Gjyshja e gruas së ardhshme të Ali Këlcyrës, Avdije Dudush hanëm Vrionit, ka qene Hedije hanëmi, halla e Ahmet Zogut. Kjo do të thoshte se ishte kushërirë e parë e tij.
Ndërkaq nëna e Avdijes qe Afife hanëm Biçaku.
Gruaja e parë e Xhelalit, të jatit të Aliut, Ruhija, e cila tashmë pati ndërruar jetë, ishte Ruhija, motra e Afifesë.
Po ashtu një nga dajallarët e Avdije Dudush hanëm Vrionit, Hasan bej Biçaku, qe martuar me Milin, motrën e vetme të Ali Këlcyrës.
Duke qenë se Avdija çdo vit vinte për tre muaj tek e gjyshja e saj në Elbasan, tek familja Biçakçiu, po ashtu këtu, për shkak të Hasanit që vinte shpesh në shtëpinë prindërore, ishte e pranishme edhe Mili.
Mili qe një grua mjaft aristokratike dhe shumë e ditur. Fliste pesë gjuhë të huaja dhe pati përvetësuar të gjitha programet e shkollës së Gallatasarajt. Ali u sillte vazhdimisht librat që studionte në universitet dhe që kur ishte ende vajzë në Këlcyrë, Mili me to përgatitej prej mësuesish privatë. E martuar dhe më në fund e vendosur në Tiranë ajo kishte në dhomën e saj një faqe të tërë muri me libra, çfarë çdo vizitor e linte pa gojë.
Mili që lexonte shumë, aristokratike në sjellje dhe veshje, njëkohësisht edhe mjaft intelektuale, e vlerësonte gjer në adhurim të vëllanë, por edhe Ali Këlcyra e donte me tërë shpirtin. Qenë mjaft të lidhur dhe këtë cilësi të tyre e dinin të gjithë.
Duke qenë se Avdije Dudush hanëm Vrioni përvitshëm qe e pranishme në Elbasan dhe gjyshja e saj dhe njëkohësisht halla e Ahmet Zogut, Hedije hanëmi, kishte patur mundësinë ta njihte mirë Ali Këlcyrën, ndërhyri për t’u bërë fejesa mes mbesës së saj dhe politikanit të njohur. Nuk u quajt pengesë që e reja ishte 14 vjeçe edhe i shoqi i saj i ardhshëm 17 vjet më i madh.
Vrionasit nuk kundërshtuan, në mos në pamje të parë u erdhi mirë, ca më shumë që ndërkohë të tre motrat e Avdijes qenë martuar. Por kërkuan që menjëherë të caktohej data e martesës. Ali Këlcyra u vuri në dukje se nuk bëhej fjalë për martesë pa mbushur vajza 18 vjeç. Atëherë këta reaguan të shqetësuar: “Por çfarë të bëjmë ne deri atëherë?” Aliu u afroi një zgjidhje: ta dërgonin të motrën në Zvicër, në një kolegj për vajza.
Tre vëllezërit e Avdijes kërcyen nga vendi dhe refuzuan prerë. Sipas tyre, beu i Këlcyrës me propozimin e tij të çuditshëm kishte pasur vetëm një hall: të shkonte lirisht tek e motra e tyre jashtë vendit dhe të takoheshin pa u martuar. Ata qenë të vendosur që edhe në Shqipëri Ali Këlcyra dhe Avdije Dudushi të mos takoheshin kurrë pa ardhur dita e mbushjes tetëmbëdhjetë vjeç dhe e shpalljes nuse.
Në rrethana të tilla Aliu, i cili qe edhe deputet, kërkoi t’i dërgohej, të paktën, një fotografi e gruas së tij të ardhme. Ia sollën me mjaft vonesë, por nuk qe veç pamja e një fëmije 11 muajsh, madje me një fytyrë pothuaj pa qime floku. Nuk kuptohej nëse ishte femër apo mashkull.
Atëherë Ali Këlcyra u përpoq ta përfytyronte gruan e tij të ardhshme sipas një krahasimi të thjeshtë: i njihte të tre motrat e saj dhe duhej patjetër në pamje t’u ngjante sadopak atyre. Pra, pak a shumë, ishte e bukur.
Gjithsesi bëri një përpjekje që të paktën Avdija ta shihte. Ajo nuk mund të merrte për burrë një person që nuk e kishte parë kurrë, ca më tepër që ai ishte 17 vjet më i madh dhe kjo hapte shteg të fshihej, në mos i shëmtuar. një njeri i plakur. Kështu Ali Këlcyra iu lut vëllait të dytë të Avdije Dudush hanëm Vrionit që kur ai, për arsye pune me një komision parlamentar, të vinte në Fier në sarajet e Omar Pashës, t’i jepej të paktën vajzës mundësia që ta shihte. Sikur edhe nga larg.
Dhe kështu u bë. Që pas një penxhereje i vëllai i tregoi me gisht të motrës se cili prej të ardhurve nga Tirana ishte Ali Këlcyra.
Dashuri vetëm duke e lexuar në gazeta
Ymer pashë Vrioni, i cili ishte xhaxhai që pas vdekjes së parakohshme të prindërve të Avdijes, e kishte rritur, filloi të verbohej. Kishte perde të rënduar në të dy sytë. Tashmë i duhej një njeri që t’i lexonte me zë të lartë gazetat dhe kështu ai të ndiqte situatën. Për këtë punë zgjodhi të mbesën. E konsideroi si sekretare.
Leximi i ngadalshëm i shtypit që vinte nga kryeqyteti i porsashpallur, Tirana, por po ashtu edhe prej disa qyteteve të tjerë, përfshi Beratin dhe Fierin ku Vrionasit qenë të gjithëpushtetshëm, lypte disa orë. Kjo ngadalësi ndodhte edhe sepse Avdija qe pa ndonjë shkollë të nisur dhe të përfunduar plotësisht. Shkrim-këndimin e pati përvetësuar prej governantesh apo mësuesi kalimtar të familjes. Si edhe me vullnetin e vet. Qe një autodidakte e përsosur. Ndërkohë e donte shumë të folurën amtare, gjuhën shqipe, ç’ka në të vërtetë ishte një cilësi e njohur e më të shumtëve në shtëpinë e pasur Vrioni, veçanërisht trungut amë të dinastisë, krijuar dhe vendosur në Berat.
Tek sa Avdije Dudushi i lexonte përditshëm gazetat xhaxhait të vet, ndeshte përherë me emrin e Ali Këlcyrës, me artikuj e sidomos fjalime të tij në parlament. Ky dukej se qe më aktivi, më magjepsi në përdorimin e fjalës, si edhe më i çuditshmi, sepse ishte një bej që nuk i donte bejlerët.
Katër vitet 1920-1924 qenë befasues për Avdije Dudush hanëm Vrionin. Pa e parë asnjëherë nga afër burrin e saj të ardhshëm, pikërisht prej atyre që për xhaxhanë në qorrim lexonte në gazeta, po e njihte shumë mirë. Tani thua e prekte me dorë. Dhe duhet thënë se vajzën e re nuk e entuziazmonte vetëm zotësia dhe prestigji i tij i madh si politikan, gojëtaria shkëlqimtare, por edhe vetë idetë që shpallte. Mes të tjerash e mahniste këmbëngulja e Ali Këlcyrës për të drejtat e femrës shqiptare, të cilat i kërkonte njëlloj si të burrit. E kish bërë deklaratën e vet që në fund të vitit 1920 dhe e përsëriste atë këmbëngulshëm. Avdija ishte me të kur ai thoshte se femra shqiptare i meriton të gjitha të drejtat, sepse nëpër shekuj ka ruajtur, nëpërmjet rritjes dhe edukimit të fëmijëve, identitetin kombëtar.
Më në fund qeveria ia rrëzoi projektligjin, sepse e konsideronte, për mjedisin konkret, tepër të avancuar, jo realist, gjë që mund të shkaktonte të kundërtën. Sepse në fund të fundit kaq shumë të drejta sa kërkonte deputeti Këlcyra ende nuk i kishte gruaja franceze, zvicerane apo italiane. Gjithsesi Aliu nuk u dorëzua. E ktheu nga një prej tezave të tij në motiv të parë të jetës së tij politike.
Dakordësia e Avdijes me burrin e saj të ardhshëm qe pothuaj tërësor. Kjo përputhje fillimisht e hutoi, madje i shkaktoi brerje ndërgjegjeje, sepse asnjëherë, për shembull, nuk e kishte shkuar ndërmend që si bijë e një prej familjeve më të mëdha pronare tokash, me pak fjalë një bejlereshë, të kishte mbajtur fshehur në kraharor një brengë jo tërësisht pajtuese me klasën e vet. Por Avdije Dudushi nuk kishte fuqi t’i largohej këtij mëkati. Ishte në mes tunduesi i madh: i shoqi i pritshëm.
Tashmë kishte filluar ta adhuronte.
