për të ecur përpara e për të patur ndryshime domethënëse. Hapja e negociatave është një tjetër gjë, por theksi është tek procesi dhe kjo varet tek të gjithë ju, sesa të angazhuar e të shpejtë jeni. Nuk është thjesht një miratim që keni përcaktuar këtë apo atë, por ka të bëjë me të dhëna domethënëse dhe të qëndrueshme, që gjërat po ecin në drejtimin e duhur. Ndoshta me siguri jeni në një masë të caktuar dhe ne si vende anëtare të BE, kemi mësuar leksionet tona nga negociatat e kaluara, kuptojmë aq sa duhet përsa i përket procedurave, metodologjisë, të negociojmë me një vend kandidat, sepse në fund të këtij procesi ju jeni anëtar i plotë dhe jo me kufizime, por një anëtar i plotë. Dhe për këto arsye mund të zgjasë më shumë, por në fund ju do të përfitoni më shumë sepse ju do të jeni anëtar i plotë i BE, që ditën e parë të anëtarësimit", u shpreh Hahn.
Ndërsa solli në vëmendje se disa vende të Unionit, edhe pas anëtarësimit, përballen ende me kontrolle e raportime nga Brukseli. "Ne e kemi mësuar leksionin tonë dhe duam t'ju përgatisim edhe ju në një mënyrë që të gjithë të jemi të lumtur, të kënaqur, që të mos kemi mendime të ndryshme. Mund të jetë një ushtrim i gjatë, por në fund do të jetë në interesin tuaj dhe të qytetarëve shqiptarë", u shpreh Hahn.
Duke komentuar situatën aktuale politike, ku opozita ka kushtëzuar edhe komisionin për reformën në drejtësi, Hahn tha se për vendimet e Gjykatës Kushtetuese për mandatet e deputetëve, Hahn tha se ato duhet të respektohen, por kjo nuk duhet të kushtëzojë reformën në drejtësi.
"Ju nxis të respektoni vendimet gjyqësore dhe ato që janë vendosur në gjyq. Ne do t'ju ndihmojmë me reformat por roli kryesor për realizimin e tyre ju takon ju. Miratimi i paketës do të jetë hapi i parë kryesor për të treguar nëse reformat po vihen në zbatim dhe për të arritur rezultate pozitive që të tregojnë se Shqipëria ka bërë ndryshime pozitive. Është i rëndësishëm edhe angazhimi i autoriteteve shqiptare dhe Komisioni Europian kërkon t'ju nxisë rreth kësaj detyre të rëndësishme. Kjo duhet të bëhet nga autoritetet shqiptare, populli shqiptar. Ne mund t'ju ndihmojnë por roli kryesor mbetet tek ju. Është një detyrë e rëndësishme, një detyrë ambicioze. Ju po e bëni këtë sepse kjo është në interesin kryesor të Shqipërisë, pra ajo çka ju doni për tu bërë pjesë e BE. Është shumë e rëndësishme që të luftohet korrupsioni, të arrihet transparenca, duhet një sistem gjyqësor transparent, të zbatohet ligji, e rëndësishme është edhe ekonomia, të ngrihet besimi për investimet, në mënyrë që të bëheni vend i besueshëm që të vijnë investitorët e huaj. Ata kanë nevojë që të shohin besimin në Shqipëri në mënyrë që të jenë në gjendje të rrezikojnë paratë e tyre për të investuar këtu. Ky është një element i rëndësishëm që ekonomia të ecë përpara, të hapen vende të reja pune, e tu jepet njerëzve e qytetarëve të saj një perspektivë të re. Në mënyrë që populli shqiptar të ecë përpara. Dhe këto bazohen edhe tek zbatimi i ligjit. Zbatimi i këtyre reformave është mjaft i rëndësishëm. Gjithmonë theksohet zbatimi i 5 prioriteteve të cilat janë kaq shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Shoh vendosmëri nga ana e Shqipërisë, për të ecur përpara dhe vetëm duke vepruar kështu do të arrihet që Shqipëria të ketë zhvillimin e duhur. Duhet të ketë ambicie drejt këtyre reformave, ashtu sikurse nga institucionet dhe populli shqiptar", deklaroi komisioneri Hahn.
