TIRANE-Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim dhe i delegacionit të BE-së Luigi Soreca nuk arrijnë që të bindin tre kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës në Kuvend për të votuar reformën zgjedhore që u firmos mbrëmë nga palët politike, PS, PD, LSI, por edhe përfaqësuesja e opozitës Rudina Hajdari. Vetëm pak orë pas arritjes së marrëveshjes për Reformën Zgjedhore, Yuri Kim dhe Luigi Soreca bënë hapin e radhës për ta finalizuar duke thirrur opozitën parlamentare në rezidencën amerikane për ta bindur që të votojnë draftin konsensual në Kuvend.

Në takimin që zgjati 90 minuta paraditen e sotme ishin tre kryetarët e grupeve parlamentare, Myslim Murrizi i grupit Demokrat, Nimet Musai i grupit të Pavarur, Edmond Stojku i grupit “Demokraci dhe Drejtësi”, por edhe Rudina Hajdari, që është pjesë e Këshillit Politik që firmosi mbrëmë paktin dhe Ralf Gjoni. Rudina Hajdari ishte e para që shkoi në rezidencën amerikane, më pas ishin kryetarët e grupeve dhe Ralf Gjoni.

Pas takimit, tre kryetarët e grupeve parlamentare dolën bashkë nga rezidenca amerikane nga të cilët foli Myslim Murrizi, i cili prerë dhe qartë u shpreh se reformën zgjedhore, 39 deputetët e opozitës në Kuvend nuk do ta votojnë pa u plotësuar kushtet e tyre, depolitizimi i administratës zgjedhore, listat e hapura dhe votën e emigrantëve. Ndërkohë që Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni nuk dhanë asnjë prononcim për mediat. Rudina Hajdari e firmosi dje marrëveshjen me argumentin se mori fjalën e SHBA-së për sistemin elektoral në fazën e dytë të diskutimeve, por kryetari i grupit demokrat Myslim Murrizi dhe deputetë të tjerë nga opozita parlamentare kanë deklaruar se nuk do ta votojnë draftin, pasi sipas tyre nuk plotësoi kushtet e tyre. 

Përballë faktit se në Kuvend duhen 84 vota, që shumica socialiste nuk i ka e vetme për ta miratuar dhe letrës që i dërguan pak ditë më parë, ambasadorja i dëgjoi sot përfaqësuesit e opozitës për t'i bindur për të mos kundërshtuar Reformën Zgjedhore, por nuk ia arriti qëllimit. Skema ishte e njëjtë me atë që ndodhi përpara votimit të Reformës në Drejtësi në korrik 2016, kur asokohe ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu, zhvilloi takime me disa prej deputetëve të PD-së për t'i bindur që të votonin, rezultati; 140 vota pro. Ndërsa këtë herë nuk dihet nëse do të ketë një tjetër tentativë nga ndërkombëtarët apo marrëveshja do të kalojë me votën e deputetëve të tjerë në Kuvend që janë jashtë tre grupeve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:19
Ishte në takim me ambasadoren e SHBA-së, Stojku për Report Tv: Çfarë na kërkoi Kim dhe qëndrimi ynë! Turp për ata që e votojnë

Kryetari i grupit “Demokraci dhe Drejtësi” Edmond Stojku në një prononcim për Report Tv rrëfeu detajet e bisedës me ambasadoren amerikane dhe të BE-së. Ai tha se janë të vendosur për të mos e votuar këtë reformë, pa u plotësuar kushtet e tyre.

Prononcimi për Report Tv i grupit “Demokraci dhe Drejtësi” Edmond Stojku
Zoti Stojku, cili ka qenë fokusi i diskutimeve, cfarë folët me ambasadoren e SHBA-së?
Nuk shkova si deputet Edmond Stojku, por si kryetar grupi, që përbëhet nga 10 anëtarë dhe kam dhënë mendimin e të gjithë grupit. U diskutua për reformën zgjedhore dhe një konsensus nga komiteti politik. U kërkua konsensus nga tre kryetarët e grupeve, duke përfshirë Ralf Gjonin dhe Rudina Hajdarin. Tryeza ishte konkrete, e saktë në bisedime.

Cfarë u kërkoi ambasadorja?
Ne shkuam për të folur dhe nuk ishte ambasadorja që duhet të shtronte kërkesat. Ajo mori mendimet tona. Ne të tre dhamë mendimet tona konkrete për reformën zgjedhore. Konkluzioni ishte, që legjitimiteti i reformës zgjedhore është në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore. Komisioneret politikë nuk duhet të jenë më pjesë e procesit zgjedhor dhe u deklarua nga të tre në unison të plotë që të hapen listat, kandidati për deputet të emër dhe mbiemër.

A mendoni se nuk do të ketë përçarje në momentin e votimit të reformës?
Këtu bëj me dije se saktësia është e jashtëzakonshme, sepse në parlament grupi socialist ka 77 vota dhe nëse trafikimi i votave fillon nga parlamenti, nuk e di a do të ketë më njerëz që të besojnë këtë qeveri, që ndoshta me arrogancë do të mundet që të trafikojë apo vjedhë do të bëjë 84 vota për të kaluar këtë reformë. Atëherë kjo qeveri dhe kjo opozita jashtë parlamentare do i vendosin njollën vetes se këtu nuk bëhen zgjedhje të lira, nëse trafikimi fillon nga parlamenti, imagjino te qytetari.

Por a keni garanci?
Ne kemi garanci, në këtë që të thashë, por më pas ai që ka firmosur që para një viti për ndryshimin e sistemit dhe ndryshon qëndrimin për këtë reformë në ditët e fundit, turpi qoftë me të. Qeveria do ta ketë shumë të vështirë të bëjë këtë kalim, do të jetë turpi i saj i përjetshëm.

Cili do të jetë hapi i radhës i opozitës parlamentare?
I kemi menduar hapat me kohë që kur kemi hyrë sepse ne njohim institucionet. Me konsensus cuam përfaqësuesen tonë aty që të jepte mendimet

Por në fakt e ka firmosur marrëveshjen
E dimë që e ka firmosur, por të jesh e sigurt që 90% as ajo nuk do ta votojë këtë marrëveshje, ndoshta e detyruar nga kushtet dhe shkaqet. Ne e takuam Hajdarin, kemi respekt për mënyrën e saj si prononcohet me mediat dhe grupet dhe kemi besim se nuk do të bëjë pis figurën e saj për të voruar pro një reformë që nuk i shërben as Shqipërisë dhe as shqiptarëve.

Stojku u kujtoi 38 deputetëve të opozitës në Kuvend letrën që i dërguan Komisionit të Posaçëm në parlament të Reformës Zgjedhore vitin e kaluar ku i kërkuan ndryshimin e sistemit. Por pritet për t'u parë nëse deputetët do të qëndrojnë të palëkundur në kërkesat e tyre apo do të ketë rrjedhje votash.

Deputetet e opozites ne Kuvend qe firmosen vitin e kaluar kerkesen per ndryshimin e sistemit
Ora 11:28
Opozita parlamentare del nga shtëpia amerikane, Murrizi: I thashë ambasadores s'e votojmë reformën zgjedhore, kemi tre kushte

Në përfundim të takimit me ambasadorët e SHBA-BE-së, Myslim Murrizi deklaroi se vota e 39 deputetëve të opozitës në Kuvend do të jetë kundër kësaj marrëveshje, pasi nuk janë plotësuar tre kushtet e tyre. Murrizi tha se takimi me ambasadoren e SHBA-së ishte miqësor.

Deputeti demokrat u shpreh se ambasadores i bënë të ditur qëndrimin e tyre se reformën zgjedhore nuk do ta votojnë pa u plotësuar tre kushtet e tyre. 

"Ishte një takim miqësor mes ambasadores amerikane dhe zotit Soreca, ku në emër të tre grupeve parlamentare të opozitës shprehëm qartë dhe prerë votën tonë kundër të pazarit të pistë të atyre që kanë marrë peng zgjedhjet prej 25 viteve në Shqipëri dhe që kanë dhunuar kutitë e votimit me militantë partiakë. Nuk vendosëm asnjë kusht. 

U thamë nuk votojmë asnjë lloj pazari të dosjes 184 të Petrit Vasilit dhe militantëve të tjerë. Kërkojmë listat e hapura, administratë zgjedhore jo politike ndryshme nuk votojmë të 39 deputetët, asnjë shtesë tjetër. Nuk e mora vesh se cfarë kërkoi (ambasadorja) nuk i lamë hapësirë kërkesave të saj.

Ne kishim shkuar për të shprehur gëndrimin tonë korrekt të palëkundur në firmat e 39 deputetëve të opozitës, nuk votojmë asgjë në parlament jashtë asaj që kemi kërkuar prej 15 muajsh në parlament; administratë zgjedhore, lista të hapura dhe votë emigrantësh" tha Murrizi.

Nimet Musai dhe Edmond Stojku nuk folën për mediat, po ashtu as Rudina Hajdari me Ralf Gjonin.

Ora 11:25
Përfundon takimi i ambasadorëve të SHBA-BE me opozitën parlamentare

1591435716_1591435702murrizi.jpg

Përfundon takimi i opozitës parlamentare me ambasadoren e SHBA-së dhe të BE-së në rezidencën amerikane. Takimi zgjati për rreth 90 minuta, në qendër të së cilit ishte reforma zgjedhore. Ambasadorët u kanë kërkuar kryetarëve të grupeve të opozitës në parlament që të votojnë ndryshimet që u bënë në reformën zgjedhore.

Ora 11:13
Mbrëmë u arrit pakti! Sot Këshilli Politik mblidhet sërish, do përkthejnë tekstin e marrëveshjes

Pasditen e sotme në orën 18:00 këshilli politik do të mblidhet sërish. Mbledhja do të realizohet me qëllim së pari që teksti i marrëveshjes në versionin anglisht që u firmos mbrëmë të përshtatet në gjuhën shqipe dhe të plotësohet kuadri i plotë ligjor me ndryshimet ligjore për t'u votuar më pas në Kuvend. Teksti i marrëveshjes u formula nga ndërkombëtarët në gjuhën angleze që tregon edhe rolin e tyre determinant dhe palët hodhën firmën. Deri tani nuk është konfirmuar pjesëmarrja e ambasadorëve në këtë mbledhje, por vetëm e anëtarëve të këshillit politik.