Hapja e dosjeve, Shqipëria të bëjë si
Gjermania, të përballet me të kaluarën

Hapja e dosjeve, Shqipëria të bëjë si<br />Gjermania, të përballet me të kaluarën
Ndihem i nderuar nga ftesa për të marrë pjesë në këtë veprimtari për çështjen e hapjes së dosjeve të Sigurimit. Shpresoj që kjo të jetë një pjesë kyçe e procesit të drejtësinë tranzicionale në Shqipëri. Drejtësia tranzicionale është një koncept që ka evoluar duke përfshirë jo vetëm drejtësinë penale, por edhe nocionin e gjerë të ndryshimit të narrativës për të shkuarën - jo vetëm përmes vendimeve gjyqësore, por edhe përmes kulturës së kujtesës, ndryshimit të elitave, kthimit dhe kompensimit – sepse paqja dhe siguria mund të vendosen vetëm pasi shkeljet e të drejtave të njeriut dhe krimet e shkuara të jenë trajtuar me mekanizmat, instrumentet dhe masat e duhura. Përvoja e vendeve të tjera, që janë përballur me të shkuarën, na tregon se vetëm me anë të zbulimit, trajtimit dhe diskutimit rreth padrejtësive të shkuara, arrijmë të mos lejojmë të shkuarën të na bëhet barrë për të ardhmen.
 
Miratimi i ligjit për hapjen e dosjeve shërbeu si katalizator për nismën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri “Fillojmë të flasim”, e cila synon të mbështetë dialogun kombëtar konstruktiv për historinë e Shqipërisë gjatë regjimit totalitar. Shqipëria e ka nisur ngadalë procesin e diskutimit të shkeljeve të të drejtave të njeriut nga regjimi i dikurshëm, krahasuar me shoqëritë e tjera evropiane, megjithatë, nismat e fundit, si diskutimi i mundshëm në Kuvend i dënimit të krimeve të regjimit komunist ndaj klerikëve, tregojnë një trend pozitiv. Në këndvështrimin tonë, që Shqipëria të përballet me sukses me të kaluarën, është thelbësisht e rëndësishme që ligji për hapjen e dosjeve të Sigurimit të zbatohet me efektivitet dhe të shoqërohet me dialog përfshirës për të zbutur tensionet që mund të lindin nga publikimi i këtyre dokumenteve.
 
Kjo nismë për hapjen e dosjeve, si edhe procesi më i gjerë i drejtësisë tranzicionale në Shqipëri, më interesojnë edhe mua personalisht, sepse që në 2008-n jam përpjekur të kontribuoj në këtë diskutim, duke ofruar akses në përvojat specifike gjermane në këtë fushë, si pas diktaturës naziste dhe Luftës së Dytë Botërore, ashtu edhe pas rënies së diktaturës komuniste në 1990-n. Pas rënies së diktaturës komuniste në Gjermani, pati një debat kombëtar të nxehtë se si duhej të trajtoheshin volumet e stërmëdha të të dhënave të shërbimit sekret – plot 180 km me dosje që përmbanin informacion për mbi 6 milionë njerëz. Gjithmonë, në situata të tilla, ka tension mes nevojës për zbulim dhe kuptim të së kaluarës nga njëra anë, si edhe cenimit të jetës private dhe rrezikut për konflikte sociale nga ana tjetër. Nisur nga balancat delikate që duhen gjetur dhe emocioneve të fuqishme që provokon ky proces, nuk ka një mënyrë ideale për të trajtuar këto situata.
 
Se cila është mënyra më e mirë për trajtimin, interpretimin dhe përballimin me të dhënat e dosjeve të shërbimit sekret ka qenë objekt diskutimesh të mëdha, dhe çdo vend duhet të gjejë zgjidhjen e vet unike dhe të negociuar. Në Gjermani, ashtu si me ligjin shqiptar të 2015-s, alternativa e hapjes së përgjithshme të dosjeve u rrëzua dhe hapja e dosjeve u administrua nga një autoritet. Është pranuar gjerësisht se zbulimi i këtyre dosjeve me një administrim të kujdesshëm ka qenë një hap integral i Gjermanisë në përballjen me të kaluarën e vet dhe, pavarësisht se shkaktoi disa skandale mediatike, procesi nuk shkaktoi asnjë trazirë sociale. Fakti që shoqëria gjermane arriti të ngrihet nga shtypja e heshtja dhe të mobilizohet ndaj krimeve e fajit, konsiderohet shpesh si një faktor kyç në demokratizimin e saj.
 
Nisur nga përfitimet e pranuara që sjell hapja e këtyre dosjeve në mënyrë të kujdesshme dhe të përgjegjshme, ne kemi ndjekur dhe mbështetur nismën për hartimin e një ligji që nga faza e ideve, prandaj kemi dhënë opinione, mbështetje dhe asistencë sa herë na është kërkuar. Pas miratimit të ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, hartuam udhëzime për kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve të Autoritetit përgjegjës për përpunimin e dokumenteve në kuadrin e ligjit të ri. Me keqardhje konstatojmë se, edhe pse ka kaluar mbi një vit e gjysmë nga hyrja në fuqi e ligjit, dhe pavarësisht se Kuvendit i është dërguar një listë me 11 kandidatë potencialë për 5 anëtarët e këtij Autoriteti, Kuvendi ende nuk ka votuar për kandidatët. E përshëndetëm hovin që u duk se do të shoqëronte zbatimin e këtij ligji dhe dëshirojmë të shohim personat përgjegjës të marrin masat e nevojshme për ta kthyer në axhendën e parlamentit, për të mundësuar zbatimin e ligjit dhe hapjen e dosjeve në përputhje me ligjin. Ne jemi të gatshëm të japim mbështetje të mëtejshme për ta çuar përpara këtë nismë.
 
Rendi i ditës sot përfshin folës shumë të shquar dhe të ditur nga Shqipëria dhe Gjermania dhe pres me kënaqësi të dëgjoj pikëpamjet e tyre. Fakti që kjo veprimtari zhvillohet sot është një shenjë e dëshirës për ta çuar përpara këtë çështje dhe njohje e rëndësisë së krijimit të hapësirës për dialog mbi të shkuarën komuniste të Shqipërisë.

*Ambasador i OSBE-së në Tiranë

*Fjala e mbajtur në veprimtarinë “Hapja e dosjeve të Sigurimit – Sa më shpejt aq më mirë”, 
 në kuadër të “Ditëve të Kujtesës”
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?