Haradinaj, Prishtina -Beogradit:
Mos ndikoni mbi Gjykatën e Hagës

Haradinaj, Prishtina -Beogradit: <br />Mos ndikoni mbi Gjykatën e Hagës
Institucionet politike dhe ato të drejtësisë në Serbi janë vënë në lëvizje për të bërë presion mbi Gjykatën e Hagës, pak ditë para se të merret vendimi për ish-Kryeministrin Ramush Haradinaj.

Por, të martën ndaj deklarimeve të zyrtarëve të Beogradit janë përgjigjur institucionet shtetërore të Kosovës.
Presidenca, Qeveria dhe partitë politike kanë thënë se Gjykata e Hagës nuk do të ndikohet nga deklaratat e zyrtarëve serbë dhe presioni politik i Beogradit, që po bëhet rreth vendimeve të Gjykatës.

Vendimi për ish-Komandantin e UÇK-së në rajonin e Dukagjinit do të merret më 29 nëntor, pak ditë pasi Gjykata e Hagës vendosi lirimin si të pafajshëm për dy ish-gjeneralët kroatë, Ante Gotovina e Mladen Markac.

Pikërisht lirimi i udhëheqësve të Olujës kroate ka nxitur reagime në Serbi, duke kërkuar që vendimi i ngjashëm të mos merret edhe në rastin e Haradinajt.
Madje, zyrtarët serbë kanë deklaruar se lirimi i Haradinaj do të ishte pengesë për vazhdimin e dialogut politik me Kosovën.
“Vendimi i gjyqit të Hagës për lirimin e Ramush Haradinajt do të ishte mesazh se ka qenë e lejueshme vrasja e serbëve në Kosovë”, ka thënë Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Aleksander Vulin.

Megjithatë, në Presidencë thonë se pavarësisht deklaratave të zyrtarëve në Beograd, Gjykata e Hagës nuk do të ndikohet nga politika.
“Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi është gjykatë e pavarur ndërkombëtare dhe ajo nuk i nënshtrohet asnjë presioni politik”, ka thënë Arbër Vllahiu, zëdhënësi i presidentes Jahjaga.

Ndërkohë Qeveria e Kosovës po i sheh deklarimet e zyrtarëve serbë si një tentativë për të ndikuar vendimet e Hagës.
"Qeveria e Republikës së Kosovës rithekson se drejtësia duhet të jetë e pavarur, e paanshme dhe profesionale, dhe të mos ndikohet nga askush e as nga politika", thuhet në reagimin e Qeverisë.

Sipas Qeverisë, zyrtarët serbë po tentojnë të ndikojnë në drejtësinë e Hagës.
"Kërkojmë që edhe autoritetet e Serbisë dhe të tjerët të jenë të përmbajtur dhe të mos tentojnë të ndikojnë në vendimet gjyqësore".
Edhe anëtari i Kryesisë së AAK-së, Avni Arifi thotë se zyrtarët serbë po tentojnë që çështjet gjyqësore t’i kthejnë në arena politike.
Megjithatë ai thotë se i besojnë vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare.

“Tendenca e Serbisë, që të ketë vendim politik për dënimin e z. Haradinaj, paraqet një shkelje të rëndë të besimit që ekziston në botë për drejtësinë ndërkombëtare. Deklarata të tilla të zyrtarëve serbë janë skandaloze. Ne si AAK, pavarësisht asaj që vazhdimisht kemi besuar në pafajësinë e z. Haradinaj, gjithmonë kemi besuar se fajësia apo pafajësia duhet të dëshmohet në sallat e Tribunalit të Hagës dhe kemi besuar në proces të fer dhe korrekt të Gjykatës Ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Sipas tij, presionet e zyrtarëve serbë janë të pashembullta për drejtësinë.
“Kjo po bëhet me qëllim që ajo që nuk është dëshmuar në sallën e gjyqit, të kërkohet që të veprohet me deklarata politike që reflekton Serbinë e së kaluarës. Veç kësaj, veprimet e zyrtarëve shtetërorë serbë dhe miqve të tyre ndërkombëtarë si dhe strukturave të tjera janë akte të pashembullta në drejtësinë ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Gjykata e Hagës ka njoftuar se më 29 nëntor do të publikohet vendimi për Ramush Haradinaj, Lah Ibrahimajn dhe Idriz Balajn.
Aktualisht, Haradinaj është duke qëndruar në Kosovë deri pak ditë para se të shpallet vendimi përfundimtar.
Ndërsa Haradinaj më 3 prill 2008, pas një procesi 3-vjeçar, ishte shpallur i pafajshëm për të gjitha aktakuzat nga Gjykata e Hagës dhe një ditë më pas, më 4 prill 2008, kthehet i lirë në vend.

Por, më 21 korrik 2010, Gjykata e Hagës për të parën herë pas 17 vjet të themelimit mori vendimin e parë, kur vendosi për rigjykim të pjesshëm të Haradinajt, edhe pse ky i fundit ishte shpallur me unanimitet i pafajshëm.
Ramush Haradinaj ka qenë Kryeministër i Kosovës në koalicionin LDK-AAK i lidhur në vitin 2004, por pas njëqind ditësh kishte dhënë dorëheqje për t’u përballur me akuzat e Hagës.

Haradinaj përballet me akuza për krime lufte prej marsit të vitit 2005, ndërsa partinë e tij vazhdojnë ta udhëheqin Nënkryetarët Blerim Shala, Ardian Gjini e Ahmet Isufi.
Zyrtarët e AAK’së në vazhdimësi kanë thënë se Haradinaj është i pafajshëm dhe besojnë se edhe vendimi që do të merret në fund të këtij muaji do të jetë në favor të ish-Kryeministrit.

Marrë nga Gazeta Express

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Sulmet e Metës, Rama: Nuk komentoj ata që kanë çështje të hapur, SPAK të vazhdojë drejt! Ka mbështetjen time pa kushte

Sulmet e Metës, Rama: Nuk komentoj ata që kanë çështje të hapur, SPAK të vazhdojë drejt! Ka mbështetjen time pa kushte