Ligji për hapjen e dosjeve parashikon disa garanci të forta për bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit, çka do të vështirësojnë zbulimin e emrave të spiunëve, të cilët mbajnë funksione publike. Neni gjashtë i ligjit, parashikon ndalimin e dhënave personale në dëm të personave të prekur apo palëve të treta, kur këto të dhëna janë përftuar në mënyrë të fshehtë apo të paligjshme, me përjashtim të të përdorimit për qëllime rehabilitimi të personave të vdekur apo të zhdukur.

Ky parashikim pritet të krijojë një konflikt mes mediave dhe komisionit, i cili do të vihet nën presion nga ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Sipas ligjit, autoriteti merr masa për ndalimin e përkohshëm të përdorimit të dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, kur prokuroria ose gjykata përcakton se nga përdorimi i tyre mund të dëmtohet veprimtaria hetimore, ndjekja penale, ecuria ose përfundimi i një procedimi penal të regjistruar.