Në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar me Hantavirus. Në një deklaratë zyrtare për mediat, Instituti i Shëndetit Publik sqaron se nuk ka vend për panik dhe se risku për përhapjen e këtij virusi në vendin tonë është i ulët.

Artan Simaku, zyrtar i ISHP thekson se brejtësi që e strehon llojin e Hantavirusit që ka shpërthyer në anijen turistike, nuk gjendet në vendin tonë e as në Europë.

“Fillimisht që nuk ka vend fare për panik, absolutisht për panik. Jo vetëm Shqipëria që nuk është fare e rrezikuar, por gjithë kontinenti europian. Është vlerësimi edhe i Organizatës Botërore të Shëndetësisë edhe i Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve Infektive në Stokholm, por edhe i Institutit të Shëndetit Publik është që nuk ka fare rrezik rrisku për Shqipërinë dhe për në kontinentin europian është shumë i ulët. Kjo nënkupton që nuk ka asnjë lloj kufizimi të udhëtimeve në asnjë lloj kufizimi dhe të tregtisë.

Pra jo vetëm në Shqipëri për shtetasit shqiptarë, por për të gjithë shtetasit europianë. Theksojmë që ky vlerësim bazohet në disa kritere epidemiologjike. Lloji i brejtësit që është rezervuar për virusin të ashtuquajtur antes, nuk ekziston në kontinentin europian dhe as në Shqipëri. Hantaviruset janë një grup i madh virusesh, pra të ndryshëm dhe, ky lloj hantavirusi që u zbulua në anijen turistike, transmetohet në raste shumë të rralla nga njeriu tek njeriu, por brenda kontakteve të ngushta familjare dhe të zgjatura, pra duke i shërbyer duke u kujdesur për një për një pacient në mënyrë të afërt brenda familjes”, thotë epidemiologu Artan Simaku.

Më tej ai shton se pavarësisht riskut të ulët, sistemi ynë shëndetësor është i përgatitur dhe janë marrë masa për zbulimin në kohë të çdo rasti të dyshuar, si dhe për izolimin dhe monitorimin e kontakteve.

"Ndërsa për të gjithë llojet e tjera të hantaviruseve që qarkullojnë dhe në Europë dhe në Ballkan, por edhe në vendin tonë që qarkullojnë në mënyrë sporadike nuk transmetohen nga njeriu tek njeriu. Gjithashtu janë marrë masat e shëndetit publik nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë të cilat janë përforcimi i survejancës në lidhje me raste eventuale të të dyshuara, shpërndarja e informacionit në të gjithë shërbimin e sëmundjeve infektive në të gjithë vendin. Gjithashtu po bëhet edhe informimi me të gjithë mjekët, mjekët infeksionistë dhe mjekët e shërbimit parësor për të qenë më të përditësuar me shenjat dhe simptomat e hantavirusit për  zbulimin në kohë të çdo rasti të dyshuar dhe izolimin e këtij rasti të dyshuar nëse do ketë dhe monitorimin e kontakteve. Pra si përfundim themi që nuk ka fare vend absolutisht vend për panik. Shërbimi shëndetësor në të gjithë vendin është i gatshëm për t'u përballur, për të identifikuar sa më shpejt çdo rast të mundshëm", tha ai.

Çfarë është Hantavirusi?

Hantavirusi është një lloj virusi që bartet nga brejtësit dhe transmetohet kryesisht te njerëzit përmes thithjes së grimcave ajrore që rrjedhin nga jashtëqitjet e thata të brejtësve.

Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), infeksionet zakonisht ndodhin kur virusi transmetohet përmes ajrit nga urina, jashtëqitjet ose pështyma e një brejtësi.

Edhe pse e rrallë, mund të transmetohet edhe përmes pickimeve ose gërvishtjeve nga brejtësit.

Cilat janë simptomat?

Një infeksion mund të përparojë me shpejtësi dhe të bëhet kërcënues për jetën. Ekspertët thonë se mund të fillojë me simptoma të tilla si ethe, të dridhura, dhimbje muskujsh dhe, ndoshta, dhimbje koke.

Simptomat e HPS zakonisht shfaqen një deri në tetë javë pas kontaktit me një brejtës të infektuar. Ndërsa infeksioni përparon, pacientët mund të përjetojnë shtrëngim në gjoks ndërsa mushkëritë mbushen me lëng.

Sindroma tjetër e shkaktuar nga hantavirusi – ethet hemorragjike me sindromën renale (HFRS) – zakonisht zhvillohet brenda një ose dy javësh pas ekspozimit.