Viti 2026 ka nisur me rritje të çmimeve. Inflacioni në muajin janar sipas të dhënave të Institutit të Statistikave ishte 2.3%, nga 1.9% që ishte në janar të vitit 2025.
Shtrenjtimi i qirave është faktori kryesor që ka rritur inflacionin në muajin e kaluar me 0.87% dhe ndjekur më pas nga çmimet e larta të ushqimeve me 0.61%. Sipas raportit të gjitha grupet e mallrave u shtrenjtuan në muajin e parë të vitit.
Në konferencën e parë drejtoresha e re e INSTAT, Lantona Sado listoi faktorët kryesor që ndikuan në rritjen e inflacionit gjatë muajit të kaluar.
Në krahasim me janarin e vitit 2025, çmimet e qirave janë rritur me 8.5%, ku sipas ekspertëve të tregut ndikim në shtrenjtimin e qirave po jep turizmi, i cili ka shtuar kërkesën për apartamente me qira, sidomos në verë, ku rezervimet në platformat online janë në shifra të larta.
Sa i takon ushqimeve, krahasuar me vjet u shtrenjtuan me 1.8%, dhe brenda shportës ushqimore rritja më e lartë ishte tek produktet e bulmetit me 4.6%, ndjekur nga vaji me 3.9% dhe produktet e mishit me 3.8%.
Edhe pse norma mesatare e inflacionit, është nën objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3%, pritshmëritë janë që 2026-ta të ketë një rritje më të shpejtë të çmimeve, me rreth 3.6%.
Kurse viti 2025 është mbyllur me inflacion mesatar 2.2% thotë Instituti i Statistikave, aq sa ishte niveli edhe në vitin 2024.
Komente










