Teuta Doçi rrëfen për herë të parë në ekran jetën e saj dhe të ndërmarrjes që në komunizëm prodhonte çudira për Italinë! Rubrika Amarcord ndalet në Durrës te Vila Zogut, ose sekretet e një pallati mbretëror që ende e adhurojnë të gjithë. Esencë arkiv, flet Bujar Lybesha: Ju tregoj ringritjen në demokraci të Superfosfatit të Laçit dhe shkatërrimin e tij!

Esencë, çdo të premte, ora 21:00 me Eljan Taninin në Report Tv.

Si prodhonte Shqipëria komuniste veshje për Italinë. Flet Teuta Doçi, sipërmarrëse

Teuta Doç: -Kur kujtoj ato vite, më duket sikur po flas për një botë tjetër. Në ndërmarrje gjithçka ishte e organizuar dhe e kontrolluar deri në detaje. Çdo punonjës kishte dosjen e vet, një dosje ku shkruhej çdo gjë për ty: jo vetëm puna, por edhe familja, prejardhja, madje edhe sjellja jote. Ato dosje mbaheshin nga shefi i kuadrit dhe të ndiqnin kudo.

Unë fillova punë shumë e re, vetëm 24 vjeçe, si ekonomiste e lartë në degën e planit. Ishin vitet 80 dhe disa ndërmarrje shqiptare kishin nisur të punonin për eksport, sidomos drejt Italisë. Porositej gjithçka: veshje, por edhe sende të tjera, deri edhe lodra për fëmijë. Ishte një punë e madhe dhe me përgjegjësi.

Që ditën e parë u dallova si natyrë pak rebele. Mbaj mend që ndeza një cigare dhe menjëherë më panë me sy të keq. Aty çdo gjë duhej bërë sipas rregullit.

Në ndërmarrje kishin ardhur edhe specialistë të huaj si italianë, francezë, madje edhe portugezë. Ata sollën makineritë e para moderne dhe ndihmuan në organizimin e punës. Çdo 10 ditë nisej një kamion me mallra drejt Italisë, dhe unë duhej të kontrolloja çdo gjë deri vonë në darkë. Shpesh punoja 2 deri në 3 turne rresht. Kjo më shkruhej në dosje si meritë, por në fakt ishte lodhje e madhe.

Puna ishte e bukur, sepse merreshim me gjëra cilësore dhe moderne, por kishte edhe vështirësi. Kishte raste kur tentohej të vidhej. Mbaj mend që kapa një vajzë me prova.

Nga natyra ime dhe mënyra si flisja, më konsideronin më liberale se të tjerët. Të huajt që vinin flisnin italisht dhe anglisht, dhe ndonjëherë më sillnin edhe ndonjë dhuratë, gjithmonë fshehurazi. Por këto gjëra nuk kalonin pa u vënë re.

Një ditë, punonjës të ndërmarrjes raportuan për mua, sepse më kishin parë duke hipur në makinë me të huajt. Pas kësaj, nuk më lejuan më të komunikoja lirshëm me ta. Situata u bë edhe më e ndërlikuar kur një italian u dashurua me një vajzë të re nga ndërmarrja dhe kërkonte të bënte foto me të.

Më thirrën në polici, te Rajoni i Medresesë dikur, dhe më morën në pyetje. Më kërkonin të flisja më shumë seç dija. Ishte një presion i madh. Në atë kohë pritej që të shkoja për specializim në Itali, por gjithçka u ndal.

Ngjarjet morën kthesë të rëndë kur u përhap fjala se vajza që kishte marrë dhuratë nga italiani ishte dhunuar nga daja i saj. Ishte një situatë e errët dhe e frikshme, ku askush nuk dinte çfarë të besonte.

Si pasojë, Partia më dërgoi në punë vullnetare në Mirditë, në Tarazh. Edhe pse unë plotësoja çdo kusht dhe isha korrekte në punë, mjaftonte një dyshim për të të larguar.

