Halil Inalcik "Të zbërthesh
perandorinë Osmane"

Halil Inalcik "Të zbërthesh<br />perandorinë Osmane"
Vjen në shqip  monografia “Perandoria Osmane” e historianit të famshëm turk  e cilësuar si një  bashkëudhëtar i domosdoshëm për këdo që kërkon të mësojë rreth Islamit, Turqisë dhe Ballkanit të viteve 1300 deri  në 1600.
 
Perandoria Osmane. Periudha klasike 1300-1600
Autor: Halil Inalcik
Përktheu: Edvin Cami
Botoi: Dituria
Faqe: 320
Çmimi: 1250 lekë
 
 
“Perandoria Osmane” libri i sapobotuar i historianit të famshëm turk Halil İnalcik, është një  bashkëudhëtar i domosdoshëm për këdo që kërkon të mësojë rreth Islamit, Turqisë dhe Ballkanit të viteve 1300 deri  në 1600. Pikërisht kjo periudhë e cilësuar si përiudha klasike e Perandorisë Osmane, trajtohet mjeshtërisht nga Inalcik në këtë monografi të botuar së fundmi në shqip nga shtëpia botuese Dituria nën përkthimin e Edvin Camit.  

Ky libër, i cili përmbledh tre shekuj të lavdishëm të historisë turke, tregon se si Perandoria Osmane u shndërrua në një fuqi të Lindjes së Mesme. Nga një principatë kufitare ushtarake në kapërcyell të shekullit XIV, Turqia u bë fuqia dominuese në Anadoll e Ballkan dhe shteti më i fuqishëm islamik pas vitit 1517, kur përfshiu edhe territoret e vjetra arabe.. 

Kjo kulturë plotësisht lindore, me gjithë detajet dhe kompleksitetet e veta, shpaloset këtu nga dijetari aq shumë i njohur i historisë turke. Ai na jep një tablo impresionuese të epërsisë së fesë dhe luftës në jetën e përditshme, si edhe të artit të qeverisjes, të administrimit, të vlerave shoqërore, financiare dhe politikat e territorit. 
Halil İnalcik, Profesor Emeritus në Universitetin e Historisë në Çikago, lindi në Stamboll dhe gjatë periudhës 1952-1972 ishte profesor i historisë osmane në Universitetin e Ankarasë. Nga viti 1972 deri më 1986  lektor në Universitetin e Çikagos. Tashmë është profesor i historisë osmane në Universitetin e Bilknetit, në Ankara. Anëtar nderi i Shoqërisë Aziatike dhe anëtar i Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave. Nga libri i tij “Perandoria Osmane. Periudha klasike 1300-1600” po sjellim për lexuesit  kapitullin e parë mbi zanafillën e shtetit osman.

Halil Inalcik
 
ZANAFILLA E SHTETIT OSMAN
Në fillim të shekullit XIV, kriza të brendshme të mprehta po lëkundnin perandoritë e mëdha të vendosura mes Oksusit dhe Danubit - Perandorinë Ilhanide në Iran, Hordhinë e Artë në Europën Lindore dhe Perandorinë Bizantine në Ballkan e Anadollin Perëndimor. Aty nga fundi i po këtij shekulli, pasardhësit e Osmanit, gazi kufitar dhe themelues i dinastisë osmane, kishin ngritur një perandori e cila shtrihej nga Danubi deri në Eufrat. Sundimtari i kësaj perandorie ishte Bajaziti I (1389-1402), i njohur si “Jilldirim” (Yıldırım), apo Rrufeja. Në Nikopojë, në vitin 1396, ai kishte mposhtur një ushtri kryqtare të kalorësve më kryelartë të Europës; ishte përballur me sulltanatin e mamlukëve, që në atë kohë ishte shteti më i fuqishëm islam, dhe i kishte marrë atij qytetet mbi Eufrat.

Së fundi, kishte sfiduar Timurlengun e madh, sunduesin e ri të Azisë Qendrore dhe Iranit.
Kjo periudhë e parë e historisë osmane shtron problemin se si principata e vogël kufitare e Osman Gaziut, e përkushtuar ndaj Luftës së Shenjtë kundër Bizantit të krishterë, u fuqizua duke u shndërruar në një perandori të fuqishme e të gjerë. Një teori pohon se, duke pranuar islamin dhe duke u bashkuar me myslimanët, popullsia greke e pellgut të Marmarasë e ringjalli Perandorinë Bizantine si një shtet mysliman.

Studiues të njohur me burimet historike lindore pranojnë tashmë se kjo teori është një spekulim i pabazë. Këta historianë janë të mendimit se zanafilla e Perandorisë Osmane duhet kërkuar në zhvillimet politike, kulturore dhe demografike të Anadollit të shekujve XIII dhe XIV. 
Pushtimet mongole të Lindjes së Afërt myslimane aty nga vitet 1220 shënjojnë fazën e parë në këtë zhvillim. Pas fitores mongole në Betejën e Qosedagut, në vitin 1243, sulltanati selxhuk i Anadollit u bë shtet vasal i ilhanidëve të Iranit. Rrjedhim i menjëhershëm i pushtimeve mongole ishte migrimi drejt perëndimit i turkmenëve - fise të fuqishme nomade turke. Këta kishin ardhur fillimisht nga Azia Qendrore në Iran e Anadollin Lindor dhe tani, edhe një herë, po lëviznin drejt perëndimit, të përqendruar në kufirin mes Bizantit dhe sulltanatit selxhuk, në rajonet malore të Anadollit Perëndimor.

Në Anadoll, në vitin 1277, pati një kryengritje kundër mongolëve idhujtarë. Forcat mamluke myslimane hynë në Anadoll për të mbështetur rebelët, por mongolët e shtypën egërsisht kryengritjen. Pas kësaj, ata mbajtën forca të përhershme, të vendosura në Anadoll, duke e forcuar kontrollin e tyre në vend. Megjithatë, revoltat ishin të vazhdueshme dhe kundërpërgjigjet mongole zgjatën deri në gjysmën e shekullit pasues. Zona kufitare u kthye në një vendstrehim për trupat apo figurat politike që arratiseshin prej qeverisjes mongole dhe, në të njëjtën kohë, një vend ku shumë fshatarë e banorë të varfër qytetesh kërkonin një të ardhme e jetë të re. Si rrjedhim, popullsia e trevave kufitare u shtua. Teksa kërkonin një mundësi për t’u vendosur në fushat e pasura në anën bizantine të kufirit, nomadët e paqetë të zonave kufitare nxitën njerëzit në Gaza - Luftë e Shenjtë kundër Bizantit. Luftëtarët u mblodhën rreth prijësve gazi me prejardhje të ndryshme dhe mësymjet e tyre në territorin bizantin u bënë gjithnjë e më të shpeshta.

Gjatë viteve 1260-1320, këta prijës që organizuan turkmenët luftëdashës themeluan principata të pavarura në Anadollin Perëndimor, në trojet e rrëmbyera prej Bizantit. Historiani bizantin i kohës, Pahimeri, shkruan se Paleologët, të cilët kishin rimarrë Kostandinopojën vetëm në vitin 1261, ishin të zënë me çështjet e Ballkanit dhe, për pasojë, i kishin lënë pas dore kufijtë aziatikë, duke u hapur kësisoj rrugën sulmeve turkmene. Në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XIII, mësymjet e këtyre gazive turkmenë në Anadollin Perëndimor arritën thuajse në një pushtim të përgjithshëm. Osman Gaziu, prej të gjithë bejlerëve, kontrollonte territorin më të largët ndaj veriut dhe më të afërt me Bizantin e Ballkanin. Sipas Pahimerit, aty nga viti 1302, Osman Gaziu rrethoi Iznikun (Nikea), ish-kryeqytetin e Bizantit. Perandori dërgoi kundër tij një ushtri mercenare me dy mijë burra, të cilëve ai u bëri pritë dhe i mposhti në Bafeus, në verën e vitit 1302. Mposhtja e një ushtrie perandorake e përhapi famën e tij. Burimet osmane dhe bizantine të kohës përshkruajnë se si gazitë nga i gjithë Anadolli u dyndën nën flamurin e tij; sikurse në të tjera principata kufitare, ata morën emrin e prijësit të tyre dhe u bënë të njohur si osmanlinj. Shpresat për pushtime të lehta dhe vendbanime të reja tërhoqën valë të reja të ardhurish me origjinë nga Anadolli Qendror. Kjo fitore e vitit 1302 solli fuqizimin e vërtetë të principatës osmane.

