Përveçse ai e ka vlerësuar Ramën në të gjithë bashkëpunimin që lançua mes dy vendeve, Haliti ka kërkuar materialzimin e tyre. Sigurisht që ai i ka dhënë përgjigje edhe për largimin e LDK-së nga Parlamenti në formën e një proteste, që Rama nuk përmendi në fjalën e tij Ibrahim Rugovën. Sipas Halitit ky gjest nuk ishte gjesti i duhur, pasi sipas tij miku duhet të pritej.
Zoti Haliti përshëndetje! Po ju marr pak kohë për t’ju pyetur për vizitën e Edi Ramës si kryeministër në Parlamentin e Kosovës. Një pritje e mirë apo jo?
Edhe unë ju përshëndes dhe ju falenderoj që po më jepni këtë mundësi për të thënë publikisht mendimin rreth vizitës dhe fjalës së Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë në Kuvendin tonë. Vizita e zotit Rama të nesërmen e parashtrimit prej Tij të Programit të Qeverisë në Kuvendin e Shqipërisë, mendoj se ishte mjaft domethënës dhe tepër vlerësues për Parlamentin tonë. Vizita e menjëherëshme në Kosovë, madje ende pa u mandatuar si Kryeministër, nuk ishte kurrsesi “nxitim”, por dëshirë e nxitur nga ndjenja atdhetare për të ndarë me vëllanë lajmin e mirë të ndryshimit demokratik të pushtetit në Shqipëri. Tirana dhe Prishtina tashmë janë të lidhura jo vetëm kombëtarisht(shpirtërisht), por dhe politikisht. Vizita dhe fjala e Edi Ramës në Kuvendin tonë ishte demostrim i lidhjes sonë shumëshekullore, duke shmangur ndërvarësinë “nënë”- “bijë”. Vizita e “nxituar” e Ramës në Kosovë, me veprimin dhe fjalën e tij në Kuvend, shpalli botërisht njëvlefshmërinë shtetërore, institucionale si themel bashkëpunimi në të gjitha fushat e ekzistencës dhe funksionimit të shtetit.
Pyetja juaj, nëse ishte një pritje e mirë apo jo, më duket pak e pakuptueshme. E them këtë se ne shqiptarët e kemi mikpritjen virtyt të njohur botërisht. Shqiptari historikisht e ka të koduar të mirëpresë, në rrethana të caktuara, edhe hasmin. Vëllanë e mikun po e po, duke i dhënë shumë dashuri. Mendoj se ndonjë gjest, veprim i nxituar nga politika duket të këtë qënë shkaku i kësaj pyetjeje.
Si e vlerësuat fjalimin e tij në tërësi?
Të sinqertë, tepër dashamirës, programatik dhe, siç tha vetë z. Rama, si një platformë ”për fillimin e një aleance strategjike themelore mes të barabartësh të Shqipërisë me Kosovën për të kthyer mundësitë e jashtëzakonshme të kohës së re, në sukses dhe zhvillim për qënien tonë të pandarë në hapsirën e bashkuar të Evropës”. Dëshiroj dhe uroj me shpirt që ky objekiv i platformës strategjike të realizohet. Fjalimin e Tij në tërësi e pëlqeva, mund të them e “brohorita”, por gjithashtu presim sa më shpejt hapa praktike për fillimin e zbatimit të kësaj strategjie.
Ai foli për bashkim kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës për çështjen ekonomike, politike, kulturore, sportive por nuk theksoi atë të bashkimit të kufijve. Apo nuk ishte shumë e nevojshme?
Në fillim të fjalës të Kryeministrit në Kuvendin tonë u tha:” rruga jonë është e bashkuar drejt familjes Evropiane ..... kufiri është e djeshmja, e ardhmja s’ka kufij”! Mungesa e theksit në këto sentenca, për bashkimin e kufijve, mendoj se është kushtëzuar nga e “sotmja” politike e gjeostrategjike e kontinentit. Edi Rama është politikan bashkëkohor. Ai i di mirë kushtëzimet e sotme botërore për ndryshimin e kufijve mes shteteve, sidomos në Ballkan, ndaj u shpreh figurshëm në perceptimin dhe përjetimin e tyre aktualisht nga shqiptarët duke e quajtur kufirin midis dy shteteve “vijë të padukshme “, që bëjmë mirë ” të mos e shohim”. Mendoj se deklarimi i Kryeministrit të ri të Shqipërisë, ishte i nevojshëm për sa u tha dhe kështu si u tha.Përsa i përket bashkëpunimit dhe lehtësimit ligjor, institucional dhe faktik midis dy shteteve në lëmejtë e politikës, ekonomisë, arsimit, kulturës e sportit, si rrugë e nyje lidhëse, për fuqizimin e ndjenjës dhe konsolidimin e kombëtarizimit shqiptar, duke tejkaluar kufijtë aktualë politik mes shqiptarëve, z. Edi Rama i cilësoi “vija të padukshme”. Kufijtë, kudo dhe kurdoherë tejkalohen përmes lidhjeve të mësipërme, kryesisht përmes rrugëve politike dhe ekonomike. Përmes këtyre lidhjeve u bashkua dhe vazhdon të bashkohet Evropa. Këto mendoj se janë rrugët për bashkimin, thënë më saktë, për integrimin e Kosovës me Shqipërinë, në kuadër të integrimit në BE.
Ekonomia, bujqësia, doganat, gjithçka e lidhur me ekonominë e dy vendeve. Si e shihni këtë bashkim?
Në fjalën e Kryeministrit të Shqipërisë, parashtrohen rrugët për një nismë aleance strategjike midis dy shteteve, për intesifikim bashkëpunimi në të gjitha sferat jetike, por jo për unifikim të tyre. Propozimi i z.Rama për hartimin e një strtegjie mbarëkombëtare për bujqësinë, s’ka të bëjë fare me bashkimin politik mes dy vendeve. Siç u tha, idetë e shprehura për ekonominë, bujqësinë, doganat etj, që parakuptojmë kordinimin mes dy shteteve, janë në funksion të zgjerimit të rrugëve të prodhimit, të rritjes së të ardhurave nga prodhimi dhe të shmangjes të pengesave për rritjen e shkëmbimit të mallrave mes dy vendeve. Eshtë e vërtetë që në fjalën në Kuvend u tha ”bashkim doganor”, por unë mendoj se ky “bashkim” duhet kuptuar si bashkëpunim, kordinim, gjë që del qartë nga thelbi i përmbajtjes së të gjithe fjalës së tij.
A është i lehtë?
Rruga, sado e gjatë, fillon nga një hap. Edi Rama e hodhi hapin e parë me parashtrimin solemn dhe publikisht për nisjen e krijimit të një aleance strategjike mes dy vendeve. Idetë u dhanë, ato duhen përpunuar e detajuar për t’i hapur rrugë veprimit për realizimin hap pas hapi të tyre. Rruga do jetë e gjatë dhe kurrsesi e lehtë. Vështirësitë do të jenë të shumta; do të jenë të brëndshme dhe ndërkombëtare, politike, ekonomike, sociale madje edhe psikologjike. Por kam bindjen se kur ekziston dëshira dhe vullneti, veprimi në realizim të objektivave realiste të përcaktuara, kapërcejnë çdo pengesë.
Nevojitet infrastrukturë më e mirë për t’ia arritur?
Natyrisht që nevojitet! Bashkëpunimi i gjithanshëm dhe intensiv është i pamundshëm pa fuqizuar mjetet e komunikimit. Për të bashkëvepruar me efektivitet në kohë dhe hapësirë, duhet të konsultohemi madje të debatojmë. Na nevojitet të bëjmë më tej hapa për zhvillime në infrastrukturë rrugore, energjitike, telefonike, median elektronike e të shkruar. Intensifikimi i bashkëpunimit ose, më saktë, i integrimit mes dy shteteve tona, nuk i ka të nevojshme, por të domosdoshme këto hapa në infrastrukturë.
Sa i ndihmon të dyja vendet në rritjen ekonomike?
Bashkëpunimi, kuptohet, i shërben rritjes ekonomike. Shpërndarja rajonale e bizneseve i shërben prodhimit, zgjerimit të tregut, rritjes së të ardhurave, shkëmbimit të informacionit, orjentimit të investimeve dhe hapjes së vendeve të reja të punës. Rrugët lehtësojnë qarkullimin e mallrave dhe të njerëzve. Mendoj se edhe kaq sa thashë bëhet i kuptueshëm për këdo roli i infrastrukturës në rritjen ekonomike, në të dy vendet.
A ka kosto të lartë?
Sa i përket kostove të investimeve që janë bërë , bëhen dhe do të bëhen në infrastrukturë,sa dhe pse, nuk jam në gjëndje të përgjigjem.
Sa kohë i duhet për të shkuar në këtë bashkëveprim ekonomik?
E thamë edhe më lart: Rruga është e gjatë dhe e vështirë. Ajo sa ka filluar me projektimin e ideve. Sa kohë do t’i duhet për t’u finalizuar konkretisht, është vështirë të parashikohen sepse janë të shumta “pengesat” në rrugëtimin e idesë drejt realizimit.
Po bashkëveprimi për sigurinë energjitike sa e rëndësishme është?
Energjitika është shumë e rëndësishme jo vetëm për ekonominë por dhe për politikën, për shtetin dhe shtetet. Kam parasysh ketu vlerën e përpjekjeve të premtuara nga Kryeministri i Shqipërisë për kalimin e një degëzimi të TAP-it në Kosovë, për sigurinë energjitike të shtetit tonë. Kurse kordinimi i përpjekjeve në investimet dhe zhvillimet tona të përbashkëta në fushën e energjitikës, janë tërësisht në funksion dhe shërbim të sigurisë energjitike për mbarë hapësirën shqiptare në rajon. Rikonfirmimi i kredisë gjermane për ndërtimin e linjës 400 kë të interkonjeksionit midis Shqipërisë dhe Kosovës, mendoj se është hapi i parë veprues i bashkëveprimit mes dy shteteve për sigurinë energjitike.
Kush nevojitetit i pari, ai bashkëpunimi ekonomik apo kulturor, apo të dyja njëherësh?
Të dyja janë fusha themelore të jetës shtetërore dhe sociale, por në thelb janë krejt të ndryshme; ekonomia është thuaj se tërësisht, pjesë e sferës materiale, kurse kultura lidhet me shpirtëroren. Materialja, ekonomia e ka tepër të vështirë të dekonsiderojë interesat materiale të individëve, klaneve e grupimeve e të kapërcejë lehtësisht pengesat tradicionale e ligjore të kufijve politikë mes shteteve. Kultura, për vetë natyrën e saj, si nyja historike për ngjizjen, bashkëveprimin, konsolidimin e kompaktësimin e një kombi, i ka kaluar prej kohësh pengesat e kufirit politik dhe sot, në vazhdim, e ka shumë më të lehtë të injorojë kufijtë shtetërorë. Kultura konsolidon kombin dhe fuqizon dëshirën, vullnetin dhe përpjekjet për tejkalimin e pengesave për bashkëpunimin ekonomik. Aktualisht, kur bashkëpunimi kulturor është shumë më i avancuar se ai ekonomik, mendoj se ka ardhur koha që politikisht, shtetërisht dhe konkretisht të dyja sferave t’u kushtohet e njëja vëmëndje për ecjen krahpërkrah të tyre.
Diplomacia në çfarë faze është, e kam fjalën për marrëdhëniet mes dy vendeve? Dhe a çalon gjëkundi, flas nga qeveria e vjetër, se kjo e reja sapo ka futur këmbët?
