Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka reaguar pas marrëveshjes për armëpushimin dyjavor mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, duke e cilësuar atë një zhvillim pozitiv për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Në një reagim për mediat, Ministria e Jashtme vlerëson rolin konstruktiv të luajtur nga Pakistani, Egjipti, Turqia dhe Arabia Saudite në mbështetje të përpjekjeve për ulje të tensioneve dhe dialog.

Duke vlerësuar përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për uljen e tensioneve dhe dialogut kuptimplotë, Ministria nënvizon rëndësinë e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për sigurinë dhe paqen për rajonin dhe më gjerë.

Deklarata e plotë e Ministrisë së Jashtme

"Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë mirëpret marrëveshjen për armëpushimin dyjavor ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, e cila synon të hapë rrugën drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme të konfliktit të përshkallëzuar në Lindjen e Mesme. 

Shqipëria ka mbështetur vazhdimisht përpjekjet për ulje të tensioneve, vetëpërmbajtje dhe dialog kuptimplotë. Ndërprerja e furnizimeve globale me energji, përfshirë ndikimin e paqëndrueshmërisë rreth Ngushticës së Hormuzit, vijon të prekë ekonomitë në mbarë botën, duke theksuar urgjencën e rivendosjes së stabilitetit dhe garantimit të rrjedhës së lirë të tregtisë detare.

Ne vlerësojmë rolin konstruktiv të luajtur nga Pakistani, Egjipti, Turqia dhe Arabia Saudite në mbështetje të përpjekjeve për ulje të tensioneve dhe dialog.

Respektimi i armëpushimit dhe angazhimi me mirëbesim drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme do të përbëjnë një kontribut të drejtpërdrejtë për stabilitetin rajonal, sigurinë dhe paqen për të gjithë."

U.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 8 Prill, 10:55

    Armëpushim dyjavor, a besoni se SHBA-Iran do arrijnë edhe një marrëveshje afatgjatë?