Më 14 shtator 1998, në përfundim të ceremonisë mortore të organizuar nga Partia Demokratike në nder të të ndjerit Azem Hajdari, Ritvan Bode, një nga eksponentët e kësaj partie, e drejtoi kortezhin për në varrezat e Sharrës. Por fjalës së tij nuk iu bind askush. Arkivoli me trupin e Azem Hajdarit mori rrugën drejt Kryeministrisë.

Ceremonia mortore u shndërrua në protestë dhe më tej eskaloi në sulm të dhunshëm dhe të armatosur ndaj institucioneve kryesore të shtetit. Kryeministria, shumica e ministrive, televizioni shtetëror dhe të tjera institucione u pushtuan.

Kryeministri socialist Fatos Nano, i akuzuar nga opozita si urdhërues i vrasjes së deputetit Azem Hajdari, u largua nga kryeministria përpara pushtimit të saj, duke udhëtuar drejt vendit fqinj ish-Maqedonisë. E gjithë kjo ngjarje, e konsideruar rëndom si një grusht shteti i mirëfilltë i mbetur në tentativë, pavarësisht kohërave të kaluara, është parë si në njollë e zezë në historinë post-diktatoriale të Shqipërisë.

Por çfarë ndodhi realisht më 14 shtator 1998? Përmes pamjeve filmike që transmetohen për herë të parë, Report Tv do të përpiqet të afrojë këtë periudhë kohore për të parë nga afër rrjedhën e ngjarjeve, situatën politike që i prodhoi dhe zbardhur disa pikëpyetje.

Ishte 14 shtatori një situatë që doli nga kontrolli për shkak të zemërimit popullor për vrasjen e Azem Hajdarit apo gjithçka ishte e llogaritur dhe e dirigjuar me qëllim marrjen e pushtetit. Përse protestuesit u tërhoqën dhe i lëshuan institucionet pa asnjë ndërhyrje nga policia, Garda e Republikës apo qoftë edhe ushtria? Dhe në fund, sa e shkatërroi kjo ngjarje demokracinë e brishtë dhe konceptin se si fitohet pushteti?

***

Qysh pas humbjes së pushtetit në vitin 1997, Partia Demokratike dhe njerëzit rreth saj ishin munduar t'ia bënin jetën të vështirë qeverisë socialiste të Fatos Nanos. Revoltat dhe incidentet ishin të vazhdueshme, sidomos në veri të vendit. Situata do të acarohej në maksimum, sidomos pas arrestimit, më 22 gusht 1998, të dy ish-ministrave demokratë, Safet Zhulalit dhe Halit Shamatës, dhe disa ish-funksionarëve të lartë të strukturave të sigurisë, çka i hodhi benzinë zjarrit. Që të gjithë ata akuzoheshin për ngjarjet e marsit 1997, përdorimin e lëndëve kimike luftarake të dëmtimit në masë, marrje urdhrash për bombardim të qendrave të banuara me armë të avionëve ushtarake, etj. Gjithçka që vlonte do të shpërthente pas vrasjes më 12 shtator 1998 të deputetit demokrat Azem Hajdari.

Fatos Klosi, në këtë kohë drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, mendon se gjithçka ndodhi ishte e programuar nga krerët e Partisë Demokratike. Sipas të dhënave që shërimi sekret i drejtuar prej tij posedonte, revolta duhet të shpërthente në vjeshtën e vitit 1998.

“Kishin marrë masa që në shtator të ndryshonte diçka dhe Berisha donte të tregonte që populli është me mua. Pushtetin e kam unë. Këta kanë fituar zgjedhje, se ai s'i pranoi zgjedhjet. Pushteti nuk është i tyre, është i imi. Dhe unë e demonstroj këtë me forcë. Ideja ishte që do fillonte në Shkodër dhe pastaj do ta merrte avash-avash territorin, do vinte në Tiranë. Ai provoi dy herë më parë, në dhjetor 1997 dhe në shkurt 1998, ai provoi në Shkodër, u bënë dy kryengritje të dhe e mori në Shkodrën, vendosi kufirin te ura e Boçallëkut”, rrëfen Fatos Klosi.

Sërish, sipas Fatos Klosit, drejtorit të shërbimit informativ shtetëror, në këtë periudhë ata kishin të dhëna për grumbullimin diku në veri të Shqipërisë, të një numri të konsiderueshëm forcash të armatosura, që kishin për synim nisjen e një revolte që duhet të mbërrinte në Tiranë.

