Katër persona që mbërritën në Itali më 25 prill me fluturimin AZ107 Amsterdam-Romë janë vendosur nën mbikëqyrje shëndetësore nga Ministria italiane e Shëndetësisë, pas alarmit për shpërthimin e virusit Andes Hantavirus në anijen turistike “Mv Hondius”, e cila pritet të mbërrijë në orët në vijim në Ishujt Kanarie, ku do të aktivizohet protokolli i emergjencës.

Katër pasagjerët, së bashku me 58 persona të tjerë, zbarkuan në aeroportin “Leonardo da Vinci” në Fiumicino dhe më pas u drejtuan, sipas autoriteteve pa ndalesa në Romë, drejt destinacioneve të tyre në Firence, Padova, Napoli dhe Catanzaro.

Ata kishin qenë më herët në fluturimin e kompanisë KLM Johannesburg-Amsterdam, në të cilin për disa minuta kishte hipur edhe 69-vjeçarja holandeze Mirjam Schilperoord, banore e Haulerëijk në Friesland. Ajo ndërroi jetë më 26 prill në një spital në Johannesburg, pasi ishte sëmurë me Hantavirus, njësoj si bashkëshorti i saj Leo Schilperoord, 72 vjeç.

“Pacienti zero”

Sipas autoriteteve, “pacienti zero” konsiderohet Leo Schilperoord, një ornitolog i njohur, i cili më 27 mars kishte vizituar një vendgrumbullim mbetjesh në qytetin Ushuaia të Argjentinës për të vëzhguar zogun “Caracara e Darvinit”. Dyshohet se ai u infektua me Hantavirus nga minjtë mbartës të variantit andin të virusit.

Çifti Schilperoord kishte hipur në anijen “Hondius” më 1 prill së bashku me 112 persona të tjerë. Leo Schilperoord ndërroi jetë në bord më 11 prill, së bashku me një turist gjerman.

Më 24 prill, bashkëshortja e tij, e cila ishte tashmë e sëmurë, por pa u lidhur ende rastet me shpërthimin epidemik në anije, zbriti në ishullin Shën Helena së bashku me trupin e pajetë të burrit dhe disa pasagjerë të tjerë. Ajo udhëtoi me një fluturim të KLM drejt Johannesburgut për t’u kthyer më pas në Holandë. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, gruaja qëndroi vetëm pak minuta në vendin e saj në avion, para se të transferohej në spital, ku vdiq dy ditë më vonë.

Alarmi i OBSH-së

Pas alarmit të ngritur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, autoritetet italiane vendosën karantinë parandaluese për tre italianë — dy burra dhe një grua — si dhe për një turist nga Afrika e Jugut që ndodhet aktualisht në një hotel në Padova.

Ndërkohë, autoritetet po përpiqen të identifikojnë edhe 58 pasagjerët e tjerë që zbarkuan në Romë. Shqetësimi rritet pasi duhet të gjenden edhe disa udhëtarë të fluturimit KLM Sant’Elena-Johannesburg.

Ministria italiane e Shëndetësisë u njoftua nga kompania ajrore vetëm të premten e kaluar për praninë e katër personave në fluturimin KLM, kur ata kishin rreth dy javë që ndodheshin në Itali. Tani të katërt po monitorohen nga autoritetet shëndetësore.

Ditët e fundit mbikëqyrja shëndetësore ishte vendosur edhe për rreth 50 pasagjerë të tjerë të të njëjtit fluturim, konkretisht për ata që ishin ulur dy rreshta para dhe dy rreshta pas vendit të zënë nga 69-vjeçarja e infektuar. Ndërkohë, tre persona, përfshirë edhe një stjuardesë, janë shtruar në spital në Holandë me simptoma jo të rënda.

Operacion ndërkombëtar gjurmimi

Në nivel ndërkombëtar ka nisur një operacion i gjerë gjurmimi për të gjithë udhëtarët që ndodheshin në avion, si dhe për kontaktet që ata kanë pasur pasi kanë zbritur.

Procedura kujton masat e para të ndërmarra gjatë pandemisë Covid-19, megjithëse ekspertët theksojnë se situata aktuale është shumë ndryshe, kryesisht për shkak të rrezikut të ulët të transmetimit.

Sipas vlerësimeve të përbashkëta të OBSH-së dhe Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), “aktualisht rreziku për popullsinë e përgjithshme mbetet i ulët dhe shumë i ulët në Europë”.

Maria Rosaria Campitiello, drejtuese e Departamentit të Parandalimit në Ministrinë italiane të Shëndetësisë, deklaroi se “katër pasagjerët e mbërritur në Itali nuk kanë simptoma”, ndërsa Partia Demokratike italiane ka kërkuar që qeveria të raportojë në Parlament për situatën.

Emergjenca në Ishujt Kanarie

Ndërkohë, në Ishujt Kanarie është aktivizuar plani i emergjencës. Belgjika, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Irlanda dhe Holanda po përgatiten të evakuojnë qytetarët e tyre nga anija “Hondius”, për t’i kthyer në vendet përkatëse dhe për t’i vendosur nën mbikëqyrje.

22 shtetas britanikë, për shembull, do të dërgohen në një spital në Arroëe Park, në Merseyside.

Sipas OBSH-së, të gjithë pasagjerët e kroçerës dhe anëtarët e ekuipazhit — mbi 150 persona — konsiderohen “kontakte me rrezik të lartë” dhe duhet të monitorohen për 42 ditë.