Ramush Haradinaj ka njoftuar largimin nga drejtimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Njoftimin Haradinaj e ka bërë gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ku konfirmoi se nuk do të jetë në garë për pozitën e kryetarit të AAK-së.
Po ashtu, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së, Haradinaj tha se zgjedhjet brenda partisë do të mbahen nga 20 shkurti deri më 6 qershor.
“Procesi zgjedhor fillon nga 20 shkurti. Është risi ose ndryshim sepse nuk do të kandidoj për kryetar të Aleancës në këto zgjedhje të brendshme. I kam treguar edhe disa arsye, u'a shpjegoj edhe ju. Një arsye është koha e gjatë, arsyeja e dytë është rezultati zgjedhor. Po ashtu është edhe besimi që kam në kuadrin e Aleancës”, tha Haradinaj në një deklaratë per mediat pas takimit të Këshillit të Përgjithshëm të Aleancës.
Kandidatura e vetme e paraqitur deri më tani për kryetar të AAK është ajo e kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjini. Haradinaj ka deklaruar gjithashtu, teksa iu përgjigj interesit të mediave, se nuk është kandidat për president të vendit.
“Nuk jam kandidat për president të vendit. Me qenë në një rrethanë të caktuar, parlamenti, deputetët të ma kërkonin, e kisha shqyrtuar”, deklaroi Haradinaj.
Komente







