Kuvendi i Shqipërisë ka hapur këtë të premte garën për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të përkohshëm, duke u dhënë kandidatëve të interesuar 4 ditë kohë për të dorëzuar dosjet e tyre.

Kandidati që do të përzgjidhet do të zëvendësojë përkohësisht në këtë detyrë shefin në ikje të organit qendror të akuzës, Adriatik Llalla, të cilit i përfundoi mandati një ditë më parë, më 7 dhjetor.

Nga burime konfidenciale “Report TV” ka mësuar se ndër kushtet kryesore për t’u zgjedhur në këtë post është që prokurori të ketë kaluar procesin e vettingut.

Çështja e prokurorit të ri të përgjithshëm shkaktoi një debat të gjerë politik në ditët e fundit, në të cilin u përfshi edhe faktori ndërkombëtar. Ambasadat e SHBA dhe BE deklaruan se përballë skadimit të mandatit të Llallës, Kuvendi duhet të zbatojë ligjin për të zgjedhur sa më shpejt pasuesin e tij.

Nga ana tjetër, i përballur me kundërshtimet e opozitës, kryeministri Edi Rama i bëri ftesë Lulzim Bashës që të ulen në tryezë për të arritur një pakt për kryeprokurorin e ri, ofertë kjo që u refuzua nga kryetari i PD.

Kundër mazhorancës u rreshtua edhe LSI, që rrjedhimisht doli edhe kundër sugjerimeve të ndërkombëtarëve. 

vendimi
(Njoftimi i publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit)

d.c./shqiptarja.com