E konsideruar prej vitesh si një nga akset më të rrezikshme, rruga e Komanit, e ndërtuar rreth 50 vite më parë, tashmë po merr pamje krejt tjetër.

Investimi i nisur një vit më parë nga KESH ka transformuar segmentin 32-kilometra nga Vau i Dejës drejt Komanit, duke i hapur rrugë edhe zhvillimit të turizmit në zonë.

"Është një zhvillim i madh për ne sepse ka qenë një skandal. Është një dritë jeshile për këtë zonë”, tha banori.

Vetë shoferët, që e përshkojnë këtë aks prej vitesh, tregojnë ndryshimin e madh, por kujtojnë edhe vështirësitë dhe rrezikun që paraqiste dikur.

“Rruga ka qenë copë copë, ndërsa tani është bërë shumë mirë”, tha një shofer.

Lumi i Shalës ka qenë prej vitesh një nga destinacionet më të kërkuara në veri, ndërsa këtë qershor është regjistruar rreth 50 për qind më shumë fluks vizitorësh krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Më në fund rruga për në Koman është siç duhet. Sot për fat të mirë kemi një rrugë të asfaltuar që lehtëson të gjitha shërbimet”, tha një turist.

Rikonstruksioni i rrugës nisi në shkurt të vitit 2025, me një fond prej rreth 2.5 miliardë lekësh. Pas përfundimit të sezonit turistik do të realizohen shtresa e dytë e asfaltit, vendosja e barrierave mbrojtëse dhe sinjalistika rrugore, duke e nxjerrë përfundimisht këtë segment nga harta e akseve më të rrezikshme.