Të paktën 61 persona janë vrarë që nga agimi në Rripin e Gazës si pasojë e sulmeve ajrore izraelite, pavarësisht thirrjes së presidentit amerikan, Donald Trump, për ndalimin e menjëhershëm të ofensivës në enklavën palestineze.
Lajmin e ka bërë të ditur Mahmoud Bassal, zëdhënës i Mbrojtjes Civile së Gazës — një strukturë e ndihmës që i përket lëvizjes islamike Hamas — i cili ka sqaruar se 45 nga viktimat janë regjistruar në qytetin e Gazës.
Pasi Hamasi njoftoi mbrëmjen e së premtes se kishte pranuar planin e SHBA-së për t'i dhënë fund luftës në Gaza, Trump i bëri thirrje Izraelit që të ndalojë menjëherë bombardimet në enklavë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në një deklaratë të shkurtër sot tha se shpreson që gjatë festës hebraike të Sukkot (6–12 tetor) të mund të njoftojë kthimin e të gjithë pengjeve.
“Ushtria izraelite (IDF) do të qëndrojë në thellësi të Rripit të Gazës dhe në territoret që tashmë kontrollon”, theksoi ai.
Negociatat pritet të fillojnë nesër në Egjipt. Delegacioni izraelit do të udhëhiqet nga Ministri Ron Dermer. I pranishëm do të jetë edhe i dërguari amerikan Steve Witkoff, i cili është nisur tashmë për në Kajro.
Në përgjigjen e tij ndaj planit 20-pikësh të Trump, Hamasi tha se ishte gati të lironte të gjithë pengjet e gjalla dhe të kthente trupat e pengjeve të vdekura në këmbim të të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli, si dhe të fillonte negociata të drejtpërdrejta mbi detajet. Megjithatë, teksti i deklaratës nuk përmend çarmatimin e lëvizjes, të cilin e kërkon Izraeli, apo dëbimin e luftëtarëve të saj në vende të treta, dy pika kyçe të planit të presidentit amerikan, i cili mbështetet nga shumë vende arabe.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se shpreson të mund të njoftojë lirimin e të gjithë pengjeve nga Gaza “në ditët e ardhshme”. Në një deklaratë të shkurtër, ai bëri të ditur se ka dërguar një delegacion në Egjipt “për të përcaktuar detajet teknike”, duke shtuar se “qëllimi ynë është përfundimi i negociatave brenda pak ditësh”.
Netanyahu theksoi se Izraeli ka pranuar disa elementë të planit amerikan dhe se presioni i ushtruar ndaj Hamasit – si ushtarak ashtu edhe diplomatik – ka sjellë ndryshimin e qëndrimit të tij.
“Kishte nga ata që mendonin se nuk do të arrinim lirimin e pengjeve pa një tërheqje të plotë. Por ju them: kjo është reale dhe me ndihmën e Zotit, do të ndodhë shumë shpejt”, tha ai.
Sipas Netanyahut, negociatat mes Izraelit dhe Hamasit, që do të zhvillohen në mënyrë të tërthortë në Egjipt, do të kufizohen në pak ditë. “Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli do t’i kufizojnë bisedimet në një periudhë të shkurtër. Më pas, Hamasi do të shpërbëhet – ushtarakisht ose politikisht”, deklaroi kryeministri izraelit.
Netanyahu shtoi gjithashtu se shpreson që gjatë festës hebraike të Sukkot (6–12 tetor) të mund të njoftojë kthimin e të gjithë pengjeve. “Ushtria izraelite (IDF) do të qëndrojë në thellësi të Rripit të Gazës dhe në territoret që tashmë kontrollon”, theksoi ai.

Philippe Lazzarini, kreu i agjencisë palestineze të refugjatëve të OKB-së, UNRWA, ka folur mbi situatën në zhvillim e sipër në lidhje me planin e paqes të Donald Trump.
Në një deklaratë të postuar në X, ai shkruan se tani ekziston një "moment i mirëpritur dhe i rrallë për të arritur një armëpushim të përhershëm në Gaza dhe për të hapur rrugën për një zgjidhje afatgjatë për t'i dhënë fund konfliktit të gjatë me dekada".
Ai shton se kjo është gjithashtu "një dritare e rrallë shprese për t'i lejuar OKB-së, përfshirë UNRWA-në, të adresojë urinë dhe vuajtjet e mbi 2 milion njerëzve me nevoja të papërshkrueshme". Por Lazzarini gjithashtu kërkon që "ata që janë përgjegjës për mizoritë e kryera" më 7 tetor dhe që nga ajo kohë duhet të ndiqen penalisht.
Në afat të shkurtër, të gjithë pengjet dhe të ndaluarit palestinezë duhet të dorëzohen, bombardimet duhet të ndalen dhe ndalimi ndaj UNRWA-s duhet të hiqet, shton ai.
Izraeli akuzon UNRWA-n për bashkëpunim me Hamasin dhe në fakt e shpalli të jashtëligjshme në janar, duke paralizuar operacionet e saj të ndihmës në Rripin e Gazës.