Për mardhëniet mes dy shteteve, s’mund të veçoj ndonjë gjë. Dihet që ato kanë qënë transparente dhe vllazërore. E kam të vështirë ta kuptoj fjalën “fazë”, në zhvillimin dypalësh të këtyre mardhënieve. Mund të flitet për intesifikim të tyre dhe për fuqizim bashkëpunimi dhe kordinimi në nismat e arritjen e objektivave diplomatike. Mendoj se deri tani diplomacia e të dy vendeve ka qënë bashkëpunuese, pa mohuar ndonjë mangësi të veçuar. Tani, me zhvillimet e reja politike, me nënshkrimin e pritshëm prej Kosovës të MSA-së dhe me marrjen prej Shqipërisë të statusit të vëndit kandidat për BE, shpresoj në realizimin e ideve të parashtruara nga Edi Rama në Kuvendin e Kosovës.
A mund të shkojmë dot në një sistem të përbashkët arsimor nga hyrja në shkollën fillore tek dalja ne universitet? A kërkon shumë punë? Ka efekte pozitive, apo edhe negative?
Rruga për unifikimin e sistemit arsimor është e gjatë dhe natyrshëm, kërkon shumë punë. Ka dashur shumë punë unifikimi i alfabetit të shqipes në Manastir, më 1908-ën; u desh punë dhe vazhdon të diskutohet ende, për standartizimin e gjuhës shqipe. Ende sistemet arsimore në Kosovë e Shqipëri janë të pakonsoliduara. Kuptohet që unifikimi i sistemit arsimor është themeli i patundshëm për konsolidimin dhe përparimin e kombit shqiptar. Por, siç thashë, duhet kohë dhe shumë punë. Edi Rama e di mirë këtë, prandaj kërkoi të mos humbej kohë ” për të projektuar sistemin e unifikuar të arsimit”.
Çfarë mendimi keni për ngritjen e një Instituti Shqiptar të Shkencës, që shkencën mos ta bëjë politika por dijetarët?
Që të forcojmë kominikimin dhe bashkëpunimin mes institucioneve dhe shkencëtarëve të të dy shteteve është e domosdoshme, por që të ngrihet e të zyrtarizohet një institut i përbashkët i shkencës shqiptare, që natyrshëm është pozitiv, duhen parë ligjet dhe kushtetutat respektive. Sa për shtojce pyetjen se kush duhet ta bëjë shkencën, përgjigja është e qartë; politika mund t’i hapë rrugë shkencës dhe shkencëtarëve, por politika bën politikë. Shkenca është domen ekskluziv i shkencëtarëve.
Së fundi, si e komentoni largimin e disa deputetëve të LDK-së nga Parlamenti gjatë fjalës së Edi Ramës?
Largimi i disa deputetve të LDK-se nga salla e Parlamentit më lëndojë si shqiptar e jo si politikan, sepse kjo sjellje e pa hijshëme ka të bëjë me cënimin e mikpritjes ,e një prej virtyteve të kombit shqiptar që njihet prej kohësh botërisht. U tha se ky akt ndodhi për arsye të një lapsusi të Edi Ramës që nuk përmendi në fjalën e vet, kontributin e padiskutueshëm të Ibrahim Rugovës, në historinë më të fundit të Kosovës. Nuk më intereson aspak arsyeja që nxiti largimin e disa përfaqësuesve të LDK-së nga parlamenti, që mund të ishte edhe i qëllimshëm. Më ka lënë shije të keqe ky akt, sepse politika, pavarësisht kuptimit apo keqkuptimit, shkeli shënjtërinë e mikpritjes, e braktisi mikun në shtëpinë e vet. Kjo sjellje është e papajtueshme jo vetëm me traditën historike shqiptare por as me mirësjelljen më të moderuar botërore.
Intervista u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)