Hajdutët, ku dhe si duhet
të ruhemi në kryeqytet

TIRANË - Një ushtri e tërë hajdutësh gëlon rrugëve të qytetit më të madh të vendit, Tiranë. Hajdutët e xhepave, çantave, shtëpive e makinave.
Kryekomisar Taulant Kondi, është shef i Sektorit te Hetimit dhe Parandalimit të Krimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Ai tregon hartën e zonave të rrezikshme, ku “mbretërojnë” hajdutët e të gjitha markave. Por jep edhe këshilla se ç’duhet të bëjnë vetë qytetarët për tu mbrojtur nga vjedhësit. Kondi flet për luftën e përhershme dhe masat për parandalimin dhe kapjen e hajdutëve, por apelon që banorët të denoncojnë dhe ti qëndrojnë deri fund denoncimit, për ta ndëshkuar hajdutin.

Pyetje - Cilat janë zonat më problematike për vjedhjet në kryeqytet?
Taulant Kondi – Dua të flasim së pari për vjedhësit e xhepave, apo që rëndom quhen xhepista. Për këtë kategori, zonat më problematike janë stacionet e autobuzave, kryesisht Kamëz–Institut–Tiranë, linja Kinostudio–Kombinat dhe unaza. Mandej janë tregjet. Por kemi problematikë në këtë fushë edhe në radhët që krijohen në spitale, që do të thotë zgjidhen nga vjedhësit e kësaj kategorie njerëzit që presin në spital qoftë tek reparti i vizitave, ekot apo edhe tek grafitë.

Pyetje - Po për vjedhjet e tjera cilat janë zonat më problematike?
Taulant Kondi - Atëherë po flasim për vjedhjet e banesave. Kemi kryesisht banesat në zonat e reja të Tiranës si Bathore Kamëz, Yzberisht, Rruga “Njazi Meka”, zona e Qesarakës, në zonën e Farkës e kam fjalën për zonën e apartamenteve që ndodhen përreth zonës Kodra e Diellit për shembull. Por janë edhe pallatet e vjetra që nuk kanë sigurinë e duhur. Tek apartamentet e reja, vetë banorët kanë zgjedhur një mënyrë parandalimi siç është vendosja e kamerave, portave të mëdha në hyrje të pallatit apo shërbimet private. Kjo konsiderohet një masë sigurie e domosdoshme që mendoj se duhet të kryhet nga kushdo. Sipas një sondazhi të kryer nga policia e Tiranës, nga Seksioni i Kordinimit të Hetimit dhe Parandalimit të Krimit në varësi të këtij Sektori dhe Seksionit të Analizës së Informacionit kriminal, pjesa më e madhe e vjedhjeve si ngjarje ndodhin në mesjavë dhe fundjavë. Sondazhi u krye në bazë të kallzimeve të qytetarëve. Por piku i vjedhjeve të banesave ndodh përgjatë sezonit veror, nga qershori deri në gusht, kryesisht mesjavë apo në fundjavë, siç e përmenda më lart. Orët më të përshtatshme janë ato të paradites dhe gjatë natës për banesat e kateve të ulëta. Ndërsa gjatë sezonit veror është e vështirë të konstatosh se kur ka ndodhur vjedhja për shkak të mos konstatimit në kohë të tyre.

Pyetje- Çfarë mekanizmi ndiqet për vjedhjet e banesave?
Taulant Kondi - Vjedhja klasike është ajo duke thyer bravën, zakonisht kjo ndodh për banesat e vjetra, pra ato që kanë një lloj çelësi të njohur si “çelësi petë” e ndihmuar kjo nga vënia në përdorim te nje çelësi të quajtur “Ekzagon”, jo për ato dyer që kanë çelësin me dhëmbëza te mëdha. Mekanizmi tjetër është hapja nëpërmjet kartave të telefonit, kjo ndodh për ata qytetarë që tërheqin derën, por nuk e mbyllin me celës. Gjithmonë këtu po flasim për banesat me dyer të blinduara. Vjedhja në rastet kur shtëpia mbyllet me tërheqje dere dhe nuk shoqërohet edhe me mbyllje me çelës vjedhja ndodh me karta telefoni, krediti, ose film grafie apo me pjesën plastike të bidonave të ujit apo të pijeve freskuese. Më pas është vjedhja tradicionale me thyerje, pra me dëmtim dritaresh apo thyerje me forcë të derës së thjeshtë. Kemi patur edhe raste kur persona që prezantoheshin si shpërndarës të fletëpalosjeve për reklama të ndryshme në të vërtetë ishin hajdutë. Theksoj që qytetarët duhet të kenë më shumë kujdes nga njerëz te panjohur apo persona te tillë që në të vërtetë nuk i njohin. Perfitoj nga rasti tu bëj apel qytetarëve që dera kryesore nuk duhet lënë në asnjë mënyrë hapur, përshembull në rastet e amvisave që për disa çaste lënë derën kryesore hapur për të vijuar me punë të tjera të shtëpisë. Kjo gjë duhet evituar. E dyta, dera nuk i hapet kujtdo i cili mund të jetë një hajdut që është duke ju mashtruar në format e kërkimit të një adrese apo forma të tjera. Gjithashtu ju kërkojmë ndihmë institucioneve të tjera për të kryer ndriçimin e rrugëve problematike siç janë rruget dytësore apo brenda lagjeve.

Pyetje - Për çfarë rrugësh e keni fjalën?
Taulant Kondi – Për shembull rrugicat ne rrugën e Kavajës. Rruga “Myslym Shyri”, rrugicat e Komunës së Parisit, blloku “Vasil Shanto”, “Ali Demi” etj. Kërkojmë këtë masë sepse ndriçimi influencon në reduktimin e këtij lloj krimi.