Në lidhjen e saj të pandashme me Ali Këlcyrën përveç pranisë të motrës së madhe, nënës së saj të dytë, mënyra se si bashkëshorti i ardhshëm nuk e refuzoi, ia deklaroi dëshirën për ta bërë nuse dhe ndërkohë e mbajti larg shtratit martesor për t’i mbushur të tetëmbëdhjetë vitet e të drejtës ligjore për të qenë grua, u shtuan edhe idetë politike të Ali Këlcyrës. Kështu gjithçka iu shndërrua në një ngjizje shpirtërore dhe po aq bindje të patundshme se në këtë botë unazë në gisht mund të vinte vetëm me të.
Ndërkohë Aliu, i cili qe shprehur përherë kundër Ahmet Zogut, gjatë kryengritjes së armatosur të qershorit 1924 shkoi edhe më tej në kundërshtimin e tij: veproi për ta rrëzuar beun e Matit dhe vënë në krye një antifeudal të shumënjohur, Fan Nolin. Kur Zogu pas gjashtë muajsh strehimi dhe përgatitjeje ushtarake në Jugosllavi, u rikthye me forcë të armatosur në Tiranë, Ali Këlcyra mërgoi bashkë me udhëheqësit e tjerë të kabinetit kryengritës të qershorit.
Qe mërgimi i tij i parë i detyruar. Ishte shndëruar në refugjat politik. Nga kjo ikje Avdijes iu drodh zemra dhe e përmbyti pikëllimi, iu trondit shpresa se do të martohej një ditë me të dashuruarin e mbetur larg, burrin që e kishte parë vetëm njëherë pas perdes së rëndë të një penxhereje të sarajeve të xhaxhait. Por ndërkohë i përhapej në të gjithë qenien prej vështrimit të tij imagjinar, prej Parisit, një si ndjesi përkëdheljeje.
Vinte deri tek ajo çdo agim dite dhe muzg të saj. Dhe e mbushte me drithërima.
Ali Këlcyra prish biografinë e Vrionasve
Avdije Dudush hanëm Vrioni mendonte përse të mos kishte shpresë në një mirëkuptim politik të burrit të saj të ardhshëm, Ali Këlcyrës, me të shumëfuqishmin e vendit? Zogollët kishin lidhje fisnore me Këlcyrajt dhe Vrionët. Ndërkohë Hedije hanëm Zogolli, e motra e Nënës Mbretëreshë, qe martuar me Jusuf bej Biçakun, ku Vrionët kishin përzjerje të fortë gjaku. E vetëngrohte Avdije Dudush hanëm Vrionin besimi se Sadije Zogolli e kishte krejt sinqerisht kur konsideronte atë si mbesë të vet.
Mirëpo ngjarjet që vinin njëra pas tjetrës nuk jepnin asnjë shenjë drite. Ahmet Zogu nuk iu dorëzua këtyre krushqive dhe nuk u lëkund nga zgjedhja e tij politike. E deklaroi menjëherë Ali Këlcyrën si armik të regjimit dhe një mot më pas, në 1926, shkoi edhe më tej: e dënoi me vdekje. Po ashtu edhe me sekuestrim të pronave.
Qe saktësisht moti kur Avdije Dudushi, e lindura në 1908, mbushi plot tetëmbëdhjetë vjeçe. Tashmë në familjen Vrioni u shtua shqetësimi nga prishësi i biografisë së tyre, Ali Këlcyra, dhe bëri vend mendimi se prej atij dhendëri të ardhshëm duhej të distancoheshin sa më parë.
Në qëndrimin e familjes Vrioni për të shkëputur njëherë e mirë çdo mundësi për ta martuar bijën e tyre Avdije me njeriun e dënuar me vdekje, vonë u kuptua se mes tre vëllezërve shtynte edhe një zelltar: Nexhmedini, vëllai i madh i saj. Përditë e më shumë ai i derdhte bojë të zezë kobit të prishjes së biografisë me Ahmet Zogun, sepse thellë-thellë e kishte një hall që nuk e zbulonte: donte të mos dilte nga shtëpia dhe të ikte tek Këlcyrajt prona e të motrës, e cila ishte gjithë-gjithë vetëm një çiflig: Muçani në Fier.
