KOSOVE- Kryeministri në ikje i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se do ta padiste, pas akuzave për ndarjen e Kosovës.

Haradinaj tha në studion 'Pressing' në T7 se Rama ka marrë pjesë në projektin e ndarjes dhe se Kosovës do t'i bëheshin 10 miliardë euro dëme në rezervat minerale të Trepçës ndërsa deklaroi se do të shihet në gjyq me kreun e qeverisë shqiptare.

“Edi Ramën e kam vëlla. I kam vëllezër e motra të gjithë shqiptarët. Por unë jam kundër ndarjes. Ky ka marrë pjesë në projektin e ndarjes. Ajo ndarja ka pas me bërë dëme në shtetësinë tonë. Pasi që të hapet Kosova e 17 shkurtit nuk ka më kthim pas. Mbi 10 miliardë euro dëme do i bëheshin Kosovës në rezerva dhe minerale të Trepçës.

 Gjithsesi ai për momentin është në pushtet por nuk e ka të sigurt që do të qëndroj dhe mund ta humb atë. Shihemi në gjyqe. Nëse dikush ka premtuar me dhënë Trepçën, atëherë ka pasur përfitime nga Serbia", tha Haradinaj.