“Informacioni jonë ishte që pati një grumbullim serioz të njerëzve. Ne nuk u futëm brenda në atë sistem, shërbimi kishte as asnjë vit që ish riorganizuar. Prandaj Berisha e mori atë iniciativë që të përplasesh me shtetin, se e dinte që ato institucione që kanë për detyrë të mbrojnë shtetin nuk ishin kundër tij. Në një farë mënyre, në polici nuk kishte bërë asnjë lloj reforme. Kështu që e kishte shumë kollaj që ta organizonte një gjë të tillë dhe e dinte që nuk të haste ndonjë rezistencë. Ishin grumbulluar atje, se dhe nga ushqimi që iu shkonte atyre, kishin bërë ca llogari të përafërta.

Thashë, nuk kishim njerëz brenda. Ata ishin mbase në dy mijë vetë. Këtu vërtitesh tek situata dhe pastaj u tregua që ata erdhën në Tiranë. Erdhën në Tiranë të organizuar, tre ditë iu deshën.  Armët, furgonat e armëve ngelën në bulevard, mbasi mbaroi situata. Kështu që ka qenë e programuar”, thotë Fatos Klosi.

Ndërsa Spartak Ngjela, politikan dhe avokat i njohur në këtë periudhë pranë Partisë Demokratike, mendon se gjithçka ndodhi më 14 shtator u bë nga mendje jo normale, edhe pse ngjarjet ishin vërtetë të rënda.

“Nuk janë normal politikanët që bëjnë një grusht shteti. Kanë dehje patologjike drejt pushtetit. Shkaku i vrasjes së Azem Hajdarit mund ta krijonte atë fakt, por nuk e vrau politika. Kriminalist, ata thanë e vrau Nano, se donte kryengritje. Ajo mund t'i themi kryengritje ose grusht shteti, nuk ishte për Hajdarin.

“Që do kishte një farë revoltë, do kishte, sepse goditja kundër tyre nuk kishe sens demokratik. Të jemi realistë. Duhet të kuptojmë edhe këtë konfliktin e brendshëm që ka politika shqiptare, të cilin nuk e ka demokratik.Duhet të kuptojmënë të njëjtin moment që ne ende këtu jemi, pavarësisht që ka një farë zbutjeje. Shajnë, prekin dhe fyejnë personalitetin e kundërshtarit. Edhe shpifin, jo është hajdut, jo, është kështu, jo ashtu. Të gjitha këto kanë ndodhur në politikën shqiptare. Hoxhizmi kështu ishte si politik. Gjithë kundërshtarët e vet, i stigmatizonte, i fyente dhe i nxirrte, o tradhtarë, o vrasës. Ajo ishte filozofia e tyre”, shprehet Spartak Ngjela.

Shkëlqim Hajdari në atë kohë, pjesë e prokurorisë së Tiranës dhe njëkohësisht dëshmitar okular i zhvillimeve përpara kryeministrisë, mendon se 14 shtatori ishte pika më e ulët apo ngjarja më negative që u shënua si pasojë e politikës shqiptare të kësaj periudhe të historisë.

“14 shtatori është një ngjarje e cila nuk ka ardhur thjesht pse u vra Azem Hajdari, që ishte një figurë qendrore, jo vetëm e Partisë Demokratike, por edhe politikës shqiptare. Po ishte si pasoje e gjithë klimës, domethënë vrasja e Azem Hajdarit përmbylli një klimë të tmerrshme konfliktuale, por edhe me një shtet jo të fortë, i cili mundohesh të kapte veten pas shkatërrimit të madh masiv të 1997. Institucionet ishin në ngritje e sipër, kam parasysh këtu institucione të ligj zbatuese, policia, prokuroria, gjykatat, shërbimi sekret, tatimet, doganat. Shqipëria po ringrihesh. Dhe në këtë kuptim ndodhi vrasja e Azem Hajdarit, e cila e shpërtheu kazanin”, shprehet Shkëlqim Hajdari.

Sulmi me armë ndaj institucioneve të shtetit nisi qysh më 13 shtator, menjëherë pas bisedës së kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha me Zenel Nezën, truprojën e plagosur të Azem Hajdarit.

Kthyer në selinë e Partisë Demokratike, Berisha kërkoi dorëheqjen urgjente të Kryeministrit Fatos Nano, të cilin sërish e akuzoi si organizator të vrasjes së deputetit Azem Hajdari. Menjëherë pas kësaj, një grumbull prej rreth treqind protestuesish u nisën në drejtim të Ministrisë së Rendit, ku kërcet kallashnikovi. Protestuesit sulmojnë dhe çarmatosin disa policë roje, edhe më tej nisin të qëllojnë në drejtim të zyrës së ministrit të Rendit. Një oficer mbetet i plagosur.

Objekti i dhunës së të njëjtit grup protestuesish pak më vonë bëhet edhe Kryeministria. Kati i parë i saj pushtohet dhe i vihet flaka.

Disa gardistë që përpiqen të ruajnë objektin nuk kursehen, për pasojë mbetën të plagosur komandanti dhe zëvendëskomandant i gardës. Po gjatë kësaj dite, pati edhe një viktimë nga pala e protestuesve. Ai quhej Skënder Kalenja.

Në mbyllje të aksionit të datës 13 shtator 1998 protestuesit u vunë flakën 12 autoveturave të parkuara pranë kryeministrisë.

“U dogj kati i parë i kryeministrisë dhe nuk u mbrojt kryeministria. Ata hynë brenda në kryeministri, në atë territorin midis kryeministrisë dhe piramidës. Aty u plagos rëndë njëri dhe u vra në tjetër. Më vonë unë mora vesh që Fatosi atë ditë kishte tentuar të ikte në Itali.

E kishin trembur. I kishim lënë thuhet një fishek, në zyrë. E komentuan atë fishek, me ty e kemi inatin dhe ai tentoi të ikte. Kjo nuk është informacioni i SHIK-ut, është i imi, që më datë 13 shtator pasdite. Ia mbushën mendjen që jo. U kthye nga Durrësi, na bëri një mbledhje, të gjithë shefave të institucioneve që lidhen me sigurinë, edhe që vendosën që të nesërmen do ta përballonim atë ditë”, kujton Fatos Klosi.

Ceremonia mortore e deputetit Azem Hajdari nisi mëngjesin e datës 14 shtator, edhe pse drejtuesit e Partisë Demokratike lajmëruan vijimin e ceremonisë në varrezat e Sharrës, grumbulli i militantëve të Partisë Demokratike, bashkë me dy nga arkivolet, iu drejtua bulevardit “Dëshmorët e kombit”. Deputetë dhe ish-ministra të Partisë Demokratike, por edhe drejtuese të partive aleate, u shfaqën në mes të grumbullit të njerëzve, mes tyre spikaste ish-kryeparlamentari Pjetër Arbënori në një pozicion që i jepte përshtypjen sikur po e merrnin jashtë dëshirës.

Përgjatë sulmit, grupet e armatosura pushtuan disa nga institucionet e shtetit, kryesinë e Kuvendit, Ministrinë e Financave, të Drejtësisë, Të Kulturës, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Gjykatën Kushtetuese, etj.

“Qeveria e Fatos Nanos ishte e pabesuar. E pazonja, e tregoi veten të pazonjën dhe sidomos Fatosi, i cili iku në Maqedoni. Atë e kanë trembur njerëzit rrotull tij, ata që e kishin bërë detyrë për ta mbrojtur. Dhe unë e kuptoj që ata e kanë bërë për t’i dalë përpara para çdo përgjegjësie që mund të kishin nëse do të pësonte gjë. Mund të shkonte në Maqedoni, mund të kish vajtur Dajt, mund kish vajtur në Skrapar, ku ishin të përgatitura për raste të tilla, por se bëri, i ra shkurt”, thotë Klosi.

“Iku nga Shqipëria, ju e dini. Atëherë tani vjen një interpretim ose analiza jonë, mund të ketë pasur dhëna që ta vrisnin. Mund të jemi edhe këtu, se ata drejtë kryeministrisë shkuan. Mund të jetë dhe kjo. Është ende e errët”, thotë Spartak Ngjela.

“Mendoj se ka qenë veprimi i duhur i Zotit Nano, sepse kam parasysh, duke u bërë dëshmitar pa dashje në ato ngjarje, veprimet e 14 shtatorit pranë kryeministrisë, nëse Fatos Nano duhet të ishte aty, ngarkesa e madhe që kishin protestuesit mund të shkonte deri në eliminim fizik të atij, po edhe të bashkëpunëtorëve të tij, të ministrave. Kështu që e quaj veprim të mençur dhe të zgjuar dhe nuk jam dakord me ato njerëz që thonë veprimet e Nanos treguan mungesë lidershipi politik dhe qëndresë. Më mirë të mos kishin më shumë pasoja në nivel të lartë politik, sesa të qëndronin aty dhe përleshja do të ishte fatale”, shprehet Hajdari.

Kryeministria u sulmua rreth orës dymbëdhjetë. Disa gardistë që tentuan të bënin rezistencë u qëlluan pa mëshirë me armë. Të dyja palët patën të plagosur, pothuajse të gjithë protestuesit e armatosur qëllonin pa pasur një objektiv të qartë.

E mbetur pa zot, kryeministria pushtohet, shkatërrohet dhe vidhet.

“Situata u rëndua menjëherë sapo mbërritën arkivolët para kryeministrisë. Në mënyrë të papritur, filloi shkëmbimi i zjarrit ndërmjet protestuesve dhe gardistëve, që nuk ishin të përqëndruar shumë tek dera e kryeministrisë, por ishin kryesisht në lartësi. Për pak kohë, brenda një ore kanë rezultuar të plagosurit e parë, ku dy ndër to unë i kam prekur me duar, që ka qenë Kujtim Andrea dhe Artrit Arbana. Njëri i operuar në mënyrë urgjent, duke humbur veshkën dhe shpretkën, ndoshta tjetri duke u humbur njërin sy”, kujton Shkëlqim Hajdari.

Duke ndjekur zhvillimet, ministri i rendit, Perikli Teta, gjykon të fusë në lojë artilerinë e rëndë. Ai urdhëron daljen nga Garda e Republikës të shtatë tankeve dhe tre autoblindave, por pa marrë asnjë rezultat. Përkundër protestuesit, rrëmbyen tre nga tanket, duke i përdorur si koperturë për veprimet e tyre.

“Askush s’i pengoi, ata e gjetën të lirë kryeministrinë, pastaj morën Radiotelevizionin, pastër më ndërtesën e parlamentit, hyn nëpër të gjitha zyrat e parlamentin. Nuk i pengoi kush, bën ç'a mundën, ç'ka do bënin më shumë.

Ngjarjet më të mëdha janë tek hyrja e radiotelevizionit. Hoqën flamurin, vunë flamujn e PD-së. Janë të gjitha të filmuara ato. Gjithë kjo histori mua më duket shumë groteske. E para se shteti nuk ishte ai që pretendonin, para njerëzve të Berishës ishte fare i dobët.

E dyta, se nuk e dinim ku ishte Fatos Nano. Duhesh një njeri që të merrte vendime. Ai ishte i pari i qeverisë, ai Perikli ishte ministër i Brendshëm vërtetë, po ishte ministër i Partisë Aleanca Demokratike,  Nuk e ndjente veten që ishte në të tilla pozicione që mund të merrte vendime pa qënë kryeministri. Me presidentin, unë komunikova në darkë, shkova në zyrë. Dhe presidenti tha, ku është kryeministri? Çfarë qëndrimi mban kryeministria, unë do të marr përsipër gjithë këto punë?”, shprehet Fatos Klosi.

Rreth orës trembëdhjetë, rreth dyqind protestues, duke vënë në krye një nga tanket e rrëmbyer, pushtojnë televizionin shtetëror. Transmetimi i emisioneve ndërpritet. Ndërkohë, kryetari i Partisë, Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahia, doli në ekran duke deklaruar se institucionet kishin rënë në duart e protestuesve dhe se demokracia ishte rivendosur.

Marrja e kryeministrisë, edhe sidomos ndërprerja e transmetimeve të televizionit shtetëror, shkakton panik. Pothuajse e gjithë kupola e policisë shkërmoqet, në një kohë që disa drejtues të saj lanë detyrën për të ndenjur pranë bizneseve private.

Mit'hat Havari në këtë periudhë me detyrë shef i gatishmërisë dhe informacionit në Ministrinë e Rendit Publik ka bërë një përshkrim interesant të panikut në një libër të tij.