Ideali i Luftës së Shenjtë ishte faktor i rëndësishëm në formimin dhe zhvillimin e shtetit osman. Shoqëria në principatat kufitare i përshtatej një modeli të veçantë kulturor, të mbrujtur me idealin e Luftës së Shenjtë të përhershme dhe me zgjerimin e vazhdueshëm të Dar al-Islamit - mbretërimit të islamit - deri në mbulimin e krejt botës. Lufta e Shenjtë ishte detyrimi fetar që frymëzonte çdolloj sipërmarrjeje dhe sakrifice. Në shoqërinë kufitare të gjitha virtytet shoqërore pajtoheshin me idealin e Luftës së Shenjtë. Qytetërimi i përparuar i hinterlandit, me ortodoksinë e vet fetare, me teologjinë skolastike, letërsinë e Pallatit të përbërë prej një gjuhe artificiale letrare, si dhe me ligjin e sheriatit, i hapi rrugë në vendet kufitare një kulture popullore të karakterizuar nga urdhrat heretikë fetarë, nga misticizmi, letërsia epike dhe ligji zakonor. Për herë të parë në principatat e Anadollit turqishtja u bë gjuhë administrative dhe letrare. Shoqëria kufitare ishte njëkohësisht tolerante dhe e ndërlikuar. Një sfond i përbashkët i vuri trupat kufitare bizantine, akritai, në kontakt të ngushtë me gazitë myslimanë. Mihal Gaziu, princ kufitar grek i cili pranoi islamin dhe bashkëpunoi me luftëtarët e Osmanit, është shembulli aq popullor i procesit të asimilimit.
Lufta e Shenjtë nuk synonte ta shkatërronte, por ta nënshtronte botën e pafe, Dar al-harbi. Osmanët e ngritën perandorin e tyre duke bashkuar Anadollin mysliman me Ballkanin e krishterë nën qeverisjen e tyre dhe, megjithëse Lufta e Shenjtë ishte parimi themelor i Shtetit, Perandoria u shfaq njëkohësisht si mbrojtëse e Kishës Ortodokse dhe e miliona të krishterëve ortodoksë. Islami garantonte jetën dhe pasurinë e të krishterëve e të hebrenjve, me kushtin e bindjes dhe të pagimit të një takse për kokë. Ai u lejonte atyre ushtrimin e lirë të feve të tyre dhe të jetuarit në përputhje me ligjet e veta fetare. Osmanët i zbatuan këto parime të islamit me lirshmërinë dhe tolerancën më të madhe. Gjatë viteve të hershme të Perandorisë, osmanët ndoqën një politikë të përpjekjes për të siguruar nënshtrimin me dëshirë e mirëbesim të të krishterëve, përpara se të kalonin te përdorimi i armëve.
Administrata mbrojtëse e shtetit islam, me ligjet fetare dhe garancitë për tolerancë, u zuri vendin mësymjeve tmerruese të gazive. Për më tepër, mbrojtja e fshatarësisë si një burim i të ardhurave nga taksat ishte politika tradicionale e shtetit të Lindjes së Afërt, që nxiste një qëndrim të tolerancës. Të ardhurat nga taksa për kokë, haraçi, përbënin një pjesë të madhe të të ardhurave të shtetit osman, sikurse kishin zënë një pjesë të madhe të të ardhurave edhe në kalifatin e hershëm islam.
Perandoria Osmane, në këtë mënyrë, do të bëhej një “Perandori kufitare” e vërtetë, një shtet kozmopolit, që do t’i trajtonte të gjitha besimet dhe racat si një të vetme, që do t’i bashkonte Ballkanin e krishterë ortodoks dhe Anadollin mysliman në një shtet të vetëm.
Principatat e gazive shpejt përvetësuan traditën dhe institucionet e sulltanatit selxhuk. Qytete si Kastamonuja, Karahisari apo Denizlia, të ngritura në zonat e vjetra kufitare të selxhukëve, u kthyen në qendra të qytetërimit selxhuk. Administratorë e dijetarë sollën traditat e artit të qeverisjes dhe të qytetërimit islam nga këto qytete, si dhe nga ato të Anadollit Qendror në Milas, Balat, Birgi, Izmir, Manisë e Bursë, që ishin bërë kryeqytetet e principatave të gazive, të ngritura në territorin dikur bizantin. Çdo principatë u kthye në një sulltanat të vogël. Për shembull, Orhani, biri i Osmanit, preu monedhën e tij të parë të argjendtë në Bursë në vitin 1327 dhe ngriti një medrese në Iznik më 1331; në vitin 1341 krijoi në Bursë një qendër tregtare, duke ndërtuar një pazar dhe një bezistan - treg i mbyllur për shitjen e mallrave me vlerë. Udhëtari arab Ibn Batuta  e vizitoi Bursën rreth vitit 1333 dhe e përshkroi atë si një “qytet madhështor, me pazare të hijshme e rrugë të gjera”.
Ky ishte sfondi i përgjithshëm shoqëror e kulturor i themelimit të shtetit osman dhe principatave të tjera kufitare. Lufta e Shenjtë dhe kolonizimi ishin elementet dinamike në
pushtimet osmane; format administrative e kulturore të përvetësuara në territoret e vëna nën kontroll vinin prej traditave të politikës edhe qytetërimit të Lindjes së Afërt.

Shkrimi u publikua sot (22.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024