Ai theksoi gjithashtu se hapi i radhës i Bashkimit Europian do të jetë progres-raporti që do të rekomandojë edhe çeljen e negociatave të anëtarësimit brenda vitit.
"Shpresoj që procesi i reformave të ecë përpara në mënyrë që të bëhet e mundur hapja e negociatave të anëtarësimit në BE. Është mjaft i rëndësishëm procesi i dekriminalizimit, Kodi Zgjedhor, që të jetë në përputhje me standardet Europiane. Janë pra, këto, për të cilat ne insistojmë gjatë gjithë kohës. Hapja e negociatave është vetëm një ndër pikat e këtij procesi, por ajo çka është më e rëndësishme është se çfarë do të bëhet pas këtyre, çfarë do të bëhet me zbatimin e ligjit, transparencën. Këto janë elemente edhe më të rëndësishme për hapjen e negociatave, sepse këto ndikojnë në zhvillimin e drejtpërdrejtë të vendit. Hapja e negociatave është thjesht hapja e dyerve, por s'ka rëndësi vetëm kjo, pasi kjo i shtyn për të vazhduar në hapin tjetër dhe kjo do të bazohet në bazë të elementëve që i theksuam edhe me parë. Hapja e negociatave na jep ne si BE shansin për të bërë hapa më konkrete për zhvillimin e vendit", deklaroi ndër të tjera, komisioneri i BE, Hahn.
Kjo është mbledhja e 5 e Këshillit Kombëtar të Integrimit i cili është ngritur vetëm një vit më parë me 44 anëtarë, të cilët janë përfaqësues jo vetëm nga parlamenti, por edhe nga shoqëria civile, institucione të pavarura, bota akademike dhe media.
(Eurokomisioneri Hahn gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit)
Bregu: Negociatat, të nisë përgatitja e kuadrit strategjik
Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Majlinda Bregu, kërkoi nisjen e punës për çeljen e negociatave, duke kërkuar përgatitjen e kuadrit strategjik për këtë qëllim.
"Që puna jonë të jetë me rezultative duhet sigurisht që të gjithë dokumentet e rëndësishme që qeveria harton edhe për procesin e integrimit të konsultohen bashkë me ne në fazën e tyre fillestare. Prandaj, duhet të nisë në mënyrë urgjente përgatitja e kuadrit strategjik për çeljen e negociatave, pavarësisht se kur do të ndodhë ajo", u shpreh Bregu duke kërkuar dialog mes mazhorancës dhe opozitës për këtë qëllim.
“Duhet të jemi sa të mirë kuptueshëm me njëri-tjetrin mes nesh po e po, por edhe me qeverinë pasi ky proces transparencën e gjithëpërfshirjen i ka elementët garantues të suksesit”.
Bregu tha se Evropa siç e dimë të gjithë është e përfshirë sot nga kriza më të mëdha se sa mungesa e mirëkuptimit tonë të vazhdueshëm politik dhe sigurisht që zgjerimi nuk është halli më i madh i evropianëve, por ajo shprehu bindjen se “anëtarësimi në Bashkimin Evropian edhe pse nuk është një garanci për një botë perfekte, do të nënkuptonte garanci më të mëdha për nivelin tonë të demokracisë, duke filluar nga zgjedhjet e lira e të ndershme, sundimi i ligjit dhe deri tek standardet e përgjithshme, të cilat sot janë të kërcënuara fatkeqësisht edhe nga terrorizmi në Evropë”. “Nuk është çështja se sa të suksesshëm kemi qenë ne gjatë këtij viti për mbikëqyrjen e procesit të integrimit, – shtoi Bregu, – por besoj se për të gjithë ne, më rëndësi është që ky Këshill të konsolidojë të kuptuarit njësoj të detyrimeve të procesit”.
