Haradinaj: Rishikimi i kufijve me Serbinë do sillte tragjedi të reja, ndërkombëtarët ta kundërshtojnë

Haradinaj: Rishikimi i kufijve me Serbinë do sillte tragjedi të reja, ndërkombëtarët ta kundërshtojnë

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj

PRISHTINE-Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pas takimit me Presidentin Hashim Thaçi mbrëmjen e djeshme përmes një postimi në faqen e tij në Facebook shprehet sërish kundër idesë së ndryshimit të kufijve me Serbinë. Ai thotë se ndryshimi i kufijve do të ishte një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan, pasi çon në destabilizim dhe pasiguri në rajon. Shefi i ekzekutivit të Kosovës thotë se do të qëndrojë fuqishëm kundër idesë së hedhur nga Thaçi, ndërsa u bën thirrje ndërkombëtarëve që të kundërshtojnë rishikimin e kufijve.

Diskutimi i vazhdueshëm publik mbi ridizajnimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan, i cili çon në destabilizim, pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon.

Si Kryeministër i Republikës së Kosovës do të vazhdoj fuqishëm të qëndroj kundër këtyre ideve shkatërruese dhe u bëj thirrje të gjitha vendeve mike dhe institucioneve ndërkombëtare kontribuese për Kosovën, që të kundërshtojnë idetë shkatërruese dhe të mos lejojnë që ato të arrijnë në tryezën e vendimmarrjes.

Ramush Haradinaj

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u angazhua pak kohë më parë për ndarje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duke u bërë jehonë kërkesave të Serbisë për ndarjen tokësore të Kosovës në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve.

Kosova e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë ne debatet e nxitura nga ideja e presidentit të saj Hashim Thaçi për 'korrigjimin e kufirit" që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.

SHBA dhe BE nuk e kanë kundërshtuar idenë, por kanë kërkuar mos cenonte stabilitetin e Ballkanit, ndërsa Gjermania dhe Britania janë pozicionuar kundër. Përsa i përket Shqipërisë, Rama mbështeti qëndrimin e BE, ndërsa Presidenti Meta doli kundër rishikimit të kufijve.

STATUSI I PLOTË I HARADINAJT
Populli i Kosovës është falënderues për angazhimin afatgjatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe vendeve tjera mike të bashkësisë ndërkombëtare në vendin tonë. Ne jemi gjithmonë mirënjohës për rolin, mbështetjen dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në të gjitha proceset e ndërtimit dhe konsolidimit të shtetësisë së Kosovës, forcimit të institucioneve tona dhe avancimit të paqes dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Për më shumë se dy dekada, populli i Kosovës është përkushtuar të përballet me trashëgiminë e dhimbshme të së kaluarës shkatërruese dhe të kaloi në frymën e pajtimit dhe faljes dhe është jetësisht i vendosur për mbrojtjen, promovimin dhe respektimin e diversitetit në vendin tonë.

Të shtyrë nga objektivi ynë strategjik për t'u integruar plotësisht në familjen euroatlantike, ne kontribuojmë në vazhdimësi për një pajtim të qëndrueshëm që lejon rajonin tonë të lëvizë përtej konflikteve të së kaluarës sonë dhe të krijojë lidhje të reja të bashkëpunimit rajonal.

Kemi qenë të vendosur dhe kemi punuar pandalshëm, në veçanti, për të vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë, duke përfshirë Republikën e Serbisë. Kemi paguar një çmim të shtrenjtë për paqen që kemi sot dhe ne nuk duam të hyjmë përsëri në skenarë të rrezikshëm për të rifilluar një ndërhyrje të re të NATO-s.

Marrëveshja Përfundimtare Ligjërisht e Obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë një hap vendimtar për sigurimin e stabilitetit dhe paqes në rajonin tonë. Njohja reciproke dhe paqja e qëndrueshme duhet të jetë rezultati i vetëm kredibil nga kjo marrëveshje.

Diskutimi i vazhdueshëm publik mbi ridizajnimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan, i cili çon në destabilizim, pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon.

Si Kryeministër i Republikës së Kosovës do të vazhdoj fuqishëm të qëndroj kundër këtyre ideve shkatërruese dhe u bëj thirrje të gjitha vendeve mike dhe institucioneve ndërkombëtare kontribuese për Kosovën, që të kundërshtojnë idetë shkatërruese dhe të mos lejojnë që ato të arrijnë në tryezën e vendimmarrjes.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë