'Hapi i dytë', thirrje për marrëveshje në takimin e Ohrit Kurti-Vuçiç

'Hapi i dytë', thirrje për marrëveshje në takimin e Ohrit Kurti-Vuçiç

Aleksandër Vuçiç, Josep Borrell dhe Albin Kurti

Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare presim që në takimin e Ohrit që mbahet më 18 mars ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të arrihet ujdi për planin e zbatimit të propozimit evropian. Edhe diplomatët perëndimorë që janë të përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi, shpresojnë që të arrihet përparim në takimin e 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, para se kreu i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell të raportojë në Këshillin Evropian për rrjedhën e dialogut. 

"Mos e humbni autobusin"

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jörn Rohde i dha përkrahje të plotë ndërmjetësuesit të dialogut Miroslav Lajçak, në arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, duke u bërë thirrje palëve që mos ta humbasin shansin.

"Marrëveshja mund të arrihet. Kosova do të përfitojë shumë. Kosovës i duhet të zbatojë obligimet e saj dhe të ofrojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe menjëherë. Apeli im për Kosovën dhe për Serbinë, është për bisedimet e ardhshme në Ohër: Mos e humbni autobusin”, shkroi në Twitter ambasadori gjerman, duke vazhduar argumentimin, se marrëveshja do të përshpejtonte integrimin euro-atlantik dhe është "shans historik për rrugën e normalizimit të plotë dhe njohjen reciproke”.

Edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, shpreson për një marrëveshje mes Kurtit dhe Vuçiqit në takimin e Ohrit që mbahet me 18 mars nën ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell. Von Cramon që e shpërndau në twitter shkrimin e ambasadorit gjerman në Prishtinë, tha se "arritja e një marrëveshjeje do të ishte një hap i madh drejt integrimit evropian për të dy vendet.

"Shpresoj shumë që do të shohim të dyja nënshkrimet në marrëveshje në fund të javës  në Ohër. Do të ishte një hap i madh drejt integrimit evropian për të dy vendet,” shkroi Viola Von Cramon.

Kurti i gatshëm për nënshkrimin e marrëveshjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ritheksoi edhe njëherë që ai ishte i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë më 27 shkurt në takimin e Brukselit. Sipas tij, marrëveshja themelore për normalizimin që u propozua nga BE-ja, apo siç njihet ‘plani franko gjerman' "përmban një avancim drejt njohjes së ndërsjellë mes dy shteteve”. Kryeministri këto komente i bëri, në një videomesazh drejtuar një Forumi të Universitetit të Mannheim-it në Gjermani, ku tha se shpreson që refuzimi i Vuçiqit, që të nënshkruante në Bruksel, nuk është shenjë se ai nuk pajtohet me përmbajtjen e marrëveshjes.

"Ne besojmë se Marrëveshja themelore mes Kosovës dhe Serbisë përmban një avancim drejt njohjes së ndërsjellë mes dy shteteve. Besojmë se normalizimi i plotë i marrëdhënieve kërkon një njohje të ndërsjellë në qendër të marrëveshjes, si dhe respektim për të drejtat e pakicave në të dy shtetet. Siguria dhe paqja në rajon e Evropë është mëse  e nevojshme. Ne jemi të gatshëm të bëjmë përparim edhe përkundër sfidave të mëdha”, tha kryeministri Kurti.

Lajçak: Marrëveshja kërkon zbatim dhe afate kohore

I ngarkuari i Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, të hënën dhe të martën qëndron në Beograd, për të diskutuar për bisedimet e 18 marsit në Ohër, me presidentin serb Vuçiç.  Ky i fundit tha se "nuk do të ketë njohje as de facto dhe as de jure”, të pavarësisë së Kosovës. Vuçiç tha se ai  do të shkojë në Ohër për takim me Kurtin, por "nuk e ka të qartë se për çfarë të flitet atje”.

Para se të shkojë në Beograd, i dërguari i BE-së Miroslav Lajçak ishte në Prishtinë, ku tha se "janë përmbushur pritjet e tij”, në takimet që pati në me dy udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, Presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

"Që të bëhet dokument ligjërisht i detyrueshëm duhet të pajtohemi se si të zbatohet. Duhet të dimë cilët janë hapat, ritmi dhe afatet kohore, në të kundërtën do të jetë vetëm marrëveshje politike dhe jo formale”, tha Miroslav Lajçak, gjatë vizitës në Prishtinë.

Ai tha se BE-ja është e përqendruar në atë që ai e quajti ‘hap i dytë' që ka të bëjë me finalizimin e planit të zbatimit, që kur të përfundohet, do të kalohet në hapin e radhës, që është formalizimi.

Në takimin e 27 shkurtit që patën në Bruksel kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i thanë "po" Propozimit evropian për normalizimin  e marrëdhënieve. Plani evropian parasheh mes të tjerash përmbushjen e marrëveshjeve të deritashme, përfshirë edhe atë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Zyrtar të lartë të Shteteve të  Bashkuara të Amerikës thanë se marrëveshja mbi udhërrëfyesin e zbatimit të planit evropian është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa ecja përpara  drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, është thelbësore për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës./DW

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën