FIER- Shtëpia e Klodian Çalamanit, në Grecalli të Fierit i cili vrau 8-vjeçarin Mateo Vasiu dhe e groposi në oborrin e banesës, është djegur. ‘Report Tv’ ka siguruar pamje nga shtëpia e 39-vjeçarit ku gjithçka është shkrumbuar.

Ende nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarje, por pista kryesore dyshohet se mund të jetë një hakmarrje e familjarëve të fëmijës së mitur të cilët jetojnë pranë banesës së Çalamani.

"Në fshatin Grecalli, Fier, ka marrë flakë dhe është djegur pjesërisht banesa e shtetasit K. Ç., 39 vjeç. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit", njofton policia.

Pas vrasjes makabre të 8-vjeçarit Mateo Vasiu më 16 nëntor nga Klodian Çalamani, e cili e goditi dy herë më kazmë pas koke dhe e groposi në shtëpinë e tij, familjarët e revoltuar kërkojnë drejtësi, ndërsa kanë nisur edhe fimosjen e një peticioni në të gjithë qytetin ku kërkojnë rikthimin e dënimit me varje.

Si ndodhi ngjarja?
Ka qenë nëna e të miturit, Florida e cila në orën 15:30 ka bërë denoncimin në polici, pasi djali i saj ishte zhdukur dhe për të nuk kishte asnjë gjurmë. Pas denoncimit, efektivët e policisë kanë nisur hetimet dhe nga kamerat e sigurisë u zbulua se komunikimi i fundit i të miturit ka qenë me Çalamanin, fqinji i tij. Nisur nga kjo, efektivët i kanë shkuar në banesë, ku i riu është parë i shqetësuar, ç'ka ka ngritur dyshimet e Policisë, e për pasojë është shoqëruar në Komisariat.

Gjatë marrjes në pyetje, ai është dorëzuar dhe ka pranuar krimin monstruoz, ku përveç se e kishte vrarë, edhe e kishte groposur në oborrin e shtëpisë. Efektivët janë rikthyer edhe një herë në banesën e të riut dhe aty kanë gjetur trupin e pajetë të 8-vjeçarit të mbuluar me baltë. I mituri është goditur barbarisht 2 herë me lopatë pas koke, goditje këto që kanë rezultuar fatale duke i marrë jetën 8-vjeçarit. Motivet e këtij krimi mbeten ende mister, se çfarë mund ta kenë shtyrë 38-vjeçarin të vrasë një fëmijë vetëm 8-vjeç.

Kush është Klodian Çalamani?
Klodian Çalamani në 2006 është autor i një tjetër pengmarrjeje. Ai së bashku me shokun e tij, Florian Vasiu, 25 vjeç, nga fshati Grecalli kanë marrë peng një vajzë, atëherë 16-vjeçare. Shoku Florian Vasiu pëlqente vajzën, por ajo nuk i përgjigjej kësaj ndenje, pasi ishte e lidhur me dikë tjetër. Pikërisht i dashuri i saj ka ndaluar të rinjtë dhe i kanë thënë që të mos e bezdisnin më vajzën.

Ky veprim i të dashurit të vajzës ka acaruar të Çalamanin dhe Vasiun, të cilët e kanë marrë peng dhe e kanë torturuar për 20 minuta, duke e kërcënuar se do i shëmtonin pjesë të ndryshme të trupit, më konkretisht gjoksin duke ia prerë me biçak.

Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit ka rezultuar se për të arritur qëllimin e tyre, Klodiani ka kërcënuar edhe motrën e tij, E. Çalamani, e cila është përdorur për të futur në kurth adoleshenten. Asokohe, dy të rinjtë u dënuan nga Gjykata e Fierit, me nga katër vjet burgim për veprën penale të heqjes së lirisë të kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 110/2 të Kodit Penal. Ai u lirua nga burgu i Rrogozhinës me datë 06.08.2009

Lidhja që kishte fëmija me autorin
Përveç se fqinj me njëri-tjetrin, Report Tv ka mësuar se viktima ishte nipi i shokut të autorit, Florian Vasiu, me të cilin së bashku rrëmbyen vajzën në 2006 dhe e kërcënonin se do e gjymtonin. Kjo shpjegon afrimitetin që kishin viktima dhe autori, në komunikimin e tyre të fundit që u kapën nga kamerat e sigurisë.