Salih Pasha, i jati, para se të ndërronte jetë, e bëri testamentin e trashëgimit pronësor. Kishte shtatë çifliqe dhe ua ndau tre djemve dhe katër vajzave. Motra e madhe, Nafija, e cila kishte qenë e fejuar me xhaxhanë e Ali Këlcyrës, Veli beun, dhe per shkak të vdekjes së parakohshme të këtij dhe ruajtjes të prikës së saj, e mori për grua xhaxhai tjetër, Muhamet beu, si pronë nga i ati kishte fshatin Rupan pranë Lushnjës. Motra tjetër e Avdije Dudush hanëm Vrionit, Hadija, e shoqa e Eqerem bej Vlorës zotëronte Kuçovën, ndërsa motra Rukije, bashkëshortja e Safa bej Vlorës, të vëllait të Eqeremit beut, kishte katundin Polovinë.
Duke u ndarë çifliqe edhe katër vajzave të veta, Salih Pashë Vrioni kishte thyer edhe një traditë të rreptë të latifondistëve shqiptarë, të cilët pasuritë në tokë deri atëherë ua jepnin vetëm meshkujve. Për pasardhëset femra, kur u bëhej prika e martesës, u jepej vetëm para.
Nexhmedini mendonte se po të mos bëhej martesa, nëpërmjet manovrimit të ligjeve të kohës, do ta fuste në dorë çifligun e Avdijes. Madje atij, por edhe dy vëllezërve të tjerë, u shkoi ndërmend edhe të propozonin kandidatura të tjera martese. Ato qëllimisht qenë burra prej një shtrese më të ulët, kështu edhe të hiqnin dorë më lehtësisht nga prona e Avdijes.
Në këtë mjedis që iu bë e vështirë, ajo nguli këmbë edhe më fort: për të në këtë jetë nuk do të kishte asnjë burrë tjetër përveç Ali Këlcyrës.
Një ndodhi e papritur në Pallatin Mbretëror
Në 1926 Avdije Dudush hanëm Vrioni qe 18 vjeç dhe katër vite më pas plot njëzetë e dy. Në 1933 ishte tashmë njëzetë e pesë. Gojët e liga thoshin se pas kaq kohe që nuk e kishte parë me sy dhe prekur me dorë burrin e saj të ardhshëm, Avdijes duhej t’i kishte sadopak nisur procesi i zbehjes së dashurisë për të. Në 1933 mbusheshin nëntë vite prej ditës së fejesës, pra fillimit të pritjes për të krijuar familje me të adhuruarin e saj që merrej aq fort dhe me aq rrezik me politikë.
Por pikërisht në 1933 ndodhi e papritura.
Avdije Dudush hanëmi çdo vit lejohej prej familjes Vrioni t’i kalonte tre muaj në Elbasan, tek gjyshja Ifete, tek Biçakçinjtë. Po ashtu dhjetë ditë kur shkonte dhe dhjetë ditë kur vinte nga Elbasani, kishte leje të rrinte në Tiranë tek Mehdi bej Frashëri, i cili qe martuar me motrën e Afifesë, Najre hanëm Biçakçiun.
Kur në 1933, sipas ritit të përvitshëm, shkoi në Tiranë, e shoqja e Mehdiut i tha se pas dy ditësh do të shkonin në Pallat. Nëna Mbretëreshë kishte shprehur dëshirën ta njihte. Madje qe shprehur se Avdija ishte e vetmja nga mbesat që nuk e kish parë dot.
“Do të shkojmë t’i puthim dorën”, e mbylli fjalën e saj Najreja, duke besuar edhe vetë se ky takim kishte vetëm këtë thelb ceremonial.
Kur shkuan në Pallat, pas fjalëve të fillimit, Nëna Mbretëreshë e pyeti Avdijen sa vite kishte mbushur.
-“Njëzetë e pesë”, u përgjigj ajo.
-“Përse nuk je martuar akoma?, vijoi Sadije hanëm Zogolli. -“Nuk jam martuar sepse e kam të fejuarin jashtë shtetit”.
Nëna e Ahmet Zogut heshti një grimë. Nuk e pyeti se cili qe i fejuari. Sigurisht e dinte, madje sepse e dinte lidhjen e të mbesës me Ali Këlcyrën, edhe e kishte thirrur.
-“Djali im, vazhdoi ajo pas pak, ka ato lidhje që ka me Ali benë, por nuk do të bëhet kurrë shkak që t’i prishi fatin”.
Avdijes i brofi zemra aq fort sa brenda gjoksit nisi t’i përplasej si zog me murin e brinjëve.
-“Përse nuk shkon në Paris të martohesh?”, shqiptoi befasisht Nëna Mbretëreshë dhe e pa kushërirën njëzetë e pesë vjeçare drejt e në sy.
