Në Gjykatën e Posaçme është shtyrë këtë të martë seanca e parë gjyqësore ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Agim Ismaili dhe dy të tjerëve ish-punonjësi i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), Arnold Rrokaj dhe ish-zyrtari i burgut të Vlorës, Zambak Gjoni. Tre ish zyrtarët dyshohen se hakeruan dhe vodhën të dhëna nga kompjuterët  e 3 prokurorëve të SPAK.

Sulmi kibernetik ndaj SPAK ndodhi më 12 mars të vitit të kaluar. Sipas SPAK, hakerët tentuan të merrnin informacion nga kompjuterët e tre prokurorëve të posaçëm, Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini, por sipas Prokurorisë, nuk arritën të depërtojnë në sistemin e brendshëm të IT-së

Hakerët tentuan të ndërhyjnë edhe në emailin e Altin Dumanit, asokohe drejtues i SPAK, por nuk patën sukses falë masave të forta të sigurisë.

Akuzat penale për secilin të pandehur:
Arnold Rrokaj – “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”, “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Zambak Gjoni – “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Agim Ismaili – “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë