Gjykata e Posaçme ka dënuar 5 sirianët dhe 2 algjerianët të cilët më 25 maj 2023, hapën zjarr ndaj policisë në Morinë.

Ata ishin pjesë e dy grupeve të trafikimit të emigrantëve të paligjshëm që vepronin në Shqipëri e Kosovë.

Sirianët dhe algjerianët u akuzuan për organizim të trafikut të emigrantëve nga Greqia drejt vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe për tentativën e vrasjes së pesë punonjësve të policisë.

Të dënuarit janë:

Sultan Grimash alias Sadaak Guremache alias Junes Alma - 35 vjet burgim.
Ayoub Bahhoo - 35 vjet burgim.
Muhammed Radën alias Muhamed Radouë alias Radvan Radvan - 35 vjet burgim.
Rabi Lqadi alias Rabi El-Kadi - 8 vjet burgim.
Muhammed Shehab alias Mohamed Al Uthman Shaab alias Mohamed Outman - 35 vjet burgim.
Muhammed Nasir alias Nouh Graie - 12 vjet burgim.
Nagid Alabdalah alias Abu Gira - 8 vjet burgim.

Grupi i parë, përbëhet nga Muhamed Shehab, Muhammed Nasir, Nagid Alabdalah dhe grupi i dytë, nga Sultan Grimash, Muhammed Radaën, Ayoub Bahhoo, e Rabi Lqadi.

Një pjesë e tyre rezultojnë se kanë jetuar në Shqipëri të paktën nga viti 2019, janë kapur disa herë me emigrantë të tjerë në territorin shqiptar, duke u hequr edhe ata si emigrantë, dhe duke mos u bërë e mundur identifikimi i tyre si organizues dhe gjatë intervistimeve, kanë dhënë gjeneralitete të rreme.

Pasi janë dërguar në kampe, janë larguar nga aty, duke pasur edhe urdhra largimi nga territori shqiptar.

Në 2023, kanë jetuar mes Morinës dhe Kosovës, duke hyrë dhe dalë në mënyrë të paligjshme, kanë mbajtur armë, kanë bashkëpunuar shqiptarë, kosovarë dhe të tjerë të huaj duke organizuar dhënie ndihme për kalim të paligjshëm në disa raste. Këta dy grupe kriminale bashkëpunojnë, edhe me grupe që veprojnë në shtete të tjera, që nga vendi i origjinës, vijuar më tej edhe në Greqi, Turqi, Kosovë, Serbi, Gjermani.