Pas shembjes së Teatrit Kombëtar dhe përplasjeve të shumta mes protestuesve e policisë ka reaguar edhe deputetja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari.

Ajo është shprehur se Teatri është prishur në marrëveshje të plotë mes qeverisë në pushtet dhe opozitës. Hajdari thotë se sikur mos të mjaftonte stresi i pandemisë, qytetarëve iu shtua stresi me këtë ngjarje, ku Rama dhe Veliaj nuk pyetën.

Politikën shqiptare gjatë 30 viteve ajo e ka cilësuar si një teatër tjetër me trupë aktorësh, ku ditën bëjnë sikur zihen e natën jetojnë të lumtur në resortet e tyre luksoze.

Ajo ka shtuar se janë shkelur disa dimensone, ku së pari u shkel ligji për pushtetin vendor se vendimi s'kishte hyrë në fuqi dhe është marrë në kundërshtim me procedurat që janë përcaktuar për vendimarrje online gjatë periudhës së pandemisë dhe së dyti tjetërsimi i një monumenti kulture të cilësuar e tillë nga 'Europa Nostra', e cila e  shpalli si një nga 7 godinat që duheshin ruajtur.

"Sikur të mos mjaftonte stresi që po kalojnë qytetarët si pasojë e COVID-19 ku prej dy muajsh janë të izoluar në shtëpi, kanë mbyllur bizneset kanë humbur të ardhurat e janë në pasiguri të plotë për të ardhmen. Sot qeveria vendosi të shtojë stresin duke shembur me dhunë në shkelje të disa ligjeve godinën e Teatrit Kombëtar. Së pari shkelja është në disa dimensone ku së pari u shkel ligji për pushtetin vendor se vendimi s'kishte hyrë në fuqi dhe është marrë në kundërshtim me procedurat që janë përcaktuar për vendimarrje online gjatë periudhës së pandemisë. Së dyti tjetërsimi i një monumenti kulture të cilësuar e tillë nga 'Europa Nostra', e cila e  shpalli si një nga 7 godinat që duheshin ruajtur, por Rama dhe Veliaj nuk pyetën. Ata duhet të mbajnë përgjegjësi një ditë. Kemi edhe korin e atyre që marrin betejën e qytetarëve", ka thënë Hajdari.

Reagimin e opozitës dhe qëndrimit në protestë ajo e ka cilësuar një veprim përfitues, të cilët kanë marrë gjithë betejën e pastër të qytetarëve.

"Ata opozitën e bëjnë për të përfituar edhe kur janë në pushtet. Duhet ta kishim ruajtur që mos ta harrojmë se si ka qenë arti shqiptar. Gjermania ka shndërruar në muze edhe sh-kampet e përqendrimit, të cilat janë simboli i më të keqes që ka parë e gjithë bota. Sot kush ka sy ka parë qartë një teatër tjetër që është vënë në skenë 30 vite nga të njëjtët aktorë. Klasa jonë politike teatrale që ditën bëjnë sikur zihen e natën bashkohen në resortet e tyre luksoze ku jetojnë të lutur së bashku. Teatri u prish në marrëveshje të plotë mes tyre.", është shprehur Hajdari.