Pyetje - Rrugët e pandriçuara doni të thoni që janë vende ku ndodhin më shumë vjedhje?
Taulant Kondi - E kanë pikun ngjarje të tilla në fillim të errësirës.Vjedhësit sulmojnë në raste të tilla, kryesisht femra qe mbajnë çanta apo që kanë bizhuteri të ekspozuara, kryesisht varëse. Por këto sulme ndodhin me së shumti në fillim rrugice, ndoshta kjo zgjidhet nga vjedhësit si vendi më i mirë për të ngritur një grackë.

Pyetje - A mund te na ilustroni me shembuj zonash?
Taulant Kondi – Përshembull, hyrja e rrugicës në tregun çam, rrugicat përreth stadiumit Dinamo, rrugicat në tregun elektrik apo rrugicat në zonën e Don Boskos, blloku Vasil Shanto, rrugicat rreth shkollës Petro Nini Luarasi, Ali Demi e të tjera. Ndërsa tek Komuna e Parisit, ndiqej mekanizmi i vjedhjes së çantave me motorr.

Pyetje – Nuk mund të parandalohen këto vjedhjet me motorr?
Taulant Kondi – Ne kemi shumë raste të evidentuara dhe falë një pune të mirë kordinuese mes sekionit të kordinimit të hetimit dhe parandalimit të krimit, i cili duke evidentuar raste për mekanizmin e kryerjes së tyre ka kordinuar veprimet me qëllim dokumentimin ligjor të veprimtarisë kriminale të këtyre individëve dhe grupeve të përfshira në këtë aktivitet kriminal. Falë kësaj pune mund të përmendim rezultatet e mira në këtë drejtim nga Komisariati i Policisë Nr.1, 2, 3 dhe 4.
Krahas kësaj një bashkëpunim më i mirë duhet dhe me qytetarët kryesisht personat e dëmtuar të cilët për shkak të traumës që pesojnë për momentin dhe ndoshta frikës mjaftohen thjesht me një njoftim në polici pa dashur te bëjnë kallzim për ndjekjen në rrugë ligjore. Gjithashtu një bashkëpunim kërkohet dhe me vetë qytetarët e thjeshtë të cilët duhet të njoftojnë në numrat e policisë kryesisht 129 për çdo informacion që ata kanë për lëvizje të dyshimta në lagjet ku ata banojnë të individeve të ndryshëm të përfishirë në këtë lloj aktiviteti kriminal. Por kryesore është denoncimi nga qytetarët sepse ata nuk i shkojnë deri në fund një kallzimi, qytetarët ose mjaftohet me një njoftim ose nuk denoncojnë fare. Kjo gjë shkakton një mos dokumentim të ngjarjes në fjalë.

Pyetje – Po vjedhja e makinave në ç’përmasa është?
Taulant Kondi – Edhe vjedhja e makinave është shqetësuese. Veçanërisht metoda më e fundit kur një qytetar në treg, nga nxitimi, mund ta lërë makinën hapur dhe ky rast nuk u shpëton hajdutëve. Qytetarët duhet te kenë kujdes në këtë pikë, ata nuk duhet ta lënë mjetin pa e siguruar mirë. I them këto sygjerime për shkak se secili nga ne duhet të jetë më i ndërgjegjësuar dhe të marrë paraprakisht masa parandaluese.

Pyetje - Çfarë kategorie automjetesh vidhen më së shumti?
Taulant Kondi - Benzi i vjeter 200-250 dhe pastaj së fundmi ka nisur edhe benx 190, golf 2 dhe 3 dhe ford.

Pyetje - Cilit grup moshe i përkasin këta autorë vjedhjesh?
Taulant Kondi - Shumica janë të rinj, fillojnë e pakta nga 16 deri 25 vjeç. Janë kategori të rinjsh të ardhur në Tiranë, me probleme sociale, arsimore por edhe me familje me probleme. Por ka edhe një kategori që janë përdorues droge.

Pyetje – Nëse flasim me statistika, cila janë rezultatet e veprimit të policisë?
Taulant Kondi – Për 10 muajt e fundit, për vjedhje banesash janë arrestuar 34 shtetas, prej të cilëve ka patur edhe arrestime në flagrancë. Ndërsa nga Janari deri në Mars të këtij viti për vjedhje makinash janë arrestuar 22 persona, disa prej tyre qe vepronin në formën e grupit, dhe disa qe vidhnin edhe vetëm. Ndërsa për vjedhësit e çantave kemi 39 raste të kallzuara për këto tre muaj, në total 19 të rinj të arrestuar për këtë kategori. Vetëm për marsin për vjedhje çantash kemi shtatë autorë të arrestuar.
Duhet të mbajmë parasysh që qytetarët duhet ti shkojnë deri në fund kallzimit të tyre dhe gjithashtu Theksoj masën që vetë qytetarët duhet të marrin, ata duhet të evitojnë qarkullimin në rrugicat e pandriçuara, si dhe të kenë kujdes nëse u afrohen motoçikleta. Në kuadër të masave duhet përmendur fakti se në shumë nga këto zona, është duke u bërë dhe monitorimi 24 orë me sistemin e kamarave të cilat janë një ndihmë shumë e madhe në parandalimin, identifikimin dhe kapjen e autorëve të veprave penale. Krahas përkushtimit dhe rritjes së profesionalizmit te policisë për tu përballur me këto fenomene kërkohet një ndergjegjësim nga qytetarët për tu sensibilizuar vetë në parandalim por edhe të kenë bashkëpunim më të madh me policinë.

(aq/IDEAshqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Bie nga lartësia e pallatit në Tiranë, dërgohet te Trauma! Nuk dihen shkaqet

Bie nga lartësia e pallatit në Tiranë, dërgohet te Trauma! Nuk dihen shkaqet