Ylli i Kombëtares së Marokut, Achraf Hakimi, ka treguar besim të plotë te skuadra e tij përpara përballjes së madhe ndaj Brazilit në Kupën e Botës. Mbrojtësi i Paris Saint Germainit theksoi se në një turne të tillë nuk ka favoritë absolutë dhe se mbështetja e popullit maroken është një armë e fortë për ekipin.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, Hakimi vlerësoi cilësitë e përfaqësueses braziliane, por nënvizoi se Maroku ka potencialin për të bërë një tjetër paraqitje të madhe.
“E gjithë bota i njeh kualitetet e futbollistëve të Brazilit. Vinicius dhe pjesa tjetër e skuadrës kanë një nivel shumë të lartë. Megjithatë, ne kemi besim se do të zhvillojmë një ndeshje të madhe. I dimë cilësitë e tyre, por kemi mbështetjen e të gjithë Marokut. Në një Kupë Bote nuk ka favoritë, janë detajet e vogla ato që vendosin. Në Katar askush nuk besonte se do të arrinim aq larg”, deklaroi Hakimi.
Mbrojtësi maroken foli edhe për duelin e veçantë me shokun e tij të skuadrës te PSG-ja, Marquinhos, i cili do të jetë në anën tjetër të fushës.
“Kam shumë respekt për të. Të dy duam të fitojmë, por le të fitojë më i miri. Ne do të japim maksimumin për të gjithë Marokun. Ndihem krenar për gjithçka kemi arritur dhe jam i bindur se do të kemi mbështetje masive nga i gjithë vendi. E ndiejmë këtë mbështetje çdo ditë, madje edhe në hotel. Jemi një popull krenar”, u shpreh ai.
Në fund, Hakimi komentoi edhe situatën e Neymarit, duke pranuar se do të dëshironte ta shihte brazilianin në fushë.
“Neymar është një nga futbollistët më të mirë në botë dhe do të preferoja që të luante. Mund të jetë Botërori i tij i fundit dhe unë dua të përballem me më të mirët”, përfundoi mbrojtësi maroken.
Përballja mes Marokut dhe Brazilit do të luhet mesnatën mes të shtunës dhe të dielës në orën 00:00 me kohën në Shqipëri. Kjo sfidë vlen për Grupin C.
Komente