Gjosha: Reforma në drejtësi, përcaktuese për negociatat
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, u shpreh se faktor kyç për çeljen e negociatave, është reforma në drejtësi. Gjatë punimeve të Këshillit Kombëtar të Integrimit, Gjosha tha se palët duhet të dialogojnë hapur për këtë qëllim. "Këshilli Kombëtar i Integrimit do t'i shërbejë më mirë procesit të integrimit. U diskutua mbi 5 prioritetet kycce, ccfarë është realizuar dhe ccfarë duhet bërë. Pika kycce mbete reforma në drejtësi. I bëj thirrje palëve për dialog të hapur dhe kalimin e reformës me konsensus sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo do të ccelë rrugën për hapjen e negociatave të Shqipërisë në BE", u shpreh Gjosha.
Mediu: Ligji i pronave, shkel të drejtën e pronarëve
Kryetari republikan, Fatmir Mediu, ngriti shqetësimin e ligjit të pronave, që sipas tij, zhbën të drejtën e pronarëve për të rimarrë të drejtën e tyre. Sipas tij, ligji i miratuar nga qeveria, shkel vendimet e Gjykatës së Strasburgut. "Dua të theksoj problematikën e çështjes së pronësisë. Qeveria ka miratuar një ligj i cili bie ndesh me Konventën Europiane të të të Drejtave të Njeriut dhe me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Është një ligj që të vendosë përballë detyrimin për ndryshimet e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, duke vendosur shtetin mbi individin. Prej 3 vitesh Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave s'ka shqyrtuar asnjë dosje të pronarëve të ligjshëm. Ky ligj vendos një pabarazi përballë ligjit, të pronarëve të ligjshëm. Sipas këtij ligji, qeveria pretendon se nëse keni patur 1000 m2 në 45-ën, sot merrni vetëm 10 m2 edhe nëse toka është e lirë. Pra, shteti merr përsipër ta konfiskojë këtë pronë", tha Mediu.
Nga ana tjetër, komisioneri për zgjerimin në BE, Johannes Hahn, tha se problematika e pronës është e njëjtë në shumë vende europiane. "Mund të them se është një situatë e njëjtë me shumë vende europiane dhe është e rëndësishme që të gjejmë një zgjidhje të drejtë që adreson të drejtat e të kaluarës por edhe situatën aktuale. Duhet të gjeni një zgjidhje të duhur për t'i dhënë zgjidhje diskutimeve të ardhshme. Njerëzit e përfshirë, është i vogël krahasuar me efektin dhe dëmin shoqëror që njerëzit ndjejnë se po trajtohen jo në mënyrë të drejtë. Mund t'ju rekomandoj që të gjeni zgjidhje. Për momentin kam dëgjuar që kjo çështje është në gjykatë dhe gjykata duhet ta trajtojë në kohën e duhur pa humbur afatet".
Pollo: Ligji për RTSH, i njëanshëm. Peza: Zgjidh ngërçin
Kryetari i komisionit parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, deputeti demokrat, Genc Pollo, ngriti shqetësimin e ligjit të njëanshëm sipas tij, për zgjedhjen e drejtorit të RTSH. Ai kërkoi ndërhyrjen e Komisionit Europian për këtë çështje. "Dua të ngre shqetësimin e ligjit të mediave. Ndryshimi i njëanshëm i një ligji konsensual për transmetuesin publik kanë ndodhur, do të doja të dija nëse ka mundësi nga komisioneri, nëse është në planet e Komisionit që të ndihmohet më shumë Shqipëria, për këto probleme", tha Pollo.
Por, për deputetin socialist dhe njëherazi nënkryetar i komisionit të Medias, Alfred Peza, ligji i vjetër futi në ngërç drejtimin e RTSH. "Në lidhje me çështjet e lirisë së medias, është e vërtetë që kemi ngritur disa herë këtë shqetësim dhe kemi thërritur të gjithë aktorët e interesit në fushën e medias në Shqipëri, për të dëgjuar, ndihmuar dhe vepruar, në mënyrë që kjo çështje, vit pas viti, të kemi gradë më të madhe lirie në mediat shqiptare. Nisur nga rezoluta e fundit e PE, doja të theksoja që ka qenë iniciativë personale e një deputeti të mazhorancës, kemi qenë ne, që kemi kërkuar që kjo ndërhyrje të mos bëhej sepse shkonte kundër të gjithë frymës dhe praktikës europiane. Për ligjin konsensual, ligji ndryshoi pasi ky transmetues ndodhet prej 3 vitesh në krizë drejtimi. Ky ligj nuk arriti dot që të zgjidhë krizën e drejtimit të kësaj media dhe ndërhyrja nuk ishte e dëshirueshme, por mbeti e vetmja zgjidhje edhe në konsultë me aktorët lokal ndërkombëtarë", u shpreh Peza.
