Një grup hakerësh të lidhur me regjimin iranian ka arritur të nxjerrë jashtë funksionit për katër ditë një central elektrik në Britaninë e Madhe, në atë që konsiderohet sulmi kibernetik më i suksesshëm i këtij lloji ndaj infrastrukturës energjetike britanike, sipas një raportimi të "The Telegraph".

Gazeta britanike, duke cituar burime, shkruan se sulmi ndodhi muajin e kaluar, në të njëjtën periudhë kur infrastruktura ujore në 12 shtete amerikane u godit nga një seri sulmesh kibernetike, duke shkaktuar shqetësim edhe në Shtëpinë e Bardhë.

Autoritetet britanike nuk kanë bërë të ditur se cili central u sulmua, duke argumentuar se informacioni nuk publikohet për arsye sigurie. Megjithatë, mësohet se objekti ishte një central i vogël dhe se ndërprerja katërditore nuk ndikoi në furnizimin e përgjithshëm me energji elektrike në Britani.

Pas incidentit, qeveria britanike informoi drejtuesit e kompanive energjetike dhe u dërgoi udhëzime bizneseve mbi masat që duhen marrë për t'u mbrojtur nga sulme të ngjashme.

Rasti iu raportua edhe Qendrës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike (NCSC), pjesë e agjencisë britanike të inteligjencës GCHQ, e cila mbikëqyr mbrojtjen e infrastrukturës kritike nga kërcënimet e huaja.

Sipas raportimit, besohet se është hera e parë që hakerë të lidhur me Iranin arrijnë të bllokojnë funksionimin e një centrali elektrik në Britani.

Burime të cituara nga "The Telegraph" thonë se qëllimi i sulmit nuk mendohet të ketë qenë dëmtimi i popullsisë, por demonstrimi se grupet e lidhura me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit janë në gjendje të depërtojnë në sistemet britanike dhe të ndërpresin funksionimin e infrastrukturës së ndjeshme.

Sulmi nuk u vu re gjerësisht nga publiku, pasi centrali i prekur ishte një njësi me kapacitet të vogël, të cilat zakonisht aktivizohen vetëm kur rrjeti ka nevojë për energji shtesë.

Në muajt e fundit, agjencitë britanike dhe amerikane kanë paralajmëruar vazhdimisht për rrezikun që paraqesin sulmet kibernetike nga grupe të lidhura me Rusinë, Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut. Sipas autoriteteve amerikane, sulmet ndaj impianteve të trajtimit të ujërave në SHBA, që prekën 12 shtete, dyshohet gjithashtu se e kishin origjinën në Iran.

"The Telegraph" shkruan se aktiviteti kibernetik i Iranit është intensifikuar pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, veçanërisht pas sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj objektivave iraniane në muajin shkurt.