Persona të panjohur kanë hakeruar transmetimet satelitore të televizionit shtetëror iranian,duke transmetuar aty disa pamje në mbështetje të Princit të Kurorës në mërgim Reza Pahlavi. Ata i kanë bërë gjithashtu thirrje forcave të sigurisë që të mos “i drejtojnë armët ndaj popullit”.

Pamjet e hakerëve u transmetuan në disa kanale satelitore të kontrolluara nga Islamic Republic of Iran Broadcasting, IRIB, transmetuesi shtetëror që ka monopolin e televizioneve dhe radiove në vend. Videoja përfshinte dy mesazhe të Pahlavit dhe forcave të rendit, e në grafikën shoqëruese shkruhej: “Ky është një mesazh për ushtrinë dhe forcat e sigurisë”. “Mos i drejtoni armët kundër popullit.Bashkohuni me kombin për lirinë e Iranit”!

Princi nga ana e tij pati përcjellë më herët një mesazh për ushtrinë, duke nënvizuar se: Ju jeni ushtria kombëtare e Iranit, dhe jo ushtria e Republikës Islamike. Koha juaj po mbaron, bashkohuni popullin sa më shpejt të jetë e mundur!

Sulmi kibernetik vjen në kohën kur bilanci i të vrarëve në protestave ka mbërritur në gati 4.000, edhe pse organizatat e drejtave të njeriut mendojnë se shifrat reale mund të jenë shumë më të larta se kaq.

Megjithatë ky nuk është i pari sulm kibernetik që shënon ndërprerjen e transmetimeve iraniane. Në vitin 1986, The Washington Post raportoi se CIA u furnizoi aleatëve të princit "një transmetues televiziv në miniaturë për një transmetim klandestin 11-minutësh" në Iran nga Pahlavi që piratoi sinjalin e dy stacioneve në Republikën Islamike.

Në vitin 2022, shumë kanale transmetuan pamje që tregonin udhëheqës nga grupi opozitar në mërgim Mujahedeen-e-Khalq dhe një grafik që bënte thirrje për vdekjen e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:44
Iran, bilanci i përplasjeve 3.919 të vdekur dhe 24.669 arrestime

1768573820_2c7544ab8ab04c508f65915c9ebd1e80.jpg.webp

Në ditën e 22-të të protestave në Iran, agjencia e lajmeve Hrana, e organizatës humanitare me të njëjtin emër me seli në Shtetet e Bashkuara, ka konfirmuar të paktën 3.919 të vdekur, ndërsa 8.949 raste të tjera janë ende nën hetim. Sipas të njëjtës organizatë, numri i arrestimeve ka arritur në 24.669, “ndërsa vazhdon bllokimi i internetit dhe ashpërsohet represioni”.

Por, sipas The Sunday Times, duke cituar një raport iranian, numri i të vdekurve në Iran nga shtypja e protestave do të ishte rreth 16.500. “Dëshmitarët – thuhet – tregojnë për brutalitetin e ushtruar ndaj atyre që marrin pjesë në protestat kundër regjimit”. Në raport përmendet edhe “errësira digjitale” lidhur me atë që po ndodh, e cila përkufizohet si “gjenocid”. Të paktën 330 mijë persona thuhet se kanë mbetur të plagosur, shumica prej tyre gjatë dy ditëve të një masakre të plotë, në shtypjen më brutale të regjimit klerikal në 47 vitet e ekzistencës së tij. Sipas Times, besohet se shumica e viktimave ishin nën moshën 30 vjeç.