Bylykbashi: Sfidë për Shqipërinë, zgjedhjet demokratike
Për deputetin e PD, dhe njëherazi bashkëkryetar i komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, Oerd Bylykbashi, sfida më e madhe që ka Shqipëria sot janë zgjedhjet demokratike.
Sipas tij, është ende në pikëpyetje nëse në 2017-ën, vendi ynë do të zhvillojë zgjedhje të lira dhe në përputhje me standardet demokratike. "Shqipëria ka provuar në zgjedhjet e 2015-ës, se nëpërmjet sjelljes së tyre, autoritet bënë hapa pas. Në 2009-ën, OSBE/ODIHR i cilësoi zgjedhjet se kapën shumicën e standardeve, përfshirë ato kyçe. Në zgjedhjet e fundit, ODIHR ka dëshmuar me fakt korrupsionin zgjedhor, blerjen e votave me para", tha ai.
Deputeti demokrat theksoi se përpjekjet dhe fokusi i Bashkimit Europian duhet të jetë shumë i lartë, me qëllim që Shqipëria të ketë një parlament legjitim. Në përgjigje, komisioneri Hahn tha se për Kodin Zgjedhor, Shqipëria duhet të ndjekë rekomandimet e ODIHR. "Ata kanë shumë eksperiencë. Ata mund t'ju referohen dhe mund t'ju japin shumë shembuj e modele që ju mund t'i përdorni. Zgjedhjet e njohura dhe transparente janë pjesë e procesit për tu bërë anëtarë të BE. Do të adresohen si gjithmonë raportet tona në mënyrë të duhur. Ne nuk e fshehim opinionin tonë nëse duhet adresuar për një temë, apo një tjetër", tha ai.
Balla: Kur flasim për integrimin, t'i lëmë pas axhendat personale
Nënkryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit, deputeti socialist, Taulant Balla, u shpreh se për çështjen e integrimit duhen lënë pas axhendat personale. "Sa i takon çështjes së integrimit, secili prej nesh duhet të lerë jashtë kësaj salle axhendën personale. Me një lloj retorike që e kemi nesër ditën e asaj retorike, flasim për një gjë shumë të rëndësishme, reforma në drejtësi", u shpreh ai, duke theksuar gatishmërinë e mazhorancës për të vazhduar me opozitën dialogun në komisionin e reformës në drejtësi.
"Dhe siç e tha edhe komisioneri, përpara se të merrni lejen në verë, shqiptarët të kenë reformën në drejtësi", deklaroi ai.
Halimi: Kërkojmë respektimin e vendimeve të Kushtetueses
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike përsëritën kushtet e tyre për reformën në drejtësi, edhe në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, në prani të përfaqësuesit të lartë të BE, Johannes Hahn. "Komisionerin e kemi informuar se opozita ka kërkuar dialog politik për reformën në drejtësi, që ka të bëjë e tendencën e kapjes politike të sistemit. E kemi informuar për gatishmërinë e opozitës për të respektuar pikë për pikë rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ne kërkojmë respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuse në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kjo çështje është shtruar edhe në tryezën e paradites, por nuk morëm përgjigje..., morëm një përgjigje nga Kryeministri, për t'i ikur përgjegjësisë. Për këtë arsye jemi në këtë situatë, ku nga njëra anë përpiqemi të ndryshojmë kushtetutën, ndërsa nga ana tjetër shkelim Kushtetutën duke fshehur deputetët", tha Halimi.
Redaksia Online
Shqiptarja.com