Një furgon i policisë së burgjeve u nis paraditen e së martës nga paraburgimi i Durrësit drejt spitalit rajonal të qytetit, 1.1 kilometra larg. Brenda tij, 8 persona.
2 të paraburgosur, njëri, i akuzuar për vepra të lehta penale, dhe tjetri, Altin Ndoci, i pandehur nga SPAK, me një historik të dhunshëm kriminal, nga vrasje, grabitje, e trafik droge, i dyshuar anëtar i organizatës famëkeqe kriminale të Elbasanit, Çopja. Grupi i shoqërimit, 6 persona, përfshirë shoferin.
5 efektivët i shoqëruan njëkohësisht të paraburgosurit drejt godinës së infektivit, brenda spitalit rajonal të Durrësit. Shoferi priti në furgon.
Në katin e tretë dhe të fundit të këtij reparti ndodhet dhoma e posaçme e vizitave për të paraburgosur. Dritare dhe derë me zgarë hekuri, e ngjashme si me qelinë e paraburgimit. I pari përfundoi vizitën. 3 nga grupi i shoqërimit, përgjegjësi dhe 2 policë të burgjeve e shoqëruan me furgon drejt burgut të Durrësit.
Në repartin infektiv, me Altin Ndocin, qëndruan 2 policë. 38-vjeçari me origjinë nga Lezha dhe banim në Tiranë, kishte shqetësime me veshkën. Pas vizitës dhe mjekimit të parë në dhomën e izoluar, siç Report Tv mëson, me rekomandim të mjekut, u kërkua të priste edhe 2-3 orë për një rikontroll nga bluzat e bardha. Burimet thonë se që nga viti 2022 Altin Ndoci, i arrestuar 6 vite më parë për llogari të SPAK, është paraqitur në spital 6 herë për vizita shëndetësore.
Këtë moment pritje shfrytëzoi Altin Ndoci i cili priste në dhomë pa pranga. I kërkoi 2 efektivëve që e ruanin te dera, ta shoqëronin për në tualet, ngjitur me dhomën e vizitës. Sapo dera me zgarën e hekurit është hapur dhe efektivët tentuan t’i vënë prangat, 38-vjeçari nisi t’i godasë dhe i sulmoi, duke hedhur hapat e parë të planit të arratisjes.

Burgu i Durrësit
Njëri prej dy policëve, siç drejtori i burgut të Durrësit tha për Report Tv, qëlloi me armën e shërbimit brenda spitalit, por nuk e plagosi. Altin Ndoci arriti të ikë dhe të zbresë me shpejtësi përmes shkallëve 3 katet e godinës.
Ky është momenti i kapur nga kamerat e sigurisë së spitalit, kur Ndoci sapo ka dalë me vrap nga dera e godinës së infektivit, i veshur me të zeza.

Altin Ndoci sapo ka dale duke vapruar nga godina e infektivit
12 sekonda pas tij dalin efektivët e burgjeve. Njëri qëllon sërish me armë, jashtë godinës, këtë radhë në tokë, si për të trembur të paraburgosurin, ashtu edhe për të njoftuar që diçka nuk po shkonte.
Por më kot. Altin Ndoci ishte larguar drejt traut të parkimit. Jashtë, e priste makina e arratisë. Element ky që përforcon teorinë e një plani të mirëorganizuar. Një Audi A7 me targë AA700RS, me të cilin besohet se morën rrugën drejt zonës së Spitallës.
Me armën e shërbimit në dorë, është dhe ky imazh i policit të burgjeve teksa kërkon të pikasë në rrugë të arratisurin.

Polici i burgjeve me armen e sherbimit duke ndjekur te arratisurin
Pas arratisjes së bujshme, derisa përgjegjësit të zbulohen, i gjithë zinxhiri komandues i burgut të Durrësit u pezullua.
Forcat operaracionale të burgjeve, nga Tirana, zbarkuan në paraburgimin e Durrësit, për të gjetur gjurmë të mundshme të planit të arratisë dhe nëse e ka ndarë me të tjerë e ka bashkëpunëtorë brenda burgut.
Kur furgoni që riktheu në qeli të paraburgosurin e parë, u rikthye të marrë në spital Altin Ndocin, gjithçka kishte përfunduar.
*Shenim: Informacioni është siguruar nga burime konfidenciale nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, nga Drejtoria e Burgut të Durrësit, nga Policia e Shtetit, dhe nga Spitali Rajonal i Durrësit.
I vetmi reagim zyrtar për ngjarjen deri më tani, është vetëm një njoftim paraprak i drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Komente












Edhe ky sot e gjeti te arratisej? Per 113 vjetor te policise
Përgjigju