“Po ç'ndodhte në Ministrinë e Rendit Publik? Asgjë. Të gjithë kishin kthyer armët me tytën poshtë. Ata tentuan të hapnin derën e rëndë metalike, por nuk mundën. Ajo kishte një shulë nga ana tjetër, ku ndodheshin ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët nuk i ndihmuan vëllezërit e tyre të armëve dhe nuk ua hapën derën”, thuhet në libër.

Por luftë nuk bëhej vetëm në Tiranë.Grupe të armatosura, të identifikuar si mbështetës dhe militantë të opozitës sulmuan një numër komisariatesh të policisë, nisur nga ai i Kavajës më 13 shtator, vijuar me atë të Shkodrës, Lezhës dhe Fierit më 14 shtator. I rishfaqur aty rreth orës 15:00, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk ndryshon asnjë presje në qëndrimet e tij.

“Kërkoj nga kryeministri Fatos Nano edhe një herë të tregojë momentin e fundit, vendosmërinë për të mos thelluar më tej krizën, të japë dorëheqjen dhe t'u japë mundësi forcave politike për një qeveri teknike”, deklaroi asokohe Berisha.

Situata në Tiranë nisi të ndryshojë vetëm pas orës 16:00 të datës 14 shtator. Policia u detyrua të dalë në patrullim menjëherë pasi u vu re se si grupe të ndryshëm individësh shfrytëzuan rastinin të plaçkisnin. Ata bastisën jo vetëm bizneset private në qendër të Tiranës, por edhe zyrat e kryeministrisë dhe të tjera institucione të pushtuara.

Pikërisht ky fenomen është parë nga drejtuesit e shtetit të kohës si një autogol fatal për organizatorët e protestës, madje edhe si një pikë kthese për ngjarjet. Në fakt, pamjet e ardhura nga ajo kohë vërtetojnë jo vetëm vjedhjen, por edhe shkatërrimin e pasurisë me anë të zjarrit.

Por me gjithë faktin që policia me zhurmë dhe fenelina ndezur dukej sikur e ndryshoi situatën në Tiranë, televizioni shtetëror mbeti i pushtuar.

Vetëm aty, rreth orës 18:00, krejt papritur, militantët e armatosur të opozitës u larguan si me komandë nga televizioni. Sa duket, ambasadat e Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve europiane, sidomos ajo italiane, kishin bërë punën e tyre.

“Ndërhyrja që bëri Uashingtoni na shpëtoi, sepse i tha Saliu-DASH-it, sekretarit të shtetit. Çfarë ndodhi?, i tha ai. Ka ndodh kjo tha, ia futi gjithën kundërshtarit. Por ne do ta shpëtojmë tha, kemi nxjerrë forcat tona, nuk ka nevojë fare për forcat tuaja, tha. Të gjitha ato i ke bërë ti i tha, duhet të largohesh, që mos ndërhyjmë ne. Se të gjithë nuk e kuptuam mënyrën se si iku Saliu”, thotë Spartak Ngjela.

Menjëherë pas tërheqjes së njerëzve të armatosur, i pari që mbërrin në televizionin shtetëror do të ishte gazetari Aleksandër Frangaj. Me cilësinë e anëtarit të Këshillit Drejtues të Televizionit, ai merr përsipër të bëjë njoftimin që kishte brenda edhe lajmin e ndryshimit të situatës.

Më pas në televizion mbërrin ministri i Rendit Perikli Teta, këshilltari i kryeministrit Gramoz Pashko, si dhe ajo pjesë e ministrave dhe zyrtarëve që atë ditë treguan kurajo, duke mos u larguar apo fshehur.

Gjatë transmetimit televiziv shfaqet edhe Edi Rama, i cili thotë "asnjë marrëveshje me terrorsitin Sali Berisha".

Koha do të tregonte se ngjarjet nuk kishin tronditur vetëm shqiptarët, ato kishin shqetësuar edhe diplomacinë amerikane dhe atë europiane. Fatos Klosi, kreu i shërbimit sekret të kohës, për herë të parë rrëfen të plotë një kërkesë të homologëve europianë për të sulmuar selinë e partisë demokratike përderisa vepra penale e sulmit ndaj institucioneve ishte në rrethanat e flagrancës.

“Mua më ka ardhur një shef, nuk po them tani, një nga shërbimeve të mëdha të NATO-s, që më tha ‘Fatos, janë akoma në kushtet e flagrancës, ata kanë marrë institucionet. I kishin liruar në atë kohë, se kjo punë ndodhi në darkë vonë, erdhi ai në zyrën time dhe më tha, përpiquni ta sulmoni ndërtesën. Aty janë dhe dy tanket që kishin marrë. Atje janë armët, atje janë janë njerëzit. Ata janë të filmuar në rrugë para kryeministrisë. Kështu që është një flagrancë e qartë. Përpiquni për të mbaruar punë. Me gjithë këta njerëz, e kujtoj se mund ta përmbysin shtetin.

Mirëpo, s'ishte problem aq i thjeshtë. Kush do ta merrte vendimin? E përcolla këtë. Unë shkova në ministri, meqenëse me kryeministrin nuk bisedonim dot, nuk e dinim ku ishte akoma. Dhe thashë po bisedoja me Ministrin e Brendshëm. Vajta ta takoj Ministrinë e Brendshi. Në vërtetë, më thanë që në shkallët që shiko se ai nuk është mirë. Më ndodh ta takosh, se ata kishin pirë një çik mbasi ishin shkrehur situata. Fola shumë pak me të.

Është një rast që nuk vjen më kështu kjo. Mbase mirë keq, kjo duhet bërë gjersa ata na këshillojnë. Ai donte ta shmangte këtë. Ishte një përgjegjësi shumë më e madhe dhe unë e kuptova më vonë. Megjithatë, më tha që meqë ata kanë tanke, ne na duhet që të kemi ca mjekë. Që policia nuk i kishte, prandaj duhet t'i kërkojmë ndihmë ushtrisë. Ndërkohë që ministri, gjatë kohës që kishte ndodhur ajo punë, kish lënë çelësat dhe kish ikur.

Kish thënë, në qoftë se do vijë në ministri, ja ku janë çelësat. Unë shkova te Presidenti. I thash kështu është situata, jo tha, është shumë e rëndë kjo që propozohet. Ushtria nuk ndërhyn për ngjarje brenda vendit.

Edhe ai e konsideroi që do ishte një hap, të gjithë do e konsideruan që do të ishte një hap çik i rrezikshëm, pavarësisht se mbase mund të ketë bërë mirë ose nuk e di se si për të ardhmen, por që nuk u pranua kjo ide”, shprehet Fatos Klosi.

Kryeministri Fatos Nano u kthye në Tiranë të nesërmen, më 15 shtator 1998. I shoqëruar nga gazetarë të të gjitha mediave më t'u mëdha të Europës, ai u përkujdes që sfondi i konferencës për shtyp të dëshmonte dhunën ekstreme. Por me gjithë kthimin e Nanos, me gjithë riorganizimin e institucioneve, situata pranë selisë së Partisë Demokratike mbeti e acaruar.

Sali Berisha nuk bënte asnjë hap mbrapsht në kërkesat e tij, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit Fatos Nano. Ndërkohë, militantët e opozitës vijonin të qarkullonin, të armatosur dhe të mbanin në gjendje gatishmërie pranë selisë së Partisë Demokratike dy nga tanket që iu rrëmbyen gardës më 14 shtator.

Gjithë kësaj situate do t'i jepte fund një telefonatë misterioze nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Atë ditë, këtë telefon e dëgjuam që ishte në zyrat e OKB-së dhe atje dëgjuam një bisedë që u bë nga Teksasit, se na e thanë amerikanët për numër. Dhe që i thotë Berishës, ore je në vete, ç'është kjo që bëre? E ke mendu pasojat? Kjo ishte ideja e bisedës. Nesër, çfarë do të bësh? Si do t' dalësh publik për t'i thënë kush je ti? Prandaj, tërhiqu sa s'ka ndodhur ndonjë gjë. Shyqyr nuk kishin ndodhur ngjarje të rënda, vrasje të mëdha.

Kaq është. Më vonë, pastaj unë dëgjova më thanë që probabilisht që është nga aksenti i anglishtes që u përdhos, por në anglisht ishte një shqiptar nga Mali i Zi. Po, kjo vetëm vetëm hamendje e atyre që pretendonin që e njihnin aksentin e shqiptarëve të ndryshëm në anglisht.