Më vonë, pata mundësinë të qëndroj 40 ditë në Zvicër. Aty kuptova sa e vështirë ishte të dilje jashtë. Për të marrë vizë italiane, duhej të paguaje shumë, rreth 400 dollarë që kalonin dorë më dorë në mënyrë të fshehtë.

Kështu ishte ajo kohë: punoje me përkushtim për të prodhuar për botën, por vetë jetoje i kufizuar, i kontrolluar dhe shpesh i padrejtë. Një realitet i bukur në dukje, por i vështirë për t’u jetuar.

SUPERFOSFATIN e Laçit, si e ringritëm në Demokraci dhe si e SHKATËRROI 97! Flet ndërmjetësuesi i tregtisë së jashtme Bujar Lybesha

Bujar Lybesha: -Fabrika e superfosfatit në Laç nisi punën në vitin 1967, duke u bërë një nga ndërmarrjet më të rëndësishme industriale të kohës. Ajo përbëhej nga disa njësi kryesore: fabrika e acidit sulfurik, fabrika e përpunimit të fosfatit për prodhimin e plehrave kimike dhe më vonë edhe fabrika e pasurimit të bakrit.

Kjo industri arrinte të prodhonte rreth 180 mijë ton superfosfat në vit, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e prodhimit bujqësor në vend. Në atë kohë, prioriteti kryesor ishte rritja e kapaciteteve prodhuese, për të mbështetur ekonominë e centralizuar.

Por pas këtij zhvillimi fshihej një kosto e madhe për mjedisin. Proceset industriale shoqëroheshin me ndotje të rëndë. Shirat acidë shkatërruan bimësinë në të gjithë zonën përreth, deri në mal, duke e lënë territorin të zhveshur. Mbetjet e rrezikshme nga proceset teknologjike derdheshin pa trajtim në det përmes kanalit të acidit.

E rikthyem në gjendje uzinën me urdhër të Aleksandër Meksit ku francezët bën çdo të mirë. Erdhi viti 1997, të gjithë aty pranë u ç’organizuan keq, si rrjedhim, nisën të shtënat edhe mbi ne. Kjo ishte dhe mbeti e tepërt për palën franceze. Turmat suleshin mbi trenin që çonte lëndën e pare në Portin e Durrësit. Ne na shtinin në zyra, mbaj një ditë kur xhamat ranë mbi kokat tona! Pasi çdo gjë po shkonte shumë mire, pa këto trazirat e atij vit, francezi i vuri drynin dhe iku. Nuk mund të duronte më.  

Historia e superfosfatit të Laçit mbetet një shembull i qartë i një epoke ku zhvillimi industrial vinte përpara gjithçkaje tjetër, ndërsa mjedisi dhe shëndeti i njerëzve paguanin çmimin.

Vila e Zogut, nga krijimi te vjedhja e saj! Amarcord, Report Tv

Vila e Zogut në Durrës është një nga godinat më simbolike të historisë moderne shqiptare, që mbart brenda saj luksin e një mbretërie, braktisjen e gjatë dhe përpjekjet për ringjallje.

Vila u projektua dhe u ndërtua në vitet 1926–1927 dhe, ndonëse sot është pothuajse e shkatërruar, financimi i saj ka qenë gjithmonë objekt debatesh. Ajo u ndërtua falë huasë prej 50 milionë frangash ari të vitit 1925, të lidhur mes Ahmet Zogu dhe qeverisë italiane, me kushte të favorshme dhe e menaxhuar nga agjencia SVEA.

Kjo kredi u përdor për projekte publike si rrugë, ura dhe ndërtesa shtetërore, ndërsa në vitin 1927 u përfshi edhe ndërtimi i rezidencës në Durrës. Fillimisht u akorduan 335 mijë franga ari për ndërtimin, të cilat u paguan menjëherë, dhe më pas fonde të tjera për arredimin. Në total, vila kushtoi mbi 1.5 milionë franga ari, një shumë e krahasueshme me ndërtimin e ministrive në Tiranë.

Në fillim ajo u quajt “Vila Presidenciale”, por pas shpalljes së monarkisë në vitin 1928 mori emrin “Vila Mbretnore”.