Emocione të ndryshme shqiptare u sollën në emisionin Esencë me Eljan Taninin që shfaqet çdo të premte ora 21:00 në ekranin e Report Tv!

Profesor Gjon Boriçi hap dosje të pa treguara më parë në lidhje me komunizmin shqiptar. Në lidhje me to ai botuar librin e një pune të thelluar 8 vjeçare me titull: Vendosja e regjimit komunist në Shqipëri (Nëntor 1944-1949).

Në pjesën e dytë të emisionit Esencë u shpalos Rubrika Amarcord me temë Pallatin e Sportit të Korçës, si një qasje e re arkitektonike shqiptare që më pas prej tij dolën disa variante në qytete të tjera!

Gjithashtu, artisti dhe violinisti Tedi Papavrami rrëfeu për herë të parë ndodhitë e jetës së tij në Francë në lidhje me Sigurimin e Shtetit.

Emisioni u mbyll me renditje datash të Rubrikës Ditar nga e kaluara në lidhje me datën 13 shkurt në historinë shqiptare. Shkurt e shqip, ja çfarë treguan të ftuarit e mbrëmjes”.

Pjesa e parë, Gjon Boriçi

Eljan Tanini: - Si ju lindi ideja per te shkruar kete libër, a patet probleme gjate hulumtimeve tuaja dhe sa ju desh per ta perfudnuar? Si ia doli Hoxha te qendronte ne pushtet, aftesi e tij apo e gjeti gati?

Gjon Boriçi: -Kur nisa punën për librin “Vendosja e regjimit komunist në Shqipëri (Nëntor 1944 – Dhjetor 1949)”, nuk e mendoja se do të më duheshin tetë vite të plota hulumtimi. Ishte një rrugëtim i gjatë, i lodhshëm dhe emocionalisht i rëndë. Nuk kishte ekzistuar më parë një studim kaq i thelluar mbi instalimin e regjimit monist në Shqipëri. Ndjeja përgjegjësi  jo vetëm si studiues, por edhe si qytetar.

Hulumtova mbi shtatë fonde arkivale. Dokument pas dokumenti, letra, procesverbale, mbledhje sekrete, shumë prej tyre të shënuara me laps të kuq, materiale që dikur nuk lejoheshin të qarkullonin. Në ato faqe kuptova se pushteti i Enver Hoxhës nuk ishte aq i konsoliduar sa është paraqitur për dekada. Përkundrazi, ishte i brishtë, i rrethuar nga frika, spastrime dhe përplasje të brendshme.

Një nga zbulimet më tronditëse ishte niveli i ndikimit jugosllav. Koçi Xoxe rezulton të ketë qenë figura më pro-jugosllave në qeverinë shqiptare. Në çdo institucion shtetëror kishte këshilltarë jugosllavë, jo një, por shpesh dy në të njëjtën zyrë. Dokumentet flasin për bashkimin monetar Shqipëri–Jugosllavi, një proces që i kushtoi vendit rreth 45% të arit të vet. Madje përmendet edhe një shifër tronditëse: 21 miliardë dinarë si “blerje” ekonomike e Shqipërisë nga jugosllavët.

Në ato vite nisi eliminimi sistematik i kundërshtarëve politikë. Klima e frikës u përhap në çdo qelizë të shoqërisë. Kam lexuar letra ku bashkëshortët denonconin njëri-tjetrin. U ndërtua modeli i “njeriut servil”, i gatshëm të sakrifikonte gjithçka për të mbijetuar.

Eljan Tanini: -Ishte kjo fryt i politikave të Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes? Dokumentet tregojnë se fryma e terrorit ishte e organizuar dhe e mirëstrukturuar.

Gjon Boriçi: -Ndërkohë, Britania e Madhe hodhi fletushka nga ajri mbi territorin shqiptar, një përpjekje për ndikim politik dhe psikologjik në një vend që po rrëshqiste drejt izolimit.

Përplasja mes Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë do të ndryshonte fatin e Shqipërisë. Mehmet Shehu ishte ndër të parët që u shpreh kundër orientimit jugosllav, ndërsa Xoxe kërkonte eliminimin e tij. Shqipëria ishte në një fije peri. Nëse ndarja mes Moskës dhe Beogradit nuk do të kishte ndodhur, historia jonë mund të kishte marrë një tjetër drejtim, ndoshta edhe më tragjik.

Gjatë kërkimeve hasa edhe narrativa të debatueshme historike, si pretendimet për rolin e Vladimir Leninit në marrëdhënie me Gjermaninë gjatë Luftës së Parë Botërore, çështje që vazhdojnë të diskutohen nga historianët.

Ajo që më ka mbetur më shumë është pyetja: si nuk e kuptuan njerëzit se çfarë po ndërtohej përpara syve të tyre? Apo ndoshta frika ishte më e madhe se vetëdija?

Ky libër nuk është thjesht një studim historik. Është përpjekje për të kuptuar rrënjët e një sistemi që formësoi mendësinë, institucionet dhe jetët tona për dekada. Tetë vite punë më mësuan se historia nuk është bardh e zi, dokumentet flasin, nëse ke durimin t’i dëgjosh.

Pjesa e dytë, Amarcord shkon në Korçë

Reflektim nga Eljan Tanini: -Në emisionin Esencë, ndalem shpesh tek ato hapësira që mbajnë brenda kohën, dhe një prej tyre është Pallati i Sportit në Korçë. Për mua, ai nuk është thjesht një arenë sportive, por një vepër arkitektonike fine, një dëshmi se si estetika dhe funksionaliteti mund të bashkëjetojnë edhe në periudha të vështira. Brenda atyre mureve ndjen dialogun mes së shkuarës dhe së tashmes; kanë mbetur ende stilizime tipike shqiptare të para viteve 90të, detaje që flasin për identitet dhe kujdesin artistik. Në ato vite ishte e vështirë të ndërtoje diçka të tillë, jo vetëm për kushtet ekonomike, por edhe për kufizimet e kohës. E megjithatë, ky pallat sporti qëndron sot si një hapësirë e stilizuar me dinjitet, një kujtesë se Korça ka ditur gjithmonë ta shohë sportin si kulturë dhe arkitekturën si art.

Pjesa e tretë, Tedi Papavrami

Tedi Papavrami: -Babai ishte nisma e çdo gjëje. Ishte ai që na mbushi mendjen se në Shqipëri nuk duhet të jetohej më, se horizonti ishte mbyllur dhe frymëmarrja po bëhej e pamundur. E kujtoj edhe sot takimin tim me Enver Hoxhën! Isha shumë i ri apo i vogël, ndërsa ai fliste me një qetësi të çuditshme, unë mendoja me vete: A i dëgjon ai mendimet e mia apo jo?

Në takimin e parë u tregua i sjellshëm, madje dashamirës. Më tha se harkun duhet ta mbaja si shpatë për të çarë lavdinë e Shqipërisë. Ishte një metaforë e bukur, por brenda meje kishte nisur një tjetër rrugëtim. Kur vendosëm të largoheshim, nuk donim ta kërkonim menjëherë azilin politik, shkuam fillimisht te disa miq, që Sigurimi i Shtetit të mos na vinte më pranë. Franca na dukej vendi që mbronte lirinë, një tokë ku njeriu mund të merrte frymë pa frikë. Në fillim nisa unë të sillja të ardhura në shtëpi, me përkthime e punë të ndryshme, duke ndërtuar jetën hap pas hapi. Në Francë takova më pas edhe  Ismail Kadarenë, e dija shumë mirë kush ishte, por miqësia jonë lindi shpejt, natyrshëm.

Ai ishte entuziast për shqipen time dhe kishte një shqetësim të madh për përkthimin e veprave të tij. Nisa të bëj prova në frëngjisht; i pëlqente mënyra si e sillja tekstin. Libri i fundit që përktheva prej tij ishte “Kur sunduesit grinden”. Kadare njihet në Francë, dhe bashkë me të njihet edhe Shqipëria e veprës së tij. Jeta ime mori një dimension tjetër. Në Francë Sigurimi i Shtetit na ndiqte, madje kanë dashur të na arrestojnë në një shtëpi miqsh të ngushtë. Erdhën deri te dera dhe bënin sikur nuk dinin gjë prej gjëje, por patën frikë të na arrestonin se mund të bëhej skandal.

Ditar nga e kaluara, 13 shkurti në jetën shqiptare

• Dita Botërore e Radios u shpall nga UNESCO në vitin 2011 për t’u shënuar çdo 13 shkurt, më 2012 data u miratua edhe nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

• Më 13 shkurt 1923 lindi Todi Lubonja, ish drejtor i RTSH-së dhe shkrimtar. Pas polemikave të Festivalit të 11-të (1973), u dënua nga regjimi komunist për “shfaqje të huaja”, u internua me familjen dhe vuajti 13 vjet burg në Burrel. U lirua më 1987, ndërsa pas pluralizmit botoi libra autobiografikë mbi diktaturën. Vdiq më 19 nëntor 2005.

• Më 13 shkurt 2000 vdiq Rexhep Krasniqi, figurë e shquar e diasporës shqiptaro-amerikane dhe “bir shpirti” i Bajram Currit. I lindur në Gjakovë (1906), mbajti poste të larta arsimore e shtetërore. Në vitin1943 ishte nënkryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe ministër i Arsimit. Nga viti 1944 jetoi në mërgim, ku drejtoi Komitetin “Shqipëria e Lirë” deri më 1992.