-“Po unë nuk kam pasaportë”, belbëzoi Avdije Dudush hanëm Vrioni dhe ndjeu njëherësh se një palë krahë të fuqishme shpendi po e ngrinin në qiell dhe që të dy po ato çaste nisën fluturimin drejt atij këndi të horizontit ku fantazia e saj, që pas ikjes së Ali Këlcyrës, kishte vendosur Italinë dhe më pas Francën me kryeqytetin e saj plot gjallëri, Parisin.
Këtë çast Nëna Mbretëreshë iu drejtua gruas së Mehdi bej Frashërit: “Sa do të rrijë tek ty Dudushi?”
Sadije Zogolli po e thërriste me përkëdheli. Avdija tashmë ndodhej në qiellin e shtatë.
-“Dhjetë ditë”, iu përgjigj Najle hanëmi.
-“Do ta nisësh që nesër për në Fier me makinë angazhé”, porositi vendosmërisht Nëna Mbretëreshë. Pastaj duke iu drejtuar Avdijes shtoi: “Të shkosh dhe të kërkosh pasaportë për të shkuar në Paris. Pastaj shko tek një avokat t’i japësh një prokurë që ai të merret me pronat e tua dhe të dërgojë muaj për muaj lekët”.
Edhe këtë gjë e kishte menduar! Madje jo vetëm ajo, por pas saj doemos edhe i biri, Ahmet Zogu.
Apo në të gjithë këtë fshihej ndonjë grackë? Avdija e dëboi këtë mendim sapo ai, si të qe plumb, e fshikulloi mbi ball.
Dolën nga Pallati si të dehura. Najles po i merreshin këmbët, kurse Avdijes edhe mendja. Kur hynë në shtëpi, tek u zbrazën çfarë u kishin parë sytë dhe dëgjuar veshët, shtangën edhe vetë Mehdi Frashërin. Kur emocionet e fillimit nisën të vetëpërmbahen dhe në vend të parë doli çështja e realizimit të premtimit mbretëror, procedurat e marrjes së pasaportës si edhe ato të ngarkimit të një avokati që të ndiqte ecurinë ekonomike të çifligut, duke qenë se tashmë po ndërhynte dora e Ahmet Zogut, nuk iu dukën të vështira. Pengesa mund të qe një tjetër. Deri ato çaste as u kishte shkuar ndërmend. Po sikur Ali Këlcyra, burrë i mbajtur dhe me moshë mesatare, prej nëntë vitesh jashtë vendit e sidomos me qëndrim të gjatë në Paris, i rrethuar prej vajzash të bukura franceze, të kish ndërruar mendje?
Ankthi e pushtoi Avdijen dhe i mori sakaq frymën. Duhej patjetër që nëpërmjet motrës së Aliut, të cilën e kishte në Tiranë, Milit, vetëm me të cilën ai mbante këmbim letrash në Shqipëri, ta pyesnin nëse vazhdonte të besonte tek martesa e rënë dakord mbi një dekadë më parë.
Avdija iu lut hallës që t’i shkruante vëllait të saj për çfarë i pati thënë Nëna Mbretëreshë dhe nëse qe gati, po t‘i vinte ajo në Paris, të martoheshin. Najleja e thurri letrën dhe e dërgoi menjëherë.
Mori prej Ali Këlcyrës ndonjë pusull dore apo telegram poste, kjo nuk dihet, veç pas jo më shumë se një jave i tha Avdijes se shumë shpejt ai do t’i kthente një letër të shkruar gjerë e gjatë. Kur kjo letër mbërriti Ali Këlcyra shpjegohej se “unë ja kam dhënë fjalën që 11 vjet më përpara dhe nuk e tërheq, veç se situata ka ndryshuar. Kur e kam kërkuar atë vajzë kam qenë një nga bejlerët e Këlcyrës me mundësi financiare për t’i garantuar jetën me të cilën është mësuar tek Vrionët. Sot situata ka ndryshuar, për këtë të lutem para çdo gjëje të pyeteni vajzën edhe njëherë. Në qoftë se ajo pranon që në këtë jetën tjetër që do të bëjë me mua, të hekurosë rrobat, të bëjë gjellë, të fshijë shtëpinë, të jetojë në një banesë me dy dhoma dhe të bindet që kjo do të jetë jeta e saj, me pak fjalë që nuk do të ketë asnjë privilegj...
Në qoftë se ajo i pranon këto kushte, unë e pres të vijë këtu”.
Avdija lexonte çdo rresht dhe qante me ngulç. Doemos nga gëzimi.
(Vijon)
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)