TIRANE - Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi dhe homologia e tij italiane Paola Severino njoftuan ngritjen e një Task Force të përbashkët që do të përgatisë kthimin e të dënuarve shqiptarë që gjenden në burgjet italiane. Numri i këtyre të fundit shkon në mbi 2700 persona, me një kosto jo indiferente për shtetin fqinj, ndërsa marrëveshja mes dy vendeve është firmosur që në vitin 2007.

“Vendosëm që të ngremë një Task Forcë për të zgjidhur të gjitha problemet dhe për ti dhënë drejtim të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me ekstradimet, si dhe me transferimin e të dënuarve duke deklaruar se do të fillojmë shumë shpejt dhe transferimin e të dënuarve shqiptar, të cilët janë në burgjet italiane sipas një kalendari dhe një procesi që do të menaxhohet nga një grup i përbashkët”, u shpreh Halimi.

Gjatë një prononcimi për shtyp në përfundim të takimit me Halimin, ministrja Severino vlerësoi bashkëpunimin e gjatë mes dy vendeve, ndërsa shtoi se të gjitha shtetet duhet të bashkojnë përpjekjet në luftën kundër kriminalitetit.

“Ky aleat që gjeta në vendin tuaj, duke ndarë bashkë idenë time që të luftojmë së bashku në luftën ndaj krimit të organizuar do të na afrojë më tej në rrugëtimin tonë drejt Europës”, tha Severino.

(eç/shqiptarja.com)