Foto: Recep Tayyip Erdogan
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, përshëndeti reagimin pozitiv të Hamasit ndaj një marrëveshjeje paqeje të propozuar nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
"Hamasi ka demonstruar, siç ka bërë shumë herë në të kaluarën, se është gati për paqe. Kështu, është hapur një dritare mundësie për paqe të qëndrueshme në rajonin tonë", tha Erdogan gjatë një ceremonie në Stamboll.

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas ka mirëpritur reagimin e Hamasit ndaj planit të paqes të Donald Trump. Ai gjithashtu përsëriti thirrjet për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe falënderoi SHBA-në dhe vendet arabe dhe islamike për përpjekjet e tyre në punën drejt paqes.
Abbasi "konfirmoi gatishmërinë e Shtetit të Palestinës për të punuar në mënyrë konstruktive me Presidentin Amerikan Trump që nga ky moment dhe me të gjithë partnerët përkatës".
“Ajo që ka rëndësi për ne tani është angazhimi i menjëhershëm për një armëpushim të plotë, lirimi i të gjithë pengjeve dhe të burgosurve, ofrimi i ndihmës urgjente humanitare përmes organizatave të Kombeve të Bashkuara, sigurimi që të mos ketë zhvendosje apo aneksim dhe fillimi i procesit të rindërtimit.", tha ai.
Nesër në Egjipt do të fillojnë negociatat për zbatimin e planit të Trump, raporton N12. Delegacioni izraelit do të udhëhiqet nga Ministri Ron Dermer. I pranishëm do të jetë edhe i dërguari amerikan Steve Witkoff, i cili është nisur tashmë për në Kajro. Një zyrtar i lartë i Hamasit raportoi se përgatitjet në terren fillojnë sot.
![]()
Hamasi nuk është në gjendje të sigurojë kthimin e të gjithë pengjeve izraelite brenda 72 orëve, siç parashikohet në planin e Trump. Kështu deklaroi Musa Abu Marzouq, një anëtar i lartë i lëvizjes, në një intervistë me Al Jazeera.
"Ne nuk do të jemi në gjendje t'i lirojmë të gjithë brenda 72 orësh. Ne do të hyjmë në negociata për të gjitha çështjet që lidhen me lëvizjen dhe armët: është e pamundur të zbatohet plani pa negociata", theksoi ai.
Më tej shtoi se disa klauzola të planit të Trumpit kërkojnë sqarim.
"Zbatimi i pikave të planit kërkon detaje dhe mirëkuptim, përfshirë forcën paqeruajtëse", tha zyrtari.

Forumi i Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura thotë se tani është koha që Izraeli të "qëndrojë i bashkuar" për të siguruar kthimin e të gjithë pengjeve të mbetura nga Gaza.
"Jemi në ditë vendimtare për një marrëveshje - ditë që do të përcaktojnë se kur pengjet e gjalla do të kthehen për rehabilitim dhe të ndjerit do të kthehen për varrim të duhur. Kjo është ora kur i gjithë Izraeli duhet të qëndrojë së bashku dhe të kërkojë me zë të lartë: të bëjmë gjithçka që është e mundur për të sjellë vëllezërit dhe motrat tona në shtëpi", thotë forumi në një deklaratë.
Organizata, e cila u formua menjëherë pas sulmit të 7 tetorit, drejtohet kryesisht nga vullnetarë dhe mbështet familjet e pengjeve, ndërkohë që ushtron presion mbi qeveritë që t'i kthejnë ata në shtëpi. Ajo u ka bërë thirrje izraelitëve të mblidhen sonte në Sheshin e Pengjeve në Tel Aviv, për të shënuar gati dy vjet që nga sulmi i 7 tetorit.
"Ky është momenti, koha dhe vendi për të vërtetuar se asgjë nuk është më e fortë se solidariteti izraelit."

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka reaguar pasi Hamasi u deklarua i gatshëm për bisedime paqeje në përgjigje të planit të paqes të Presidentit të SHBA-së Donald Trump. Në një reagim në X, Macron thotë se dorëzimi i të gjithë pengjeve dhe armëpushimi në Gaza janë të arritshme.
"Lirimi i të gjithë pengjeve dhe një armëpushim në Gaza janë të arritshme! Angazhimi i Hamasit duhet të ndiqet pa vonesë. Tani kemi mundësinë të bëjmë përparim vendimtar drejt paqes!" shtoi Macron.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka përshëndetur vendimin e Hamasit, i cili pranoi planin e SHBA për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Diplomatja thotë se Evropa do të mbështesë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës dhe për të promovuar zgjidhjen me dy shtete, si të vetmen zgjidhje të qëndrueshme për paqe.
“Gatishmëria e deklaruar e Hamasit për të liruar pengjet dhe për t'u angazhuar në bazë të propozimit të fundit të SHBA është inkurajuese. Ky moment duhet të shfrytëzohet. Një armëpushim i menjëhershëm në Gaza dhe lirimi i të gjithë pengjeve janë të arritshme. Evropa do të mbështesë të gjitha përpjekjet për t'i dhënë fund vuajtjeve të civilëve dhe për të promovuar zgjidhjen e vetme të qëndrueshme për paqen: zgjidhjen me dy shtete.”, shkroi ajo.

Agjencia e lajmeve izraelite N12 raporton se IDF ka pezulluar sulmet në Gaza që nga mëngjesi i sotëm. Sipas medias, IDF tani po përqendrohet në operacionet mbrojtëse për forcat e saj të vendosura në zonë.
Qyteti i Gazës mbetet nën rrethim dhe forcat izraelite nuk po tërhiqen, por po qëndrojnë në të njëjtat linja që kanë arritur deri më tani. Deri në orët e para të mëngjesit, Forcat Ajrore ende sulmonin në të gjithë Rripin, por në orët e fundit, direktiva nga udhëheqja politike është që të ketë sulme vetëm nëse ka ndonjë kërcënim.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu ka publikuar një deklaratë, duke thënë se vendi do të punojë me SHBA-në mbi planin për paqe në Gaza. Në deklaratë, thuhet se ushtria izraelite po përgatitet që të nisë menjëherë zbatimin e fazës së parë të planit të Trump për të marrë të gjithë pengjet nga Hamasi.
“Në dritën e përgjigjes së Hamasit, Izraeli po përgatitet të zbatojë menjëherë fazën e parë të planit të Trump për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve. Ne do të vazhdojmë të punojmë në bashkëpunim të plotë me Presidentin dhe ekipin e tij për t'i dhënë fund luftës në përputhje me parimet e përcaktuara nga Izraeli që janë në përputhje me vizionin e Presidentit Trump.", thuhet në deklaratë.

Foto: Donald Trump dhe Antonio Guterres
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, përshëndeti përgjigjen e Hamasit ndaj planit të Trump për Gazën, tha zëdhënësi i tij Stephane Dujarric, duke falënderuar gjithashtu Katarin dhe Egjiptin për ndërmjetësimin e tyre.
Guterres gjithashtu përsëriti thirrjen e tij "për një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm, lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve dhe akses të pakufizuar humanitar", shpjegoi Dujarric.
"Kombet e Bashkuara do të mbështesin të gjitha përpjekjet për të arritur këto qëllime për të parandaluar vuajtje të mëtejshme", shtoi ai.
Kryeministri britanik, Keir Starmer ka mirëpritur vendimin e Hamasit për të pranuar planin e propozuar nga SHBA për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Në një deklaratë zyrtare, ai tha thotë se Britania e Madhe mbështet përpjekjet e presidentit të SHBA, Donald Trump, i cili po afron gjithmonë e më shumë drejt paqes.
“Pranimi nga Hamas i planit amerikan të paqes është një hap i rëndësishëm përpara. Ne mbështesim fuqimisht përpjekjet e Presidentit Trump, të cilat na kanë afruar më shumë se kurrë më parë drejt paqes. Tani ekziston një mundësi për t’i dhënë fund luftimeve, për kthimin e pengjeve në shtëpi dhe për t’i çuar ndihmat humanitare atyre që kanë aq shumë nevojë për to. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të zbatojnë marrëveshjen pa vonesë. Mbretëria e Bashkuar, së bashku me partnerët tanë, është gati të mbështesë negociata të mëtejshme dhe të punojë drejt një paqeje të qëndrueshme si për izraelitët ashtu edhe për palestinezët.”, shkruan ai.
Deklarata e Starmer
Komente












Lavdi rezistences, teshti duhet nje plan me shkatrru definitivisht shtetin sionist e me pru paqe perfundimtare ne lindjen e mesme
Përgjigju