Hapja e listave po funksionon pa u miratuar

Hapja e listave po funksionon pa u miratuar

Për të ditur se çfarë janë listat e hapura për Shqipërinë, mjafton të shikosh efektet që ka shkaktuar në Tiranë vetëm ndezja e debatit për këtë çështje.

Edi Rama duket se është kujtuar pas 7 vjetësh se duhet dëgjuar ndonjëherë edhe populli për kërkesat e tij.

Pasi nuk ka lënë gjë pa bërë në kurriz të tij dhe pa e pyetur asnjëherë, papritur është bërë i dhembshur dhe i dëgjueshëm.

Thotë se po ndjek amanetin e tij, por e kupton edhe derri që po kërkon t’ua bëjë edhe më malore zgjedhjet kundërshtarëve të vet politikë.

Lulzim Basha është pickuar keq dhe po e quan shkelje të lirive themelore të njeriut po të shkojë vetëm në votime, a thua se kur u themelua PD në vitin 1990 kishte parasysh që do të bënte patjetër aleancë me Monikën pas 30 vjetësh.

Kjo e fundit, për hir të së vërtetës, nuk duket të jetë mërzitur shumë, sepse e ka lënë vetëm në ankesa vëllain e rigjetur për herë të dytë nga martesa e parë . Ndoshta ngaqë nuk është shumë e zonja në qarje, por është e specializuar vetëm për d asma e dolli.

Por Luli ka një problem të madh, se kur flet për zgjedhjet thotë se do të fitojë bashkë me aleatët, ndërsa sa herë flet për pushtetin e nesërm thotë qeveria ime.

Habia më e madhe po ndodh me një turmë veprimtarësh civilë, të cilët kishin 10 vjet që na shurdhonin me seminare dhe peticione për ndryshimin e sistemit.

Ata, ose janë fshehur dhe nuk duken gjëkundi, ose e quajnë të shenjtë marrëveshjen e 5 qershorit dhe thonë se Shqipëria shpëton vetëm po u miratua ajo siç është.

Edhe shtypi e ka ndjerë fort tërmetin dhe është barrikaduar kryesisht në krah të dy partive kryesore, gjë që nuk çudit, sepse nuk ndodh për herë të parë.

Ata që bëjnë sikur qëndrojnë në mes i tradhton fakti që kanë rinisur gjuetinë ndaj Murrizit dhe Hajdarit, të cilët gati po konsiderohen shkaktarë për të gjitha të zezat e politikës në këto 30 vjet.

E rëndësishme është që askush nuk po shfaqet indiferent, por i përfshirë deri në grykë brenda këtij debati. Pavarësisht fantazisë apo emocionalitetit, që është cilësi individuale. Që e bën fjala vjen Lorenc Vangjelin që ta shikojë rotacionin brenda Partisë Socialiste, dhe jo mes dy blloqeve politike, ndryshe nga gjithë të tjerët.

Kjo është pak a shumë atmosfera në Tiranë vetëm nga përfytyrimi për “mrekullinë” apo “gjëmën” që pritet të sjellë për Shqipërinë hapja e listave.
Se çfarë do të ndodhë realisht, kur ato vërtet të çlirohen një ditë, nuk është shumë e vështirë për t’u kuptuar.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja