TIRANË, 15 Nëntor/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Policia e Shtetit, në bashkëpunim me OSHEE, arrestuan 21 persona gjatë ditës së djeshme në kuadër të operacionit "Hajdutët e Energjisë".
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, mësohet se në të gjithë vendin kanë vepruar 140 grupe të përbashkëta Polici - OSHEE (Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike). Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren, në abonentët biznes dhe familjarë, janë arrestuar 21 persona, të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike dhe shpërdorim detyre.
Policia gjithashtu ka shpallur në kërkim 11 persona . Nga të arrestuarit, 3 janë punonjës të OSHEE, me detyrë elektriçist në Elbasan, 15 janë pronarë biznesesh dhe 3 janë abonentë familjarë.
Po ashtu, mësohet se janë kryer kontrolle të përbashkëta me OSHEE në 2.100 raste, si dhe janë ndërprerë 1.338 lidhje të paligjshme të energjisë dhe abonenteve debitorë.
Gjatë ditës së sotme e në vazhdim puna e uniformave blu dhe OSHEE do intensifikohet më tej pëmes shtimit të grupeve të përbashkëta të punës, me qëllim kontrollin e çdo abonenti biznes e familjar sipas zonave të kontrollit. Policia e Shtetit dhe OSHEE garantojnë që nuk do ta ndërpresin punën deri në eliminimin e çdo lidhje të paligjshme dhe çdo abuzimi me energjinë elektrike. /a.ke/









