TIRANE- Qeveria ka vendosur të ndryshojë rregullat “Për Shërbimin e Provës”, i cili është një dënim alternativ për të burgosurit me shkelje të lehta. Drafti i propozuar nga Ministria e Drejtësisë tashmë ka nisur procedurat parlamentare. Projektligji për “Shërbimin e Provës”, përmban veprimtarinë e këtij institucioni; detyrat kryesore të institucionit; rregullat për detyrat e drejtorit të Përgjithshëm; dispozitat për punonjësit; rastet kur punonjësit e Shërbimit të Provës mund të jenë në konflikt interesi; kontaktet me të dënuarit; rregullat kur i dënuari ndryshon vendbanim dhe detyrimet për punonjësin e Shërbimit të Provës.

Veprimtaria e këtij shërbimi është shërbim publik që kryhet në interes të komunitetit dhe ka si qëllim rehabilitimin shoqëror të shkelësve të ligjit, uljen e rrezikut të përsëritjes së veprave penale dhe rritjen e sigurisë shoqërore. Në këtë Projektligj është synuar jo vetëm rregullimi ligjor i aktivitetit të Shërbimit të Provës, por është synuar edhe përcaktimi i detyrimeve të reja për punonjësit e këtij institucioni, të cilat kanë për qëllim garantimin e standardeve të përcaktuara në mbrojtje të të dënuarve.

Roli dhe detyrat 
Shërbimi i Provës, gjatë veprimtarisë së tij raporton pranë Prokurorisë dhe Gjykatës në përputhje me këtë ligj apo akte të tjera ligjore; përcakton mënyrën e zbatimit të alternativave të dënimit me burgim, duke synuar mbrojtjen e interesave publikë e të të dëmtuarve prej veprave penale dhe parandalimin e veprave penale; mbështet të dënuarit në kapërcimin e vështirësive në riintegrimin shoqëror para, gjatë dhe pas përfundimit të periudhës së provës.

Mbikëqyrja 
Punonjësi përgjegjës i Shërbimit të Provës harton programin e realizimit të mbikëqyrjes, të përshtatshëm me alternativën e dënimit me burgim të caktuar, brenda 15 ditëve kalendarike nga data e kontaktit të parë me të dënuarin. Programi hartohet në bashkëpunim me të dënuarin dhe bazuar në kushtin dhe detyrimet e ngarkuara në vendimin gjyqësor, informacionin e administruar gjatë të gjithë procesit, si dhe vlerësimin individual të të mbikëqyrurit. Në rastin e të dënuarve të mitur, në hartimin e programit mund të përfshihet edhe kujdestari ose përfaqësuesi ligjor, i caktuar në vendimin gjyqësor nëse kërkohet nga i mituri.

Programi i realizimit të mbikëqyrjes mund të ndryshohet në varësi të kushteve apo rrethanave që verifikohen gjatë procesit të mbikëqyrjes edhe me kërkesë të të dënuarit. Kur mendimi i të dënuarit nuk vlerësohet nga punonjësi përgjegjës i Shërbimit të Provës, veprimet e tij mund të kundërshtohen te drejtori i zyrës vendore. Drejtori i zyrës vendore mund të kërkojë informacion lidhur me hartimin dhe ndryshimin e programit të realizimit të mbikëqyrjes nga punonjësi përgjegjës i Shërbimit të Provës dhe të caktojë detyra për punonjësin e Shërbimit të Provës dhe të dënuarin.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)