Konstitucionalisti Shkëlqim Hajdari ka folur për listat e hapura dhe ndryshimet kushtetuese që u vendosën sot në Kuvend dukë thënë se këto patën një procedurë përmes sondazheve ku shqiptarët kërkuan në masë hapjen e listave por edhe diskutimeve në Këshillin Politik.

I ftuar në emisionin "Repolitix" në Report Tv, Hajdari tha se hapja e listave i bën partitë më demokratike dhe kjo është në dobi të shqiptarëve. Ai foli edhe në lidhje me koalicionet parazgjedhore që me hapjen e listave ndryshojnë formën e tyre përmes listave të përbashkëta. Sipas Hajdarit kjo është gjëja më normale që ndodh, madje edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Për Hajdarin të vetëm ndryshime kushtetuese që ndodhën në errësirë të plotë dhe dëmtuan demokracinë e vendit ishin ato të vitit 2008.

"Në 2008 dy partitë e mëdha pa asnjë diskutim dhe konsulencë politike ndryshuan kushtetutën pa asnjë lloj procesi, ndryshime që rrënuan demokracinë në vend. Ndërsa këto ndryshime në një farë mënyrë e patën një procedurë pasi pati diskutime në publik e më pas në këshillin politik. Në sondazhet e pavarura shqiptarët kërkojnë hapjen e listave dhe kjo duhet të përshëndetet, kjo i bën partitë me demokratike. Në lidhje me koalicionet politika duhet të shmang retorikat dhe të jap fakte konkrete. Kosova dhe Maqedonia e Veriut  i kanë koalicionet parazgjedhore si mendohet të bëhet këtu me ndryshimet kushtetuese që kaluan në kuvend. Opozita të sillte një model të një vendi sipas koalicioneve që do opozita e bashkuar", tha Hajdari.