Unë lexova pastaj përkthimin dhe nuk mund ta them. Ajo ishte një bisedë që nuk zgjati shumë. Tre katër minuta zgjatin gjithsej. Më shumë që një Urdhër se sa një Bisedë. Pse? Se Berisha i thoshte si urdhëron, si urdhëron? Ky autoritet vinte nga fakti që ishte i lidhur me institucione amerikane, nuk e di. Por, me sa duket, Berisha e dinte mirë kush ishte ai dhe sa i rëndësishëm ishte ai", thotë Klosi.

Pas telefonatës misterioze, tanket iu rikthyen Gardës së Republikës dhe njerëzit e armatosur u larguan nga selia e Partisë Demokratike. Pak ditë më pas, duke u vendosur në linjën e qetësimit të gjakrave, Kryeministri Fatos Nano deklaron dorëheqjen.

Pas demilitarizimit të selisë së Partisë Demokratike, situata në Shqipëri do të vijonte me një periudhë qetësie.

Shqiptarët së shumti do t'i merrnin një leksion që thoshte se pushteti nuk mund të fitohej me revolta të armatosura, por me vota.

“Nuk e la dot tragjedinë, s’e morën pushtetin me dhunë. Me pretekstin që i kish ndodhur dy gjëra në zgjedhje, etj., etj. Nuk ka rëndësi pretekste. Atëherë u bë. Pse nuk shkoi deri në fund? Po të kishe shkuar deri  në  fund, që të ishte marrë një pushtet me dhunë, do ta kishte krijuar një precedent shumë të keq. Lidershipët kanë çalimet e tyre, nuk kanë psikologji politike, kombëtare të niveit të lartë sepse nuk i lë interesi i tyre. Të gjitha kombet që kanë pasur udhëheqës ose drejtues lider, i cili ka vënë interesin e tij, domethënë, që të jetë interes i kombit, duhet të jetë edhe interesi im kanë dështuar. Ndryshe është në perëndim që thonë që ky është interesi ynë. Të bëhem në krye të kombit, të jap zhvillim historik dhe unë të mbetem në histori. Është ndryshe kërkesa e perëndimorëve dhe ndryshe e pushtetin tonë këtu i cili është me optik të kufizuar sot për sot ose nesër për nesër", shprehet Ngjela. 

Pas ngjarjeve, drejtësia e brishtë shqiptare dështoi me turp për të  ndëshkuar fajtorët e 14 shtatorit 1998. Fillimisht, prokuroria këmbënguli se kryeministria ishte sulmuar në mënyrë të organizuar, duke ngritur akuza për kryengritje të armatosur. Thënë ndryshe, grusht shteti.

Por opozita i mbështeti politikisht deri në fund njerëzit e saj të arrestuar dhe të akuzuar për këtë ngjarje. Vetë kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, refuzoi pafundësisht të mos respektonte përmbi 30 fletëthirrje zyrtare për të dhënë dëshminë.

Gjykimi u zvarrit për gati njëmbëdhjetë vite. Opozita erdhi ndërkohë në pushtet, edhe gjithçka mori fund me tërheqjen e prokurorisë nga akuzat.

Sipas versionit të ri të prokurorisë, ngjarja e 14 shtatorit 1998 Nuk ishte një kryengritje pasi të akuzuarit nuk kishin si qëllim të tyre cenimin e rendit kushtetues, por vetëm zëvendësimin e qeverisë me një qeveri teknike deri në zgjedhjet e parakohshme.

Vendimi që pezulloi hetimet dhe pushoi akuzat për grupin e fundit të të akuzuarve për 14 shtatorin 1998 mban datën 18 shtator 2009. Por hipokrizia vazhdon, më 20 qershor 2012, gjykata e Tiranës vendosi të dëmshpërblejë në nga protagonistët kryesorë të 14 shtatorit, Ekrem Spahiun, kryetarin e lëvizjes së legalitetit për qëndrim të padrejtë në arrest duke i kthyer 1.7 mln lekë të rinj.

Përfundimisht mund të thuhet se  14 shtatori 1998, falë ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Europianëve, nuk triumfoi një grusht shteti. Por fatkeqësisht, kjo ngjarje shërbeu për të hedhur themele të thella të kulturës së mosndëshkimit të tjerëve që i shërbejnë politikës qoftë me kallashnikovë në duar, me granata apo me antitank.