Hakerët pengojnë regjistrimin e popullsisë të Maqedonisë së Veriut

Hakerët pengojnë regjistrimin e popullsisë të Maqedonisë së Veriut

Foto ilustruese

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut mund të zgjasë edhe për një kohë, pasi sipas Entit të Statistikës, ka ngecje të procesit në terren nga regjistruesit që kryejnë këtë operacion statistikor, që ka nisur më 5 shtator e që duhet të përfundojë të enjten, më 30 shtator.

Përmes një komunikate për media, Enti i Statistikës, që po realizon regjistrimin e popullsisë, pranon se ky proces për të paktën pesë ditë ishte në shënjestër të sulmeve të hakerëve që penguan regjistrimin në terren.

Deri në hënën, më 27 shtator, janë regjistruar afër 1.7 milion banorë rezidentë dhe rreth 200,000 jorezidentë, apo shtetas që jetojnë jashtë Maqedonisë së Veriut për më shumë se një vit.

Nëse në dy ditët në vijim konstatohet se regjistrimi nuk mund të përfshijë gjithë popullatën, atëherë do të kërkohet zgjatja e procesit.

"Gjithçka varet nga puna e regjistruesve në terren, por edhe nga sjellja e qytetarëve. Nëse përfundojnë me kohë, atëherë mund të themi se procesi ka përfunduar me sukses, dhe nëse jo, atëherë ne jemi këtu për të kërkuar nga autoritetet kompetente që të zgjasin afatin e regjistrimit për aq ditë sa të jetë e nevojshme. Ne, thuajse pesë ditë nuk punuam për shkak të sulmeve të hakerëve dhe kjo na bëri të jemi nën presionin e kohës. Nëse është e nevojshme, ne do të kërkojmë që këto ditë të kompensohen”, thuhet në njoftimin e Entit Shtetëror të Statistikës.

Për vazhdimin e regjistrimit, duhet të vendos Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, përmes ndryshimeve në Ligjin për regjistrimin e popullsisë.

Për shkak të zgjedhjeve lokale, kuvendi ka ndërprerë punimet deri në përfundimin e zgjedhjeve, por kryeparlamentari, Talat Xhaferi thotë se në rast të nevojës, kuvendit mund të mblidhet dhe të votojë për zgjatjen e afatit të regjistrimit të popullsisë.

“Është një çështje e cila bazuar në kompetencat duhet të jetë propozim i qeverisë apo i deputetëve për ndryshimin e ligjit. Ligj qartë e përcakton se regjistrimit zgjat nga 5 deri më 30 shtator. Pra, duhet të ketë propozim për zgjatjen e afatit dhe për faktin se në kuvend kemi parti të ndryshme politike, ai propozim duhet të jetë i harmanizuar mes partive. Tani jemi në ditën e 28-të të regjistrimit dhe kemi dy ditë afat, dhe nëse ndodh të kemi propozim, ai duhet të bëhet brenda këtyre dy ditëve, para se të përfundojë afati ligjor”, ka deklaruar kryeparlamentari Xhaferi.

Ligjin për regjistrimin e popullsisë ishte miratuar me mbështetjen e të gjitha partive politike, me përjashtëm të partisë “E Majta”, e cila edhe tani e kundërshton regjistrimin, duke e vlerësuar si të dëmshëm për popullatën maqedonase dhe në favor të asaj shqiptare.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Maqedoninë e Veriut është bërë në vitin 2002 dhe sipas të dhënave zyrtare, vendi numëron rreth dy milionë banorë, prej të cilët rreth gjysmë milioni apo afër 25 për qind janë shqiptarë.

Regjistrimi ka rëndësi të madhe sa i përket përqindjes së popullatës, në veçanti asaj shqiptare, e cila të drejtat kombëtare i realizon në bazë të përcaktimit kushtetues, që shqiptarët i përkufizon si popullatë që përbëjnë mbi 20 për qind të popullatës në vend./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Bajram Begaj uron Krishtlindjet nga Mitropolia e Beratit: Ditë e shenjtë që simbolizon paqen, të reflektojmë për vlerat e njerëzimit dhe dashurinë!

Presidenti Bajram Begaj uron Krishtlindjet nga Mitropolia e Beratit: Ditë e shenjtë që simbolizon paqen, të reflektojmë për vlerat e njerëzimit dhe dashurinë!