Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) nisi në orët e para të mëngjesit një operacion në bashkëpunim me Antimafien e Barit për goditjen e një grupi kriminal të dyshuar për pastrim të parave. Në total janë lëshuar 14 masa sigurie, nga të cilat 10 'arrest me burg' prej të cilave 6 të ekzekutuara në Itali dhe 4 në Shqipëri, 1 'arrest shtëpie' dhe 3 'detyrim paraqitje'.

Masa e sigurisë i është komunikuar në Itali kreut të grupit kriminal Igli Kamberit, i arrestuar në Korrik 2025, i akuzuar ndër të tjera për vrasjen e një 26-vjeçari në Berletta të Italisë në vitin 2025. Ishin hetimet për këtë vrasje që çuan në zbulimin e këtij rrjeti kriminal dhe aktivitetit të pastrimit të parave, të cilat nga Italia i sillnin në Shqipëri me mjete të ndryshme transporti. Në 2024-ën, në pikën kufitare të Muriqanit janë sekuestruar mbi 680 mijë euro, teksa po tentohej futja e tyre në Shqipëri me një automjet, të dyshuara se i përkasin pikërisht këtij grupi kriminal.

Në Shqipëri është arrestuar Ergys Kastrati alias Bishja, i cili prej 2 vitesh është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, gruaja e tij dhe 2 shoferë që bënin transportin e parave të pista. Bishja u arrestua në një vilë pranë TEG-ut.

Autoritetet e Antimafiers së Barit dhe kreu i SPAK Klodian Braho do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët në orën 10:30 nga Bari lidhur me këtë operacion.

Lajmi në përditësim...

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:06
Operacioni i SPAK dhe Antimafias italiane/ ‘Koka’ e grupit i arrestuar në 2025 për vrasje në Itali! Trupi i 26-vjeçarit u gjet pas 4 ditësh gjysmë i djegur

Viktima Francesco Diviesti dhe vendi ku u gjet trupi

Igli Kamberi dyshohet si kreu i grupit kriminal me veprimtari në fushën e pastrimit të parave. Atij i është komunikuar në Itali masa e sigurisë ‘arrest me burg’, teksa është i arrestuar ndër të tjera pasi dyshohet si i përfshirë në vrasjen e berberit  26-vjeçar nga Barletta Francesco Diviesti, i cili u zhduk më 25 prill 2025 dhe u gjet i vdekur katër ditë më vonë.

Trupi i tij gjysmë i djegur, me plagë nga arma e zjarrit, u gjet në një rrënojë në fshat midis Canosa di Puglia dhe Minervino Murge, në zonën veriore të Barlettës. Kamberi u arrestua në Roske të Hungarisë teksa ishte nisur me autobus drejt Shqipërisë. Ishin hetimet e zhvilluara për këtë vrasje që çuan në zbulimin e këtij rrjeti kriminal.

Ndër të tjera, Igli Kamberi dyshohet dhe për posedimin e 24 kilogramëve kokainë po në Barletta.

Më poshtë video e arrestimit të Igli Kamberit