TIRANE- Një qendër e re moderne, e cila të ofrojë një sërë shërbimesh gratis për dhuruesit vullnetarë të gjakut, është hapur sot në qendër të kryeqytetit. Qendra e Dhurimit Vullnetar dhe mbledhjes së gjakut, e cila është fryt i një projekti bashkëpunimi shëndetësor me Italinë, ndodhet pranë stadiumit “Dinamo”, afër urgjencës së Tiranës, dhe do të shërbejë edhe si qendër kërkimi shkencor për sëmundjet e rralla gjenetike si Talasemia, Fibroza Cistike e Hemokromatoza.
 
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i pranishëm në këtë ceremoni vuri në dukje se kjo qendër është një vlerë e shtuar.
 
“Kjo qendër mund të japë këshillime për dhuruesit në momentin e parë, të cilët mund të shmangin situata apo patologji, nga të cilat mund të vuajnë, të cilat nuk përputhen me dhurimin e gjakut, apo pastaj, edhe planet që ka qendra për të ardhmen, për t’u marrë me analiza më të plota gjaku, për sëmundje, të vështira, të rralla, që kanë të bëjnë edhe me sistem imun”, tha ministri Beqaj.
 
Ndërsa për drejtuesit kësaj qendre në vendin tonë, hapja e saj ka qenë ka qenë konkretizim i punës disa vjeçare në vendin tonë.

“Dhuruesve tani i ofrohet një qendër në Tiranë pa problem, edhe ka një shërbim brenda saj për të gjithë dhuruesit vullnetarë të gjakut”, u shpreh Natale Capodicasa, President i Qendrës për Dhurimin Vullnetar të Gjakut.
 
Qendra është fryt i bashkëpunimit ndërmjet Shoqatës “MAGI Euregio”, dhe Shoqatës së Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut “DHVGJ”, e cila vepron në vendin tonë që në vitin 2005, me mbështetjen e Rajonit Autonom të Trentino Alto-Adige, Sudtirol, Itali.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)