Ministrat e Jashtëm të mbi 40 vendeve, përfshirë dhe të Shqipërisë, morën pjesë sot në një “samit virtual” të thirrur nga Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, për të adresuar nevojën urgjente për të riahpur Ngushticën e Hormuzit, e mbyllur nga Irani pas sulmeve amerikano-izraelite. 

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, shkruan në platformën 'X" se "diskutimet u përqëndruan në përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare, përmes mjeteve diplomatike dhe politike, por jo vetëm, për të siguruar rihapjen e sigurt dhe të qëndrueshme të kësaj rruge detare kritike, e cila është jetike për sigurinë globale të energjisë dhe stabilitetin ekonomik".

"Sot mora pjesë në takimin virtual të thirrur nga Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, që bëri bashkë homologë nga mbi 40 vende për të adresuar nevojën urgjente për të rivendosur lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit pas mbylljes së saj nga Irani në kontekstin e konfliktit të vazhdueshëm.

Diskutimet u përqëndruan në përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare, përmes mjeteve diplomatike dhe politike, por jo vetëm, për të siguruar rihapjen e sigurt dhe të qëndrueshme të kësaj rruge detare kritike, e cila është jetike për sigurinë globale të energjisë dhe stabilitetin ekonomik.

Uniteti, koordinimi dhe një qasje ndërkombëtare e bazuar në rregulla janë thelbësore. Liria e lundrimit është një parim themelor që duhet të respektohet.

Shqipëria është e gatshme të bashkëpunojë ngushtë me partnerët dhe aleatët për të mbështetur përpjekjet e deeskalimit dhe për të kontribuar në iniciativa dhe zgjidhje kolektive",- shkruan Hoxha.

Udhëheqësit kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët në të cilën thanë se ishin të gatshëm të kontribuonin në “përpjekje të përshtatshme për të siguruar kalimin e sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit”. Ngushtica është pothuajse e mbyllur nga Irani, duke ushtruar presion të konsiderueshëm mbi zinxhirët globalë të furnizimit dhe çmimet e energjisë.

Më herët, mediat e huaja raportuan se pjesë e mbledhjes virtuale të thirrur nga Mbretëria e Bashkuar do të ishin edhe Franca, Gjermania, Australia dhe shtetet e Gjirit, por jo Shtetet e Bashkuara.

Konkretisht, vendet pjesëmarrëse ka të ngjarë të kenë qenë: Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Japonia, Kanadaja, Republika e Koresë, Zelanda e Re, Danimarka, Letonia, Sllovenia, Estonia, Norvegjia, Suedia, Finlanda, Çekia, Rumania, Bahreini, Lituania, Australia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Portugalia, Trinidad dhe Tobago, Kroacia, Bullgaria, Kosova, Panamaja, Maqedonia e Veriut, Nigeria, Mali i Zi, Shqipëria, Ishujt Marshall, Kili dhe Moldavia.

Irani ka deklaruar se rruga është e mbyllur vetëm për anijet që u përkasin vendeve të përfshira në sulme kundër tij.

Trump është shprehur se ngushtica, një rrugë kyçe për transportin, mund të hapet  “automatikisht” kur të përfundojë lufta, por vendet e tjera nuk janë aq të sigurta.

Heqja e minave mund të jetë e nevojshme, ndaj prioriteti është të sigurohet lundrim i sigurt për anijet dhe, si rrjedhojë, të ulen çmimet e naftës dhe të rritet furnizimi me fertilizuesit kimikë për prodhimin e ushqimit.

Rreth 20% e naftës së botës dhe gazit natyror të lëngshëm zakonisht kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila është 33 kilometra e gjatë.

Kjo naftë vjen jo vetëm nga Irani, por edhe nga shtetet e Gjirit si Iraku, Kuvajti, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në vitin 2025, rreth 20 milionë fuçi nafte kalonin çdo ditë përmes kësaj rruge ujore, sipas vlerësimeve të Administratës Amerikane të Informacionit për Energjinë (EIA)  që përbën pothuajse 600 miliardë dollarë tregti energjie në vit.