Për situatën e krijuar nga shpërthimi i virusit Andes Hantavirus në anijen turistike “MV Hondius”, ka folur virologu italian Fabrizio Pregliasco, drejtor i Shkollës së Specializimit në Higjienë dhe Mjekësi Parandaluese në Universitetin Shtetëror të Milanos.
Çfarë janë Hantaviruset?
“Janë viruse zoonotike, pra viruse që transmetohen drejtpërdrejt ose tërthorazi mes kafshëve dhe njerëzve. Ato infektojnë natyrshëm brejtësit dhe herë pas here transmetohen te njeriu. Deri më sot, transmetimi nga njeriu te njeriu është dokumentuar vetëm për virusin Andes, i përhapur kryesisht në Argjentinë dhe Kili, i cili është edhe varianti që shkaktoi shpërthimin në anijen ‘MV Hondius’.”
Fakti që shpërthimi ndodhi në një anije, është pozitiv apo negativ?
“Anija ka në bord persona nga 23 kombësi të ndryshme, çka përfshin autoritete të shumta shëndetësore. Nga njëra anë kjo ndihmon në kontrollin dhe izolimin e personave. Por nga ana tjetër, ‘perimetri’ i saj nuk është i pakalueshëm: siç pamë, disa pasagjerë zbritën nga anija kur ende nuk ishte e qartë faza evolutive e virusit.”
Ministria italiane e Shëndetësisë ka njoftuar se ka aktivizuar procedurat e vlerësimit të rrezikut dhe mbikëqyrjes. Çfarë do të thotë kjo konkretisht?
“Po tentohet të parandalohet përhapja e variantit andin të Hantavirusit duke identifikuar personat që zbritën nga anija para se virusi të zbulohej, si dhe duke rindërtuar zinxhirin e kontakteve, edhe ato indirekte, si në rastin e katër turistëve që kaluan nga Roma dhe ndodheshin në të njëjtin fluturim KLM me gruan që më pas ndërroi jetë. Është e rëndësishme që situata të frenohet në kohë: si me zjarret, problemi zgjidhet vetëm nëse ndërhyhet herët.”
Italia miratoi së fundmi Planin Pandemik 2025-2029. Çfarë parashikon ai?
“Ky plan synon të jetë më gjithëpërfshirës, sepse përfshin më shumë patogjenë. Dokumentet e mëparshme fokusoheshin kryesisht te sezoni i gripit. Nga ky këndvështrim, dhe jo vetëm, Covid-19 ishte një mësim i madh.”
A mund të zgjerohet shpërthimi i virusit Andes?
“Po, sepse periudha e inkubacionit mund të zgjasë nga 6 deri në 8 javë. Disa pasagjerë mund të jenë ende në rrezik për të zhvilluar sëmundjen. Për më tepër, edhe personat asimptomatikë mund ta transmetojnë virusin, megjithëse zakonisht në këto raste ngarkesa virale është e ulët ose zero. Megjithatë, bazuar në atë që dimë sot, rreziku për një pandemi të re globale, sidomos në Europë, është i ulët. Duhet vetëm të tregojmë më shumë kujdes, por mund të themi me arsye se nuk kemi të bëjmë me një tjetër Covid-19.”
Çfarë ndryshimi ka mes virusit Andes dhe Covid-19?
“Virusi Andes ka një aftësi më të ulët transmetimi, sepse infekton vetëm përmes kontakteve të afërta dhe të zgjatura ose nga thithja e urinës, feçeve apo pështymës së brejtësve të infektuar. Ndërsa Covid-19 ishte shumë ngjitës sepse transmetohej kryesisht përmes rrugëve të frymëmarrjes, përmes pikëzave respiratore dhe ajrit.”
Hantaviruset kanë vdekshmëri më të lartë. Si duhet interpretuar kjo?
“Është e vërtetë. Covid-19 kishte një normë relativisht të ulët vdekshmërie, ndërsa studimet për Hantavirusin tregojnë një vdekshmëri nga 1% deri në 15%, ndërsa varianti andin mund të arrijë edhe deri në 50%. Por simptomat e rënda, paradoksalisht, e bëjnë më të lehtë identifikimin dhe izolimin e rasteve. Për më tepër, sot kemi aftësinë të zbulojmë dhe monitorojmë Hantavirusin dhe të ndërhyjmë menjëherë.”
Cilat janë nivelet e ndryshme të ashpërsisë së infeksionit?
“Ka raste asimptomatike, raste me simptoma të lehta dhe të përgjithshme si dhimbje koke, marramendje, të dridhura, temperaturë, dhimbje muskujsh, të përziera, të vjella, diarre dhe dhimbje barku. Pastaj janë tre sindroma kryesore që karakterizojnë infeksionin nga Hantavirusi: ethet hemorragjike me sindromë renale, të shpeshta në Europë dhe Azi; nefropatia epidemike e vërejtur në Europë; dhe forma më e rëndë, sindroma pulmonare nga Hantavirusi, e përhapur kryesisht në Amerikë.”
A ekzistojnë ilaçe apo vaksina?
“Aktualisht nuk ekziston një trajtim specifik antiviral i autorizuar. Terapia që aplikohet është mbështetëse dhe fokusohet në monitorimin klinik dhe menaxhimin e komplikacioneve respiratore, kardiake dhe renale. Nuk ka as vaksinë. Por, në një skenar hipotetik pandemie, do të ishte e mundur krijimi i një vaksine mRNA brenda 10-12 muajsh falë njohurive të fituara nga pandemia Covid-19.”
Çfarë mund të bëjmë për të parandaluar përhapjen?
“Parandalimi i infeksionit nga Hantavirusi varet kryesisht nga reduktimi i kontakteve mes njerëzve dhe brejtësve. Gjithsesi vlejnë edhe masat standarde kundër sëmundjeve respiratore: larja e shpeshtë e duarve, mbulimi i rrugëve të frymëmarrjes gjatë kollës apo teshtimës dhe, kur është e nevojshme, ruajtja e distancës fizike.
Duhet gjithashtu të merren masa kundër brejtësve: mbajtja pastër e ambienteve të shtëpisë dhe vendeve të punës, reduktimi i burimeve të ushqimit dhe vendeve ku strehohen minjtë, mbyllja e çarjeve dhe hyrjeve që lejojnë futjen e tyre në ndërtesa, ruajtja e ushqimeve dhe mbetjeve në enë të mbyllura, si dhe përdorimi i procedurave të sigurta të pastrimit në zonat e ndotura nga brejtësit apo jashtëqitjet e tyre. Duhet shmangur fshirja apo pastrimi me fshesë me korrent i urinës dhe feçeve të brejtësve, për të mos shpërndarë grimcat virale në ajër.”
A rekomandohet mbajtja e maskës?
“Do të thosha jo. Maska mund të rekomandohet vetëm për ata që duhet të futen në ambiente ku mund të ketë prani brejtësish.”
Çfarë duhet të bëjnë ata që planifikojnë udhëtime në Argjentinë apo në Amerikën e Jugut?
“Aktualisht nuk ka kufizime dhe njerëzit mund të udhëtojnë. Këshilla ime është të monitorojnë faqen ‘Viaggiare Sicuri’ të Ministrisë së Jashtme italiane. Gjithashtu, në Argjentinë dhe kudo tjetër në botë, duhet të shmangen vendet ku hyrja e njerëzve është e kufizuar, siç ishte vendgrumbullimi i mbetjeve në Ushuaia ku dyshohet se çifti holandez u infektua.”
Po ata që kanë rezervuar një kroçerë?
“Besoj se pas këtij rasti masat higjienike do të forcohen edhe më shumë. Mendoj se aktualisht është e sigurt të udhëtosh me avion, traget apo tren.”/Corriere Della Sera
Komente










