TIRANE - Prokuroria e Përgjithshme i kërkon Gjykatës së Lartë të pyesë 75 dëshmitarë për të zbardhur të vërtetën e konfliktit midis fisit Cali dhe deputetit Armando Prenga i pandehur për plagosje dhe armbajtie pa leje.

Kjo kërkesë u bë në hapjen e proçesit ndaj deputetit Prenga i cili vetë nuk ishte i pranishëm, por u mbrojt nga avokati Baftjar Rusi.

Prokurori Altin Binaj tha para gjykatës se është e provuar që Prenga ka kërcënuar pjestarët e fisit Cali me fjalët “Do ju qis fare si fis” dhe më pas përleshja e tyre ka ndodhur jashtë komisariatit të Kurbinit aty ku Prenga sipas akuzës ka përdorur një armë pa leje pistoletë.

Ndaj deputetit Prenga rëndon akuza e plagosjes së Tom e Nikolin Calit si dhe armbajtja pa leje, akuza të cilat ai i ka mohuar. 

Për të rrëzuar pretendimet e akuzës avokati i Prengës kërkoi bërjen e një eksperimenti hetimor me anë të së cilit sipas tij provohet se Prenga s’ka qenë i pranishëm teksa ka ndodhur përplasja fizike me fisin Cali.

Deputeti Prenga u arrestua orët e para të mëngjezit të 5 shtator 2015 pas konfliktiti me Calët për shfrytëzimin dhe peshkimin në Lagunën e Patokut, ndërsa 2 javë më parë Gjykata e Lartë e liroi atë nga masa e sigurisë duke i dhënë “detyrim paraqitje”.

Sëbashku me Prengën u ndaluan dhe pjestarë të familjes Cali për të cilët procesi gjyqësor zhvillohet në gjykatën e Kurbinit.
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)