TIRANË- Rudina Hajdari e ka nënshkruar marrëveshjen për Reformën Zgjedhore, si anëtare në Këshillin politik, megjithatë ka deklaruar hapur se nuk do ta votojë në parlament, me argumentin se nuk është një Reformë. E ftuar në "Përballë" në RTSH, Hajdari shprehet se do ta firmoste sërish po t'i jepej mundësia, por thekson se ajo nuk ka arriitur asgjë konkrete, për këtë arsye nuk do të ketë mbështetjen e saj në Kuvend.

Për të, mos ndryshimi i sistemit, për të cilën opozita e re ka këmbëngulur dhe vazhdon ta bëjë, i jep të drejtë moralisht që të mos të ngre kartonin jeshil në parlament.

"Marrëveshjen do ta firmosja prapë me kënaqësi. Dhe për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj në mënyrë të drejtpërdrejtë, jo sepse nuk do të votoja një marrëveshje e cila nuk është reformë. Nëse do të vijë një reformë në Parlament e cila përfshin po ashtu dhe ndryshimin e sistemit, minimumi listat e hapura atëherë patjetër që do ta votoja pro. Por nëse ne jemi në kushtet që kemi një marrëveshje e cila nuk quhet reformë pra nuk ka se si të jetë e gjithëplotësuar. Ka disa elementë të cilët unë i kam mbështetur prej fillimit siç është identifikimi biometrik, që është i rëndësishëm por nuk është i plotë, pjesa tjetër qoftë dhe administrimi i zgjedhjeve kemi ngelur në vend numëro. Çka do të thotë për mua kjo marrëveshje nuk është që arriti ndonjë gjë masive, përkundrazi tregoi që palët janë të pamundura për të gjetur një gjuhë të përbashkët dhe për t'i orientuar këtë reformë, këtë marrëveshje benefitet që mund të kenë njerëzit gjatë zgjedhjeve. Unë do ta nënshkruaja atë me shumë kënaqësi edhe sot. Nuk kam asnjë lloj pendimi që e kam nënshkruar, sepse nënshkrimi është një hap përpara votimit. Me atë marrëveshje po të shikosh, fjalia e fundit aty thuhet që palët nuk kanë patur konsensus për ndryshimin e sistemit. Kjo më jep të drejtë moralë që unë ta votoj kundër", tha Hajdari.

Nga ana tjetër, e pyetur se ku e sheh veten në fushatën e ardhshme, Hajdari tha se do të jetë në zgjedhje, duke kandiduar, por pa dhënë shumë detaje se nën siglën e cilës parti.

"Në zgjedhje, duke kandiduar, më beso që në momentin që do të bëhet ajo listë, me njerëz të aftë dhe që e duan këtë vend. Çdo njeri që do kem rreth vetes time nuk do të jetë një njeri që do ndihmojë Rudinën në karrierë", u shpreh ajo.